“Skenar për rrëzimin e Qeverisë Kurti”/ Analisti tregon se kush e nxorri PDK-në nga kontrolli- Si po keqpërdoren veteranët për interesa të Thaçit

Politika

“Skenar për rrëzimin e Qeverisë Kurti”/ Analisti tregon se kush e nxorri PDK-në nga kontrolli- Si po keqpërdoren veteranët për interesa të Thaçit

Nga: M.L. Më: 17 qershor 2022 Në ora: 09:35
Protesta e veteranëve

Pas një qetësie gati dy vjeçare që nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 skena politike e Kosovës duket sikur është trazuar ditëve të fundit.

Projektligji për ngritjen e pagës minimale ka lënë të pakënaqura disa kategori të shoqërisë, përfshirë këtu edhe veteranët e luftës.

Mos-përfshirja e veteranëve në këtë projektligj ka nxitur ata që të protestojnë për të kërkuar të drejtat e tyre.

Të njëjtit janë përkrahur edhe nga subjektet politike opozitare si PDK-ja dhe AAK-ja, ndërsa LDK-ja ka kërkuar nga Qeveria që të dialogojë për zgjidhjen e këtij problemi.

E krejt këtë situatë e konsideron si keqpërdorim të veteranëve, publicisti Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” e ka arsyetuar mendimin e tij duke thënë veteranët po keqpërdoren nga PDK-ja, me shpresën e krijimit të një precedenti sa më "të fortë", për rrëzimin e Qeverisë Kurti nga pushteti.

Qarri e ndërlidh këtë situatë edhe vizitën e kancelarit Scholz në Kosovë dhe kërkesën e tij për përmbyllje të dialogut me Serbinë e njohje reciproke gjëra të cilat hodhën poshtë idenë për ndarjen e Kosovës.

Vizita e kancelarit gjerman Olaf Scholz që i bëri Qeverisë së vendit në Kosovë, kërkesa e tij publike drejtuar Serbisë, se kusht për inkuadrim në BE, është njohja reciproke, si dhe votimi i raportit nga Komisioni i Parlamentit Evropian, që marrëveshja përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të përmbyllet me njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke hedhur në koshin e plehrave, aventurën tradhtare të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës dhe faljen e Veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste, ka nxjerrë tërësisht nga kontrolli PDK-në, eksponentët e të cilës edhe pas burgosjes së kuislingut Thaçi vazhdojnë të kërkojnë ndarjen e Kosovës.

Ndaj duke parë se në protestat e veteranëve, edhe sot u përsërit i njëjti skenar që ndodhi edhe para një jave, secili qytetar i Kosovës bindet vetvetiu se këtu nuk ka të bëjë fare me kërkesat e veteranëve dhe ato as që janë prioritet i njëmendtë i opozitës së inkriminuar, por veteranët po keqpërdoren nga partia e inkriminuar PDK, për vendosjen e hujeve të tyre politike, në plan të parë, me shpresën e krijimit të një precedani sa më "të fortë", për rrëzimin e Qeverisë Kurti nga pushteti”, shprehet Qarri.

Sipas tij, skenari protestës ishte i njëjtë edhe më 6 qershor, kur u pa hapur nga të gjithë qytetarët e Kosovës, se veteranët e janë të orkestruar nga elementët destruktive të PDK-së.

“Ata njëjtë si sot edhe para një jave u futën në oborrin e institucionit më të lartë ligjvënës të vendit dhe kërcënonin të futeshin brenda në Kuvend, duke kërkuar dështimin e mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës.

Habit fakti se më të zëshmit janë ata të cilët, në emër të luftës, në gjithë periudhën e pas çlirimit vodhën e zhvatën çdo gjë të këtij vendi, duke u bërë multimilioner për vete dhe lënë veteranët e vërtetë, njëjtë si dhe mbarë popullin e Kosovës në mjerim, ndaj kryeministri i vendit, bëri mirë që la takim me përfaqësuesit e veteranëve, më 17 qershor, në mënyrë që Qeveria të merret drejtpërsëdrejti me kërkesat e veteranëve dhe jo me fantazitë e propagandës së partive të inkriminuara, që për interesa të veta politike, e bëjnë gjithë këtë zhurmë të paprecedent në parlament.

Dhe ashtu siç tha edhe kryeministri këtu nuk është në pyetje mungesa e respektit as tendenca për të ndrydhur veteranët e vërtetë, por domosdoja e patejkalueshme për verifikimin e veteranëve të njëmendtë, gjë që kërkohet edhe nga qytetarët dhe mbarë shoqëria e vendit, deri te organet përkatëse të shtetit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Para gjendjes së krijuar edhe kryeministri Kurti deklaroi se është i gatshëm të bisedojë me kategoritë e dala nga lufta, në mënyrë që të arrihet deri te zgjidhja e këtij problemi, me verifikimin e numrit të saktë të veteranëve të vërtetë, pas të cilit do të përcaktohej me ligj edhe paga minimale e secilit prej tyre”, nënvizon ai.

Përndryshe, sipas Gani Qarrit është shumë tendencioze që kërkesat e opozitës së inkriminuar e cila është e mbushur përplot me kundërvajtës, shkelës të ligjit dhe milioner e multimilioner të kundërligjshëm, të merren në kallëp edhe nga OVL.

“Atëherë lind pyetja se e kujt është protesta; e opozitës apo veteranëve.

Edhe veteranët e njëmendtë , duhet ta dinë se elementët e inkriminuar të PDK-së dhe AAK-së, kanë filluar të ndihen të rrezikuar për vete, nga ligji për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, ndaj dhe nuk e kanë vetëm hallin e veteranëve, por për qëllime të veta, keqpërdorin protestën e veteranëve duke tentuar ta ndërprisnin edhe me forcë seancën e Kuvendit, me vendosjen e deputetëve të vet, përpara foltores, dy herë në të njëjtën ditë, madje përkundër propozimit të kryeministrit që nesër në ora 9 të takohet me përfaqësuesit e veteranëve, edhe ata kërcënuan se do të qëndrojnë para Kuvendit, deri kur të ndërpritet seanca.

Kjo dëshmon katërçipërisht se vërtetë veteranët janë të manipuluar nga partitë e inkriminuara dhe vet fakti se ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të OVL-së, u deklarua se nuk mund të pres deri nesër, por e do takimin që sot, duke tentuar ndërprerjen e seancës së Kuvendit, ashtu siç ka marrë porosi nga eksponentët e PDK-së, të cilët filluan ta bllokojnë foltoren e Kuvendit nga brenda, tregon se këta janë të dirigjuar dhe veprojnë sipas skenarit të opozitës së inkriminuar”, theksoi ai.

Ai shprehet se i gjithë ky sinkron opozitë- OVL vërteton katërçipërisht, se protestat janë orkestruar nga PDK, AAK etj.

“Shto kësaj faktin pasues, se protestës së veteranëve iu bashkua edhe sindikata e KEK-ut, ajo tani, duke kërkuar edhe tërheqjen e Trustit, që ishte kërkesë explicite e PDK-së dhe AAK-së, i gjithë ky sinkron opozitë- OVL vërteton katërçipërisht, se protestat janë orkestruar nga PDK, AAK etj, të cilat po përpiqen që me një të rënë të arrijnë dy goditje duke futur njëkohësisht në protestë me veteranët edhe sindikatën e KEK-ut, për të tërhequr parat e trustit, që tash e sa kohë, ishte kërkesë e eksponentëve të PDK-së dhe AAK-së, parti të cilat po manipulojnë edhe me veteranët e vërtetë, në mënyrë që pa verifikimin e listave të fryra nga PDK dhe AAK, ti parashtrojnë kërkesat e tyre, njëjtë siç kërkonin partitë e inkriminuara, kur dihet mirë situata e krijuar me mashtrimet marramendëse që janë bërë nga PDK dhe AAk në listat e veteranëve”, përfundoi publicisti Gani Qarri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat