Ndërrohet prokurori në rastin Elvis Pista, Prokuroria jep detaje të reja rreth vrasjes së tij

Politika

Ndërrohet prokurori në rastin Elvis Pista, Prokuroria jep detaje të reja rreth vrasjes së tij

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 qershor 2022 Në ora: 11:45
I ndjeri, Elvis Pista

Janë bërë 8 vite që nga vrasja makabre e Elvis Pistës, autorët nuk janë kapur ende nga drejtësia. Elvis Pista, ishte kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ai ishte goditur me armë zjarri nga mbrapa shpinës, pasi doli nga një festë me miqtë e tij. Dorasit thuhet se kishin pritur deri në ora 00:45 që të dilte nga restoranti – për t’ia marrë jetën.

Edhe 8 vite më pas vazhdon po e njëjta gjendje, ende asnjë informacion i ri thelbësor sa i përket kësaj vrasje.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Gjakovë për t’u informuar lidhur me këtë rast, nëse ka informacione të reja rreth kësaj vrasje. Në përgjigjen e saj zyrtare, nga prokuroria thonë se deri para tre muajsh ky rast është trajtuar nga prokurori i krimeve të rënda, Ali Uka, ndërsa tani rasti i ka kaluar një prokurori tjetër.

Prokuroria Themelore në Gjakovë: Ali Uka shkoi në pension, rastin po e trajton një tjetër prokuror

Image
Prokuroria Themelore-Gjakovë

 

“Rastin në lidhje me vrasjen e Elvis Pista, deri në mars 2022, e ka pasur në trajtim, prokurori i krimeve të rënda, z. Ali Uka. Pas pensionimit të tij tashmë lënda i kalon një prokurori tjetër, të këtij departamenti”, thotë për ‘Bota sot’, Yllka Shehu, zyrtare për informim në këtë institucion.

Ajo thotë më tutje, se prokurori i ri ka filluar trajtimin e këtij rasti duke ndërmarrë veprime hetimore dhe intervistimin e familjarëve të viktimës dhe dëshmitarëve.

“Deri më datën e lartcekur, prokurori i rastit, kohë pas kohe ka ndërmarrë disa veprime hetimore, duke përfshirë kërkesa për masa të fshehta, si dhe, intervistimin e familjarëve të viktimës e disa dëshmitarëve”, thuhet tutje.

Nga kjo prokurori thonë se do të vazhdojnë grumbullimin e dëshmive për të zbuluar këtë vrasje.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, pikërisht, prokurori i rastit, i udhëhequr nga Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, z.Buzhala, do të vazhdojë në grumbullimin e provave, për të zbuluar kryerësin e mundshëm të kësaj vepre penale”, thonë në përgjigje nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse ky rast do të zgjidhet tani e tutje nga prokurori i ri që po merret me këtë ҫështje.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ish zëvendësministër i MPB-së në qeverinë Bukoshi, flet për rastin e vrasjes së Elvis Pistës. Ai thotë se situata e krijuar që nga paslufta e deri më tani është një dëshmi e situatës së kriminalizuar që tani e pas luftës dhe mbi 22 viteve të lirisë, edhe tani është vështirë të besohet se shpejt mund të spastrohet kjo Kosovë në gjendjen që është tani.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava: Institucionet e deritanishme e kishin detyrë që të merren me zbardhjen e këtyre rasteve, por nuk u morën

“Si produkt i kësaj gjendje të krijuar me këto veprime kriminale, jo rastësisht edhe u krijua gjykata speciale në Hagë, që i ka këto raste si kompetencë me i zbardhur. Raste të vrasjeve të njerëzve eminent dhe që kanë dhënë kontribut edhe për çlirimin e vendit tonë, sikur që ishin luftëtarë me kontribute sikur komandant dhe ministër i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, komandant Drini, komandant Karadaku, komandant Tahir Zema, Isuf Haklaj, Sebahate Tolaj e shumë të tjerë, e që tani është vështirë që të gjithë të vrarët të ceken, e që deri më tani mjerisht as që pati ndonjë tentim serioz që të zbardhen këto raste, gjë që me këtë po lindin dyshimet se në këto vrasje kanë gisht ata që qëndruan në pushtet që nga paslufta e deri më tani, prandaj këto dhe shumë raste tjera të vrasjeve të njerëzve me kontribut nuk janë zbardhur”, vlerëson Tërnava.

Ai thotë më tutje se të gjitha institucionet e deritanishme që e kishin detyrë që të merren me zbardhjen e këtyre rasteve, e që nuk u morën me to, sidomos ata udhëheqës që qëndronin deri tani si kryesor në ato institucione që duhet t’i zbardhin këto raste, është e kuptueshme se ata nuk kishin interes për t’i zbardhur këto raste të rënda të njerëzve me kontribut sikur u cekën.

“Edhe shumë të tjerë që s’janë përmendur tani në këtë shkrim, e që ka edhe shumë të tjerë që edhe më tutje nuk u zbardhen vrasësit dhe urdhërdhënësit për këto vepra kriminale, prandaj ata që qëndruan në ato poste të larta e që ishin të obliguar t’i zbardhin ato raste, tani po nënkuptohet se ishin të dëgjueshëm të të mëdhenjve, prandaj dhe u emëruan në ato poste. Shteti i ynë nëse do të demokratizohet dhe don ta vazhdoj rrugëtimin drejt shteteve demokratike të BE-së, dhe në këtë shtet duhen të jetësohen ligjet demokratike, si kushte që e kanë edhe nga BE për anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare”, thotë ai.

Tërnava thotë më tutje se, njëra nga vrasjet enigmatike tani e sa vjet që nuk u zbardhë është edhe rasti i Elvis Pistës, si i vrarë ne Rahovec dhe në rrethana të habitshme ku kishte mjaft njerëz eminent të pranishëm.

“Ai u vra me armë shurdhuese sikur që është shpjeguar për opinionin, e që ishte një hendikep për të gjithë, sepse për këtë person të vrarë opinioni nuk ka pasur informacione se ka qenë person i padëshiruar apo që ka kontribuar kundër Kosovës, në të kundërtën njerëzit që e kanë njohur kanë folur vetëm fjalë të mira për të, e habia më e madhe ishte që në atë tubim ku është vra Elvisi, ka pasur njerëz të pranishëm eminent dhe pushtetarë që është dashur shumë shpejtë të zbulohet ky rast, prandaj janë të pranishme ato dyshime se kujt i ka penguar ky njeri, dhe mënyra e vrasjes së tij si e dyshimtë me armë shurdhuese.

Është për tu habitur fakti se si para se me ndodhë ky rast disa vjet para kësaj ngjarje në kabinetin e kryeministrit Thaçi ishin blerë armë dhe shurdhues, gjë që tani dyshimet e mënyrës së vrasjes të Elvisit po na i zgjerojnë dyshimet me këto armë shurdhuese, tani që u gjinden në kabinetin e ish-kryeministrit, e kur dihet se në atë vrasje, si mysafirë në atë tubim kishte edhe njerëz eminent shtetëror, prandaj institucioneve hetuese i propozohet që ta zgjerojnë pistën e hulumtimit edhe në këtë drejtim, meqë tani edhe gjykimi special i ka nën hetim si të dyshimtë personat për vepra të ngjashme në fjalë, që gjenden në Hagë, sepse ҫdo njeri i vrarë është obligim i qytetarëve dhe institucioneve të shtetit që t’i zbardhin këto raste, dhe me këto zbardhje do të ndikohet edhe në të ardhmen se kush të kryen vepra të tilla të vrasjeve-kriminale, gjithsesi se do të zbardhen dhe do të përgjigjen për ato vepra kriminale kushdo që i ka kryer ato edhe në të ardhmen, dhe të gjithë qytetarët para ligjit janë të barabartë pavarësisht pozitave që i kanë gjatë kryerjeve të atyre obligimeve që i kanë”, theksoi eksperti Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat