Lufta ruse në Ukrainë do të shkaktojë Luftën e tretë botërore?!/ Kosova dhe Shqipëria të rrezikuara nga një luftë e re

Politika

Lufta ruse në Ukrainë do të shkaktojë Luftën e tretë botërore?!/ Kosova dhe Shqipëria të rrezikuara nga një luftë e re

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 qershor 2022 Në ora: 12:01
Pamje nga lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e pestë, që kur ka filluar pushtimi rus i Ukrainës. Kësaj lufte nuk po i shihet fundi, ndërsa ka parashikime dhe skenarë të ndryshëm.

Pas sukseseve të para Rusia pësoi humbje të mëdha në përpjekjet e saj për pushtimin e tërë Ukrainës. Pas atyre humbjeve ajo u tërhoq drejt lindjes, dhe që nga atëherë është e përqendruar ta pushtojë krahinën e madhe (jo administrative) të Donbasit, një rajon që kufizohet me Rusinë, por edhe që shquhet për pasuri minerare dhe të tjera.

Po ashtu në këtë rajon shtrihen dy krahinat administrative Luhani dhe Donetski, të cilat edhe para pushtimit rus ishin në luftë me forcat qeveritare, të mbështetura nga Rusia me qëllim të ndarjes si shtete më vete nga Ukraina.

Ukraina po i vazhdon përpjekjet dhe drejtuesit e saj janë zotuar për çlirimin e gjithë territorit ukrainas, pavarësisht pësimeve të mëdha ekonomike, industriale, në infrastrukturë etj, dhe krimeve kundër njerëzimit që po i kryen Rusia.

Rusia dje goditi me raketa një qendër tregtare në Kremenchuk, i cili po cilësohet si një sulm terrorist shtetëror nga Perëndimi.

Këto krime dhe të tjera, që mund të rriten nga përdorimi edhe si sulmeve më intensive, e kanë shtyrë NATO-n, që gati të tetëfishojë forcën e reagimit të shpejtë, nga 40 mijë trupa në 800 mijë.

Po ashtu, shefi i NATO-së, Jens Stoltenberg para pak ditësh ka thënë se kjo luftë e Rusisë ndaj Ukrainës mund të zgjasë dy vjet.

Intensifikimi i luftës në Ukrainë, dhe rritja kaq e madhe e forcave të NATO-s, a janë shenja se edhe Kosova duhet të marrë masa përgatitëse për një rrezik të ri.

Duke pasur parasysh këtë, a janë Kosova dhe Shqipëria, të rrezikuara nga një lufte re? A ekziston mundësia e përshkallëzimit të dhunës ushtarake në Kosovë apo një sulm prej Serbisë në veri, nëse lufta zgjatë në një periudhë të gjatë kohore?

Nëse Britania po përgatitet për luftë tokësore me Rusinë, çka nënkupton kjo apo si do të ndikojë në strategjinë europiane, të Ballkanit (Perëndimor), dhe në Kosovë?

Gjenerali Sir Patrick Sanders, komandanti i ri i ushtrisë, tha se sulmi gjakderdhës i Vladimir Putinit mbi Ukrainën kishte tronditur themelet e sigurisë globale.

“Tani ekziston një imperativ i zjarrtë për të krijuar një ushtri të aftë për të luftuar përkrah aleatëve tanë dhe për të mposhtur Rusinë në betejë. Unë jam shefi i parë i Shtabit të Përgjithshëm që nga viti 1941 që merr komandën e Ushtrisë nën hijen e një lufte tokësore në Evropë që përfshin një fuqi kontinentale. Shkalla e kërcënimit të qëndrueshëm nga Rusia tregon se ne kemi hyrë në një epokë të re pasigurie. Ne duhet të rishikojmë disa nga shkurtimet e bëra në qëndrimin tone të mbrojtjes konvencionale në rishikimin e fundit të integruar”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë ҫështje, sa i përket rrezikut të mundshëm në Kosovë dhe Shqipëri ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava. Ai thotë se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është rrezik që mundet edhe me u zgjeru në tjera shtete, prandaj edhe Kosova dhe Shqipëria munden të përfshihen në ato lufta, e sidomos kur dihet që Kosova është në situatë të tillë konfliktuoze që nga lufta e viteve 1999 me Serbinë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Situata si mundësi e zhvillimit të luftërave tjera varet prej të fortëve të botës, e sidomos ndoshta në këtë rast më së shumti nga Rusia, e cila tani e gjendur në këtë situatë kur 95% e shteteve demokratike i kanë vënë sanksionet asaj, për me e përqendruar vëmendjen e mundësisë të përhapjes së luftës që mund të ndodhë, e që të filloj edhe lufta e tretë botërore, edhe shteti i ynë por edhe Shqipëria gjithsesi janë në situata ku munden të përfshihen në luftëra. Nëse përfshihet Shqipëria në ndonjë luftë, kjo nënkupton se edhe Kosova do të përfshihet në luftë, dhe e kundërta e kësaj, dhe mënyrat e fillimit të luftërave janë të mundshme në shumë pikëpamje duke u shfrytëzuar konflikti në veri nga ana e Serbisë, e që aty deri më tani ekziston konflikti i heshtur mes këtyre dy shteteve, dhe Serbia e cila deri më tani nuk është distancuar nga lufta që po e zhvillon Rusia ndaj Ukrainës, e cila edhe sanksione nuk i ka vënë fare Rusisë, si i vetmi shtet në Europë deri më tani”, vlerëson Tërnava.

Ai thotë më tutje se nëse vetë Rusia e vlerëson shtetin e Shqipërisë që të sulmohet për shkaqe që ata i dinë dhe të fillohet me një luftë të tretë botërore, meqë Shqipëria tani është në NATO, është e kuptueshme se në këtë luftë shtetet anëtare të NATO-s do të jenë të bashkuara dhe do t’i kundërvihen atij sulmi nga kushdo që vjen, por në atë rast mund të konstatohet se ka filluar lufta e tretë botërore.

“Nëse lufta e Rusisë me Ukrainën vazhdon dhe mund të zgjate me vite të tëra, kjo luftë mund të zhvillohet në dëm të Rusisë, sepse populli i saj do t’i shpreh ato pakënaqësi të kësaj lufte sikur që është duke i shpreh në forma të ndryshme edhe tani, dhe një luftë që do të zgjatë shumë do ta devalvoj shtetin e Rusisë, i cili shtet është llogaritur deri më tani si fuqi botërore, dhe kur lufta të zgjatë shumë, në atë shtet mund të shprehen pakënaqësi në mënyra të ndryshme qoftë edhe me dezertime ushtarake apo të pjesëmarrësve në luftë, apo demonstrata të qytetarëve të cilët edhe tani nuk janë të kënaqur me këtë luftë sepse tani në ato shtete gjithçka ka ndryshuar për të keq, si shkak i kësaj lufte mes këtyre dy shteteve, dhe në këtë pikëpamje mundet të ndodhë edhe një grusht shtet në Rusi, apo edhe të vie deri te shkëputjet e atij zinxhiri të shteteve ruse që ishin deri tani si të bashkuara, prandaj nëse janë vlerësimet e tilla që vijnë nga autoritete të ndryshme të NATO-s për këtë, se lufta mund edhe të zgjatet me vite, ato supozime mund të jenë të sakta, por për këtë do ta dëshmojë koha në të ardhmen”, vlerëson eksperti i sigurisë për ‘Bota sot’.

Image
Skënder Mulliqi

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi thotë se, pushtimi i Ukrainës nga trupat ruse, ka shkaktuar krizën më të keqe të sigurisë në Evropë. Kemi analiza të ndryshme për luftën në Ukrainë, se sa do të zgjasë lufta, kush do ta fitojë, dhe a ka mundësi që kjo luftë të bëhet botërore?

“Situata në terren po ndryshon dita ditës dhe kjo po e bën këtë luftë të pa paparashikueshme dhe të rrezikshme për paqen në botë. Ukraina po reziston dhe nuk ka si ndryshe se ukrainasit po e mbrojnë shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, kurse Rusia po bën luftë pushtuese në emër të kauzave të rreme politike. Për këtë arsye edhe ka mundësi reale që diktatori famëkeq Putin të tërhiqet me turp, kur dihet se Ukraina edhe po furnizohet me ndihma ushtarake nga shtetet e NATO-s. Se a do të dalë ky solucion që është më së afërmi, apo do të arrijë Rusia të mposhtë ushtarakisht këtë shtet duke e zëvendësuar pushtetin legjitim të Zelenskyt, me një pushtet kukull, kjo mbetet të shihet”, thekson Mulliqi.

Ai thotë më tutje se regjimi i Kremlinit po dobësohet edhe nga sanksionet ekonomike dhe politike të rrepta të botës perëndimore.

“Humbja e luftës të Rusisë, automatikisht do të tërhiqte pakënaqësi të mëdha, duke e dobësuar regjimin autokratik të Putinit, deri në largim. Parashikimet e ekspertëve ushtarak dhe të kreut të NATO-s se lufta mund të zgjatë dy vite apo më shumë, ka shtuar dronë, se gjatë kësaj kohe, edhe mund të eskalojë një luftë me përmasa shumë më të mëdha. Bombardimet ruse në kufi më Poloninë kanë rritur tensionet për një ekskalim të tillë të mundshëm edhe në shtetet për rreth. Varësisht prej situatës në terren të luftës në Ukrainë, Putin edhe do të marrë hapa të rinj, duke tentuar të kthej ndikimin e humbur të kohës së Luftës të Ftohtë, në shtetet e Lindjes, por edhe më gjerë në Evropë, dhe në Ballkan”, thotë ai.

Mulliqi ndër të tjera thotë se edhe Kosova dhe Shqipëria nuk bëjnë përjashtim nga rreziku i luftës, kur dihet së Rusia po bashkëpunon në këtë drejtim me aleatin e saj natyror Serbinë, e cila nuk ka hequr dorë nga pushtimi i Kosovës dhe të tokave shqiptare përgjithësisht.

“Ky shtet është duke na kërcënuar në veri të vendit me ndërhyrje ushtarake krejt pasluftën, duke e instrumentalizuar minoritetin serb në këtë drejtim. Një fitore eventuale e luftës të Rusisë në Ukrainë, do tu jepte atyre krahë për ndërhyrje ushtarake edhe në shtetet ballkanike. Skenari më i rrezikshëm për të ardhmen e Evropës dhe rendit global, është ai në të cilin konflikti në Ukrainë, krijon terrenin për një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak midis NATO-s dhe Rusisë. Ka solucione që nuk duhet përjashtuar, por vështirë është e besueshme që NATO-ja do të lejojë aventurat e tilla të Putinit në këtë pjesë ndoshta më neuralgjike dhe më strategjike në Evropë”, theksoi Mulliqi për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat