“Kështu PDK po synon rrëzimin e Albin Kurtit”/ Mehmeti tregon skenarin me veteranët

Politika

“Kështu PDK po synon rrëzimin e Albin Kurtit”/ Mehmeti tregon skenarin me veteranët

Nga: P.R Më: 14 qershor 2022 Në ora: 22:03
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së.

Gjatë ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar në parim projektligjin për pagën minimale, gjë e cila ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilët kanë paralajmëruar protestë për të enjten. Madje veteranët po kërcënojnë Qeverinë Kurti edhe me protesta të dhunshme.

Metush Kryeziu, anëtar i Kryesisë së OVL-UÇK-së ka deklaruar për çkado që mund të ndodhë të enjten, “përgjegjësia i bie Qeverisë”.

“Sipas informatave që i kam, të gjitha degët janë duke punuar në terren. Ta shohim situatën. Mirëpo kjo përgjegjësi i bie Qeverisë çkado që do të ndodhë. Ta shohim. Në ato rrethana mund të eskalojë edhe situata sepse veteranët janë në gjendje të rëndë”, u shpreh Metush Kryeziu.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, veteranët janë vegël e PDK-së.

Image
Faton Mehmeti

“OVL ka qenë dhe vazhdon të jetë ende zëdhënëse e PDK-së, fatkeqësisht po vazhdon të përdoret për qëllimet e saja. Klani "Pronto" me të gjitha mënyrat po mundohet ta pengojë qeverinë, po manipulon me ndjenjat sociale të njerëzve për t'i nxitur ata”, thotë Mehmeti, sipas të cilit, PDK po synon rrëzimin e Kurtit në mënyrë të dhunshëm.

“PDK e ka kuptuar se me mjete demokratike s’mundet me rrëzu qeverinë Kurti, andaj po përdor ndjenjat e njerëzve për të shkaktuar revoltë deri në përplasje. E mësuar të arrijë në pushtet përmes trupave të të vrarëve, synojnë të nxisin veteranët të përplasën me qeverinë me padurimin për të pasur viktima”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Për fund, Mehmeti thotë se protesta e së enjtes mund të shkaktojë trazira në Kosovë.

“Veteranët janë të manipuluar, të tillë po vazhdojnë të mbesin. Të enjten pres trazira, uroj që qeveria para të enjtes të bëjë ujdi me veteranët, t'i bind ata që mos të bien viktimë e politikave ditore të PDK, ndryshe situata do jetë e rëndë”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat