Informacioni sekret për strukturat ilegale serbe alarmon vendin, eksperti i sigurisë kërkon reagim të menjëhershëm

Politika

Informacioni sekret për strukturat ilegale serbe alarmon vendin, eksperti i sigurisë kërkon reagim të menjëhershëm

Nga: A.M Më: 30 qershor 2022 Në ora: 17:45
Policia e Kosovës në veri

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se gjendja e përgjithshme në vend është stabile.

Ajo pas raportimit të drejtorit të këtij institucioni, Petrit Ajeti ka njoftuar se situata më e brishtë është në komunat veriore, ku Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë.

“Shteti i Serbis ka angazhuar strukturat e saj ilegale për të monitoruar strukturat e sigurisë së Kosovës”, tha deputetja e PDK-së.

Këto deklarata të Musliut i komentoi eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se në pozitën që gjendet Kosova, policia, FSK, gjyqësia dhe AKI duhet të jenë në gjendje gatishërie për çdo moment.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

“Gjendja e sigurisë në të cilën tani gjendet Kosova, ua imponon institucioneve të sigurisë të Kosovës sikur që janë policia, gjyqësia, FSK, dhe AKI që ta kenë situatën e sigurisë nën kontroll, dhe gjithnjë të jenë në hap me kohën dhe sa më shumë të jenë të pranishëm në tërë territorin e Kosovës që ta ushtrojnë ligjet e shtetit tonë.

Sidomos në ato raste potenciale ku munden që të eskalojnë situatat e sigurisë, aq më shumë do të jenë efektive si në preventive ashtu edhe në kompetencat e zbatimit të ligjit aty ku ushtrohet ndonjë veprim antiligjor kundër vendit tonë, e sidomos për mundësinë e luftimeve të atyre angazhimeve armiqësore që i bëjnë shtetet e orientuara armiqësisht ndaj shtetit tonë, prandaj vetë prania e shërbimeve të sigurisë në të gjitha poret e territorit të Kosovës, i pamundëson ato aktivitete të shteteve që s’ja dojnë të mirën shtetit tonë”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Më tej, Tërnava potencoi se Musliu do duhej të raportonte në Kuvend për këtë informacion sekret dhe shumë të ndjeshëm për sigurinë e vendit.

“Kryetarja e Komisionit parlamentar për mbikqyrjen e AKI-së Ganimete Musliu paska deklaruar se Serbia ka angazhuar mekanizmat e saj ilegale për të monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë. Nga ai post që është e ngarkuar në Parlamentin e Kosovës, Musliu do duhej të deklarohej pasi i paska ato informacione që Serbia i ka angazhuar mekanizmat e saj ilegal për ta monitoruar aktivitetin e strukturave të sigurisë në Kosovë.

Prandaj, nga ai parlament ajo është dasht ta informojë opinionin se çfarë masa kanë ndërmarrë në parandalimin e atyre veprimeve armiqësore të një shteti si Serbia që brenda territorit të Kosovës i ushtron ato veprime ilegale. Kësisoj shërbimet tona në fjalë që e kanë profesionin e luftimeve të dukurive të tilla armiqësore, e sidomos kur ato dukuri zhvillohen brenda shtetit tonë në mënyr ilegale, e kur profesionistët e atyre shërbimeve tona që i kemi e që paguhen për ato kompetenca të veprimeve që ua lejon ligji, ishte dashur që t’i ndërmarrin autorizimet legale ndaj veprimtarëve të tillë që e kanë të ndaluar një veprimtari të tillë brenda Kosovës”, konsideroi ai.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, eksperti i sigurisë se do ishte shumë më mirë nëse Musliu do dilte të deklaronte se në këtë rast ka tër arrestuar për veprimtari ilegale në Kosovë.

“Një përfaqësuese nga ai post në Parlamentin e Kosovës do të ishte e respektuar dhe autoritative sikur të kishte njoftur se AKI apo shërbimet tjera i kanë arrestuar ata persona që janë angazhuar ilegalisht kundër shtetit të Kosovës, do të ishte një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, sepse me këtë do të nënkuptoheshin kompetencat e shërbimeve tona dhe aftësitë e tyre që në vepër i kanë ndërmarrë ato kompetenca ligjore që ua lejon ligji ndaj atyre dhe të gjithë të tjerëve kush i shkel ligjet e Kosovës.

Kjo do të ndikonte në mënyrë preventive edhe për të tjerë që askujt si lejohen veprime të tilla në shtetin tonë. Institucionet e shtetit tonë që e kanë në kompetencë luftimin e të gjitha të kqijave që i bëhen ndaj këtij shteti si brenda apo edhe jashtë tij, e kanë për detyrë që brenda kompetencave që ua lejojn ligjet t’i ndërmarrin ato veprime legale si masë preventive të ruajtjes së pavarësisë dhe kushtetuteshmërisë të shtetit tonë Kosovë”
, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat