Arrestimet e Speciales dhe skenari për rrëzimin e Albin Kurtit/ Paralajmërohet verë e ‘nxehtë’ në Kosovë

Politika

Arrestimet e Speciales dhe skenari për rrëzimin e Albin Kurtit/ Paralajmërohet verë e ‘nxehtë’ në Kosovë

Nga: P.R. Më: 19 qershor 2022 Në ora: 18:18
Albin Kurti dhe Faton Klinaku

Protestat e dhunshme janë rikthyer në Kosovë. Këtë herë kanë qenë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata të cilët para disa javësh u përplasen me policinë e Kosovës. Ndërsa të Enjten, veteranët protestuan përsëri, por tash në mënyrë të qetë për të kërkuar që edhe ata të përfshihen në ligjin për rritjen e pagës minimale.

E në përgjigje të kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar udhëheqësit e OVL-së së UÇK-së, ku ka kërkuar njëherë pastrimin e listave te veteranëve, e pastaj përfshirjen në ligjin për rritjen e pagës minimale. Por kjo gjë po kundërshtohet kategorikisht nga OVL e UÇK-së.

Dyshime për qëllimet e protestave të veteranëve të UÇK-së, po hedh edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Qarri thotë se veteranët po synojnë destabilizimin e vendit, me qëllim të rrëzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Image
Gani Qarri

Në fakt në janar të vitit 2016, në vend të rritjes, ishte shkurtuar buxheti për pensionet e veteranëve të luftës, nga 24 milion euro në vetëm 5.5 milion, me arsyetimin për numër të madh të tyre dhe aplikuesve për pensione, por atëherë OVL shprehej se i takon shtetit, si për çdo shkelje tjetër të marrë masa adekuate ligjore edhe për çështjen e veteranëve, kurse tani ushtruesi i detyrës së udhëheqësit të OVL-së, jo vetëm kundërshton, që verifikimin e numrit të veteranëve ta bëjë Komisioni qeveritar, por në bisedime me kryeministrin, si përfaqësues të veteranëve dërgon edhe njerëz të dënuar me nga disa vite burg, për haraq dhe plaçkë me detyrim. Vet kjo dëshmon se për Klinakun & Co nuk janë në pyetje pagat e veteranëve, por qëllimi i tyre kryesor, është të përçojnë porosinë për destabilizimin e vendit dhe rrëzimin e Qeverisë Kurti, vetëm pse ai mbron Kosovën nga bosnjëzimi dhe ndarja, për të sjellë në pushtet një kryeministër nga partitë e inkriminuara me zëvendëskryeministër të parë Goran Rakiqin, për përligjen e faljes së veriut të vendit tonë Serbisë hegjemoniste dhe ndarjen e Kosovës, ashtu siç kërkonte kuislingu Thaçi para se të arrestohej nga Gjykata Speciale e Hagës”, shprehet Qarri.

Sipas tij, ndarjen e Kosovës po e kërkojnë edhe eksponentë brenda PDK-së.

Madje këtë mjerisht e vërteton edhe fakti i hidhur, se aktin tradhtar të ndarjes së Kosovës, siç janë në dijeni të gjithë qytetarët e vendit, edhe pas burgosjes së Thaçit, vazhdojnë ta kërkojnë publikisht eksponentët e dyshimtë të PDK-së, si Vlora Çitaku, Ramë Buja e ndonjëherë edhe Enver Hoxha, i cili jo fort moti, deklaronte pa asnjë ekuivokë, se do të kërkonte azil politik në Beograd, po fitoj UÇK, në Kosovë dhe sot megjithatë, ai qëndron në kryesinë e kësaj partie të tejinkriminuar”, thekson Qarri për “Bota sot”.

Për aq më tepër, dërgimi i njerëzve të dënuar me burg për haraq, si Bajram Mehmetaj, nga Klinaku & Co në takim me kryeministrin, për të diskutuar për pagën minimale të veteranëve, jo vetëm që është shumë i rëndë e cinik por edhe tepër nënçmues për vet veteranët e njëmendtë, të cilët nuk e kanë qëllimin t;i vendosin haraq Begjet Pacollit as ta plaçkitin Jahja Llukën, si personi i dënuar që Klinaku, pa fije turpi dhe konsiderate, e qoi t’i “përfaqësonte” veteranët te kryeministri, por ata duan dhe duhet medoemos të përfaqësohen në mënyrë dinjitioze, ngase nuk janë hajna as plaçkitës dhe e kanë vetëm hallin e mbijetesës së vet dhe të familjeve të tyre me pagat reale dhe të merituara”, deklaron ndër tjerash analisti Qarri.

Më tej, ai thotë se protestat e veteranëve janë të orkestruar nga SHIK-u dhe PDK.

Kështu që përderisa kuleta e shtetit të Kosovës vazhdon të mbetet në dispozicion për pagesat e stërmëdha, disa dhjetëra milionëshe, të avokatëve dhe familjarëve të të akuzuarve për krime në Hagë duke ua hequr të gjitha shpenzimet, për shumën e të cilave shteti mban çdo gjë të fshehur nga qytetarët dhe nuk bënë asgjë transparente për popullin e Kosovës, duke i konsideruar të gjitha konfidenciale, protestat e veteranëve, janë orkestrime të projektuara me kujdes nga SHIK-u dhe PDK, duke mos u munguar as ndihma e Ramës dhe Vuçiqit, për rrëzimin e Qeverisë Kurti nga pushteti dhe destabilizimin e gjendjes politike në vend”.

Arsye tjetër sipas Qarrit pse po ndodhin protestat e veteranëve, është edhe pengimi i punës së Gjykatës Speciale, e cila sipas tij, pritet të nis arrestime të reja.

Paralajmërim i një vere tejet të nxehtë politike në Kosovë, që duket se bëhet edhe me qëllim të pengimit të punës së Gjykatës Speciale në Hagë, me shpresën se po arriti PDK me ndihmën e dyshes aleate Rama-Vuçiq, realizimin e ndarjes së Kosovës, për çka, në shenjë shpërblimi, nëse është e vërtetë, përfolja e kuloareve, tanimë kanë arritur një numër dokumentesh lehtësuese nga Serbia për të akuzuarit në Hagë, do të mund të arrijnë ti lirojnë më lehtë nga burgu edhe Thaçin & Co, para se ata të marrin dënimet e prera me shumë vite burg nga Gjykata Speciale”, thekson Qarri.

Ai shton se konfirmimi i mbështetjes nga Komisioni i Venecias për konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe Vettingut në Kosovë, ka vënë në siklet elementët e inkriminuar në PDK, AAK dhe Nisma.

Kështu që duke pasur parasysh edhe faktin e konfirmimit të mbështetjes së Komisionit të Venecias për konfiskimin e pasurive të paligjshme dhe Vettingut në Kosovë, akt që është pritur dhe vërtetë i ka vënë në siklet të papërshkrueshëm elementët e inkriminuar në PDK,AAK,NISMA etj, protestat e grupit të Klinakut e Jasharit & Co, nuk kanë të bëjnë asgjë me pagën e veteranëve të luftës, por në të vërtetë Klinaku & Co, po përpiqen ta bëjnë, atë që nuk arrin ta bëjë "Lista srpska" dhe partitë e inkriminuara, pra rrëzimin e Qeverisë Kurti, në mënyrë që ato mundësisht ta realizojnë ndarjen e Kosovës, ta pamundësojnë konfiskimin e pasurive të paligjshme, si dhe ta parandalojnë zbatimin e Vettingut në drejtësi”.

Pasi që prokurorët dhe gjykatësit e një drejtësie të reformuar, nuk do të jenë më në dispozicion të tyre si deri më tani, por do të detyrohen të hulumtojnë mënyrën e grumbullimit, vendndodhjen e sasinë, si dhe t’i lëshojnë urdhrat për arrestimin e të dyshuarve e konfiskimin e pasurive të kundërligjshme të multi-milionerëve dhe udhëheqësve të inkriminuar, numri më i madh i të cilëve, siç dihet qysh moti, vijnë pikërisht nga partitë e inkriminuara PDK, AAK, NISMA, e partitë tjera, grupet dhe personat e involvuar në korrupsion e krim të organizuar, për të cilët, përfundimisht ka ardhur koha, që ti paguajnë edhe faturat”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat