Klani “Pronto” dhe AAK po kërkon destabilimin e Kosovës / Kërkesat e veteranëve, qeveria t’i zgjidhë ligjërisht

Politika

Klani “Pronto” dhe AAK po kërkon destabilimin e Kosovës / Kërkesat e veteranëve, qeveria t’i zgjidhë ligjërisht

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 19 qershor 2022 Në ora: 11:33
Foto nga protesta e veteranëve të mbajtur më 16 qershor

Të enjten që lamë pas, veteranët protestuan para Qeverisë duke kërkuar rritjen e pagës minimale.

Të njëjtën kohë mbahej edhe seanca e Kuvendit të Kosovës, që pikë kryesore kishte tërheqjen e Trustit.

Mirëpo, edhe nga deputetët opozitarë ishte pothuajse e pamundur mbajtja e seancës. Ata ishin bllokues.

Akterë nga Qeveria kanë deklaruar se, shkëputja e pagës minimale e veteranëve ka ndodhur në vitin 2017. Që atëherë ata nuk bëjnë pjesë në ligjin e pagave.

Gjatë asaj dite, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar në takim krerët e OVL-UÇK-së, për të biseduar rreth kësaj çështje, por duke shtuar se listat e veteranëve duhet të pastrohen, sepse ka të tillë që marrin pagë pa qenë luftëtar fare. Ai u takua me përfaqësues të veteranëve të premten, por as në atë takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje mes palëve, por kryeministri u zotua se propozimin e qeverisë do t’ua dërgojë me shkrim atyre.

Por, si duhet të rrjedhë tutje çështja e veteranëve?

Kelmendi: Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së mund t'i vlerësojë vetëm gjykata kompetente në Kosovë

Image
Muhamet Kelmendi

 

Juristi Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” thotë se, çështjen e veteranëve të Kosovës, mund ta rregullojë vetëm një gjykatë kompetente, e që sipas tij, intervenimet nga Qeveria nëpërmjet Kuvendit janë anitligjore.

“Të drejtat e veteranëve të luftës dhe të invalidëve, përkatësisht statusin e kategorive të UÇK-së, nuk mund ta kufizojnë apo ta mohojnë organet e shtetit me akte administrative dhe as me ndonjë ligj të ri, pavarësisht të dhënave. Mohimi i të drejtave të dhëna me ligj ndalohen vetëm me aktgjykim të gjykatave dhe atë vetëm atëherë kur e merr verdikti fuqinë e plotë juridike.

Çdo intervenim nga Qeveria nëpërmjet Kuvendit për të bërë rivlerësimin e veteranëve të luftës së UÇK-së, të invalidëve dhe të drejtave të tjera, është antiligjor dhe në Gjykatën Kushtetuese e fiton çdo paditës të drejtën ligjore. Maksimumin e bëri sot pozita. E ndau me ligj pensionin e veteranit nga paga minimale në vend. Kjo është e pa drejtë. Nuk mund të injorohen kështu veteranët e UÇK-së”, thotë ai.

Tutje, deklaron se mosrregullimi me ligj të veçantë i çështjes së veteranëve nuk i jep të drejtë pozitës t’ua mohojë veteranëve të drejtat ligjore të realizuara.

“Mosrregullimi me ligj të veçantë të çështjes së veteranëve nuk i jep të drejtë pozitës t’ua mohojë veteranëve të drejtat ligjore të realizuara. Kategoritë e luftës së UÇK-së janë zgjidhur në ligj. Ato janë parimisht të pakontestuara. Ligjet mund të nxirren nga Kuvendi dhe Qeveria, ndërsa Kuvendi mund të krijojë edhe komisione, mirëpo, ato nuk mund të rivlerësojnë vendimet e nxjerra në bazë të ligjit. Këtë e bën gjykata me padi nga prokuroria.

Prandaj, del se forma juridike e Qeverisë së Kosovës që nëpërmjet intervenimit ligjor për të bërë rivlerësimin e kategorive të luftës dhe për të shkëputur pensionin nga paga minimale është kundër Kushtetutës së Kosovës. Ajo formë e punës vetëm krijon konflikte juridike në Republikë.

Kundër edhe duhet protestuar. Dihet se shqyrtimin e çdo lënde veç e veç e bëjnë prokuroritë në Kosovë dhe e vendosin gjykatat me aktgjykim”, shprehet juristi.

Në fund, Kelmendi deklaron se, për mos punën e gjykatave dhe prokurorive në vend duhet të përgjigjet Qeveria, duke shtuar se nëse kjo nuk ndodh, atëherë duhet të veprohet me masa të tjera siç është vettingu.

“Pse gjykatat dhe prokuroritë nuk po punojnë është çështje e pushtetit në vend. Natyrisht se Qeveria kërkohet të kujdeset për mirëvajtjen e sistemit. E nëse nuk funksionon, veprohet me masa shëruese. Është VETTING.

Këto masa nuk janë çështje të veteranëve dhe as të grupit punues që ka caktuar dhe vendosur për veteranët. Gjykatat kërkohet të ndërmarrin masa. Por, nëse prokurorët nuk paraqesin akuza kundër keqbërësve, gjykatat nuk kanë se si të veprojnë. Kush do të përgjigjet dhe sa do të jetë dënimi e përcakton Kodi Penal. Këtë kërkohet që gjykatat ta zbatojnë me përkushtim. Dëshira për të dënuar nuk është e mbështetur në shtet ligjor. Mund të paraqiten dëshira e dëshira, kërkesa e mbi kërkesa, por masa gjyqësore e gjykatës shqiptohet në bazë të ligjit dhe në emër të popullit. Mundësi tjetër juridiko-ligjore nuk ka”, përfundoi juristi për “Bota sot”.

Mehmeti: Qëllimi i tyre për destabilizimi e ka zanafillën tek klani "Pronto" akoma i fortë brenda PDK-së

Image
Faton Mehmeti

 

Nga ana tjetër analisti Faton Mehmeti thotë se nuk ka dilema më se veteranët janë vegël e PDK-së dhe AAK-së.

Sipas tij, qëllimi është destabilizimi i vendit.

“Tanimë s’ka dyshim se veteranët janë vegël e PDK-së dhe e AAK-së, si të tillë e kanë humbur respektin që e kanë pasur. Veteranët nuk protestonin sa ishte PDK-ja në pushtet, edhe pse kushtet i kishin edhe më të rënda. Kështu që, qëllimi i tyre për destabilizim e ka zanafillën tek klani "Pronto" akoma i fortë brenda PDK-së”, thotë Mehmeti.

Ai thotë se veteranët duhet të çlirohen nga ndikimi politik, të kthehen tek populli nga ku kanë dal.

“Fatkeqësisht, veteranët nuk arritën të shmangen nga ndikimet politike, duke u katandisur si mos më keq. Shpresoj që veteranët të çlirohen nga ndikimi politik, të kthehen tek populli nga ku kanë dal”, përmbylli analisti Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat