Prapaskenat e vizitës së Glauk Konjufcës në Hagë/A do t’i vizitojë një ditë familjet e viktimave të vrasjeve politike!

Politika

Prapaskenat e vizitës së Glauk Konjufcës në Hagë/A do t’i vizitojë një ditë familjet e viktimave të vrasjeve politike!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 15 qershor 2022 Në ora: 11:44

Kryetari i Kuvendit GlaukKonjufca me 17 qershor do të realizojë një vizitë ku do të takohet me ish-drejtuesit e UÇK-së që janë duke u përballur me drejtësinë në Hagë në gjykatën speciale, të krijuar nga institucionet e Kosovës.

Vizitën dhe takimin e ka konfirmuar shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Kërçeli.

Përmes një postimi në Facebook, Kërçeli ka thënë se “bashkë me kryeparlamentarinKonjufca me datën 17 qershor, udhëtojmë për t’i vizituar ish-krerët e UÇK-së në Hagë”, përcjell “Bota sot”.

Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, janë takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Por të njëjtët kishin refuzuar një takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Tani mbetet të shihet nëse Thaçi dhe të tjerët do ta pranojnë vizitën e Konjufcës.

Krahas kësaj, kujtojmë se Konjufca së bashku me anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, para ardhjes në pushtet, sidomos gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, kanë bërë thirrje të vazhdueshme për zbardhjen e viktimave të pasluftës, të vrasjeve politike, si tëXhemailMustafës, BehajdinAllaqit etj.

Por, derisa pushtetarët po tregohen të gatshëm t’i vizitojnë, të akuzuarit në Hagë, ata ende nuk kanë treguar gatishmëri që t’i vizitojnë familjet e viktimave të vrasjeve politike.

Kujtojmë se ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, KadriVeseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ku hyjnë vrasjet politike të kryera gjatë viteve 1998-2000.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Zogaj: Jo Konjufca por liderët politikë le t'u përmbahen premtimeve elektorale duke bërë presion tek institucionet për drejtësi dhe funksionim të shtetit ligjor! 

Image
Skender Zogaj

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” foli për mundësinë e Konjufcës për t’i vizituar edhe familjet e viktimave të vrasjeve të pasluftës.

Fillimisht, ai u shpreh se funksioni i kryetarit të Kuvendit është mbipartiak, me ekstra përgjegjësi shtetërore.

“Kuvendi i Kosovës është oda e përbashkët e të zgjedhurve të të gjitha partive politike, të cilat arrijnë të përfitojnë besimin e elektoratit. Sipas këtij parimi zgjidhet kryetari i Kuvendit, i cili pavarësisht që i takon një subjekti politik, funksioni i tij është mbipartiak, me ekstra përgjegjësi shtetërore, që duhet të realizohen në përputhje me Kushtetutën e vendit!”, deklaroi analisti.

Më tej, Zogaj potencoi se nuk ka asgjë të keqe nëse kryetari i Kuvendit i viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

“Kjo është detyra e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, që të gjithë dinë, mirëpo, qarqet e ndryshme politike, për interesat e tyre nuk dëshirojnë ta pranojnë. Këtë qëllim e kanë edhe thashethemet e ndryshme rreth paralajmërimit se Kryetari i  Kuvendit, GlaukKonjufca do të vizitojë Hagën. Gojët e këqija po shprrallen duke shfry mllefet spekulative dhe skajshmërisht keqdashëse. Çfarë të keqe bëka Konjufca nëse viziton Hagën?”, theksoi Zogaj, i cili ka punuar në administratën e ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi në Tiranë.

Ndër të tjera, analisti nuk beson se Konjufca e ka për detyrë t’i vizitojë familjet e viktimave të vrasjeve politike, por ato duhet vizituar nga liderët politikë.

“Pyetjes se ‘a duhet që t'i vizitojë familjet e viktimave të vrasjeve politike?’i përket përgjigjja e thjeshtë: Jo, Konjufca nuk duhet t'i vizitojë familjet e viktimave të vrasjeve politike! Pse u dashka t'i vizitojë kryeparlamentari?! Jo, jo! Jo Konjufca, por liderët politikë le t'u përmbahen premtimeve elektorale duke bërë presion tek institucionet për drejtësi dhe funksionim të shtetit ligjor! Nëse në këtë plan ka pengesa dhe cenime të të drejtave kushtetuese, atëherë duhet t'i bëhet thirrje Konjufcës të veprojë dhe  të realizojë përgjegjësitë që ia ngarkon posti i kryeparlamentarit”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Por, si duket Zogaj harron, se po ata po akuzohen edhe për vrasje politike, si për kolonel Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Beadin Allaqin etj.

Është paksa e habitshme, që të mos kohet trajtim të paktën i barabartë edhe politik, edhe për viktimat e dhunës politike. Pse të harrohen apo të diskriminohen, sikurse edhe të gjitha viktimat tjera, për të cilat nuk është dhënë drejtësia.

Duke mbrojtur të akuzuarit, a nuk dëmtohet e drejta për viktimat. A nuk e nënkupton vizita, besimin në pafajësi!?

Mulliqi: A do të pranojnë Thaçi e Veseli të takohen me Konjufcën?

Image
Skender Mulliqi

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” komentoi vizitën e paralajmëruar të GlaukKonjufcës në Hagë.

Sipas tij, kjo vizitë më shumë lidhet me Rexhep Selimin se sa me të tjerët, pasi edhe është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kryetari i Kuvendit, GlaukKonjufca, ka bërë të ditur se së shpejti do të shkoj për vizitë në Hagë, ku janë duke u gjykuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndoshta ky paralajmërim i Konjufcës mund të lidhet më shumë më Rexhep Selimin i cili edhe është pjesë e LVV-së. Ky ka deklaruar disa herë se ish-krerët e UÇK-së gjenden padrejtësisht në Hagë për krime të supozuara të luftës”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Mulliqi përmendi disa deklarata që Konjufca i ka bërë më parë lidhur me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Madje, ai hodhi dyshime nëse Thaçi e Veseli do tëpranojnë vizitë nga i pari i Kuvendit, marrë parasysh se një të tillë nuk e kishin pranuar nga ministrja e Jashtme.

“Konjufca dhe LVV-ja dihet se e kanë kundërshtuar formimin e gjykatës speciale, duke e konsideruar si të pa drejtë, kur dihet se Serbia ishte agresori, kurse shqiptarët bën luftë mbrojtëse. Ai ka kërkuar që këta të mbrohen në liri. I përmenda këto deklarime të Konjufcës me këtë rast, se këto deklarime edhe kanë qenë indikator më duket mua, që ai të vendosë t’i vizitojë të burgosurit në Hagë. Të kujtojmë se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit KadriVeseli, nuk e kanë pranuar në vizitë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Se a do të pranojnë këta  të takohen më kryetarin e Kuvendit, nuk do të dihet. Por, mendoj se Konjufca ka mundësi të takohet, se ai ka shprehur gjithmonë më duket mua një përafri më të madhe politike më PDK-në”, theksoi ai.

Tutje, analisti aludoi se kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje mund t’i kushtojnë me votë ndryshimi i qëndrimeve politike karshi ish-krerëve të UÇK-së.

 Mirëpo, se a do të ndodhë një gjë e tillë, mbetet të shihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Deklarimet politike të LVV-së dhe udhëheqësve të saj, para se të vijnë në pushtet kanë qenë bukur kontradiktore me deklarimet e tyre që po i dëgjojmë sot, kur ata janë në pushtet. Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që dikur kishte adresuar bukur shumë kritika, u ka dalë atyre në krahë në Epopenë e Jasharajve në Prekaz. Se a do tu kushtojnë këto ndryshime qëndrimesh LVV-së në zgjedhjet e radhës kur do të mbahen ato, mbetet të shihet. Ky subjekt politik ka premtuar para dhe gjatë fushatave elektorale ndryshime të mëdha shoqërore dhe politike në Kosovë, për çka edhe mori së bashku me Listën Guxo, vota të formës plebishitare në zgjedhjet e vitit 2019. Se a do t’i realizohen dhe a do t’u kushtojnë me votë premtimet e dhëna, do ta tregojë koha gjatë qeverisjes me vendin”, vlerësoi Mulliqi.

Në fund, ai kërkoi nga kryetari i Kuvendit të interesohet edhe për familjet e viktimave të vrasjes së pasluftës, pasi më së shumti për vota elektorale janë shfrytëzuar pikërisht këto vrasje.

“Nëse Konjufca ka vendosur të bëjë vizitë te ish-krerët e UÇK-së në Hagë, do të ishte e udhës që një ditë të interesohet, duke i vizituar edhe familjet e të vrarëve në luftë dhe pas luftës. Ato dhanë shembullin më të keq dhe shumë e zvetënuan imazhin e Kosovës në sytë e botës demokratike. Mjaft gjatë janë shfrytëzuar këto vrasje për fushata elektorale, si justifikimi më i keq për familjet e tyre”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat