Prokuroritë dhe gjykatat heshtën mbi 20 vjet/ Pse nuk po ndëshkohen krimet serbe për dhunimet gjatë luftës në Kosovë?

Politika

Prokuroritë dhe gjykatat heshtën mbi 20 vjet/ Pse nuk po ndëshkohen krimet serbe për dhunimet gjatë luftës në Kosovë?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 21 qershor 2022 Në ora: 12:21
Krimet serbe në Kosovë

Kriminelët serb të padënuar ende për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, mbeten temë e ndjeshme diskutimi për vendin tonë.

Mos dënimi i këtyre krimeve po arrin të sjellë pakënaqësi ende tek familjet e prekura nga këto raste.

Mirëpo, sipas informacioneve në Prokurorinë Speciale të Kosovës janë 45 raste që kanë të bëjnë me krime të dyshuara seksuale gjatë luftës.

Sipas të dhënave nga janari i këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pasur në proces mbi 1250 raste të krimeve të luftës, përfshirë raste të dhunës seksuale.

“Ka shumë raste që nuk kanë përfunduar kurrë në gjykatë”

Duhet përmendur që deputetja, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka qenë gruaja e parë që ka dalur publikisht për të kërkuar drejtësi, si e mbijetuar nga dhuna seksuale në luftën e Kosovës.

Dy personat e akuzuar për dhunimin e saj, Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq, janë liruar nga Gjykata Supreme në Kosovë në vitin 2014, me arsyetimin se “përshkrimet e autorëve të krimit janë të përgjithshme dhe të paqarta” dhe se ato “nuk mjaftojnë që të arrihet përfundimi - përtej dyshimit të bazuar - se të pandehurit në këtë rast, kanë qenë ata që kanë kryer veprat penale”.

Kujtojmë që një projekt-rezolutë e hartuar së fundi nga kongresistët amerikan, Colin Allred, që i bën thirrje SHBA-së të nxisë përndjekjen e krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99, po shihet si mundësi për përparim në këtë drejtim.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai u shpreh se përdhunimet janë një nga krimet më të rënda dhe se nuk duhet të mbetet në heshtje pasi që Serbia duhet të jep përgjegjësi penale.

“Në krimet e bëra në fushën e krimit seksual hyjnë përdhunimit e bëra të nënave, të motrave e të burrave shqiptarë nga kriminelët serbë gjatë luftës në Kosovë. Këto janë krimet më të rënda, e ku fare nuk është dhënë përgjegjësi penale të kriminelëve serb dhe të shtetit. Shumë raste kanë mbetur në heshtje, sepse nuk janë paraqitë, si bazë e ruajtjes së nderit familjar. Serbia nuk ka vullnet politik për t’i hetuar këto raste. Lënia në kompetencë të organeve serbe e përgjegjësisë penale është mos përgjegjësi për dhunën, për përdhunimet dhe gjenocidin serb në Kosovë”, shprehet juristi.

Kelmendi më tej përmend disa nga shkaqet e papërgjegjësisë, që po vazhdon, dhe si pasojë po mbesin të mos dënohen krimet e atilla.

“Shkaqet e mospërgjegjësisë janë të nduarnduarshme:

1. Mungesa e vullnetit të faktorëve vendosëse në botë që Serbia të përgjigjet për çdo krim, këtej edhe për përdhunimet e bëra gjatë luftës në Kosovë.

2. Mos ndërtimi i një gjykate në Den Hagë të veçantë për krimet serbe të bëra gjatë luftës.

3. Bashkëpunimi i faktorit ndërkombëtar, si të BE, të shteteve dhe të SHBA-ve me Serbinë, si formë e ruajtjes së paqes në Ballkan, me përgjegjësitë e dyshuara për dhunë dhe për krime seksuale.

4. Mungesa e vullnetit nga të përdhunuarit në paraqitjen e rasteve të përdhunimit seksual të bërë gjatë luftës.

5. Mos ndërtimi me kohë dhe me kuadro të mjaftueshme profesionale i organeve që merren me këtë krim në Kosovë.

6. Ndikimi i thellë i të drejtës zakonore shqiptare në shoqëri.

7. Dëshira e familjeve shqiptare për të ruajtur nderin dhe familjen nga këto krime, duke i mbyllur në vetvete krimet seksuale të bëra. Me siguri ka edhe shumë shkaqe që ndikojnë në mos përgjegjësi. Dhe, sigurisht se do të mbesin me mijëra raste pa u zbuluar dhe pa u marrë në përgjegjësi autorët e krimit”, shpjegon juristi.

Ndër të tjera, ai thotë që Kosova duhet ta padisë Serbinë për krime lufte e gjenocid dhe kjo çështje të shtrohet edhe në Kuvend.

“Megjithatë i takon Kosovës të padisë Serbinë për krime, për përdhunime e për gjenocide pranë organeve ndërkombëtare. Mirë është që kjo çështje të shtrohet edhe në Kuvend për diskutim e për nxjerrje të një rezolute”, tha Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Secili krim duhet të ndëshkohet

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi tjetër, Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se duhet të hyjnë në procesin e ndëshkimit të gjithë ata që kanë kryer vepra penale, prokuroria dhe gjyqësia duhet të marrin masa në këtë aspekt.

Ai kërkon që të mos mbetet asnjë krim i pandëshkuar.

“Kjo është çështje e prokurorisë dhe gjyqësisë, ku parimi themelor i drejtësisë është ndëshkimi i të gjithë atyre që kanë kryer vepra penale që në një procedurë të rregullt gjyqësor shpallet fajtor. Pra, secili krim duhet të ndëshkohet, nuk mund të ketë krim të pa ndëshkuar”, thekson juristi.

Ai nënvizon që serbët që kanë kryer vepra penale duhet të ndiqen nga autoritetet e Kosovës dhe të ndëshkohen nga prokuroria.

“Prokuroria e Kosovës dhe gjyqësia duhet të ishin efikase dhe të ndëshkonin apo të ngritnin padi kundër personave të dyshuar. Po ashtu të gjithë serbët që kanë kryer vepra penale duhet të ndiqen nga autoritetet e Kosovës”, thotë ai.

Sipas Burjanit Prokuroria Speciale në Kosovë duhet të jetë shumë më aktive dhe të mos lë askë pa e ndëshkuar për krimet e dhunës seksuale, në këtë rast.

“Të gjithë ata që kanë kryer krime dhunime seksual dhe vepra të tjera penale duhet të ndëshkohen, pra prokuroria duhet të jetë aktive”, foli Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat