“Presione ndaj Kosovës në tavolinën e madhe të BE-së”, Kurti tregon pse BE-ja nuk po i heq vizat

Politika

“Presione ndaj Kosovës në tavolinën e madhe të BE-së”, Kurti tregon pse BE-ja nuk po i heq vizat

Nga: A.ZH Më: 30 qershor 2022 Në ora: 21:08
Albin Kurti

Bashkimi Evropian nuk mori asnjë vendim lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, në Samitin e mbajtur javën e kaluar në Bruksel.

Në këtë Samit, nuk ishte në agjendë heqja e regjimit të vizave për Kosovën, megjithëse pati mbështetje politike.

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se ky është një vendim politik. Sipas tij, nuk ka të bëjë me plotësime e kushteve, të cilat Kosova i ka përmbushur që nga viti 2018.

Image
Faton Kurti

“Edhe pse sipas Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit vazhdon të qëndrojë prapa vlerësimit nga korriku i vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave i vitit 2012 - Kosovës prapë ju refuzua liberalizimi i vizave. Ky vendim i padrejtë i BE-së ndaj Kosovës na bën të qartë se ky vendim është politik dhe nuk ka fare të bëjë me plotësimin e kushteve!”, është shprehur Kurti.

Ai ka përmendur shtetet, të cilat BE-ja i pranoi në gjirin e vet, megjithëse nuk i patën plotësuar kushtet, por u anëtarësuan në BE, për arsye politike dhe gjeostrategjike. Sipas tij, Kosova nuk paraqet asnjë interes politik për BE-në.

“Shtete si Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria atëkohë nuk i patën plotësuar kushtet për tu bërë pjesë e BE-së, por të gjitha këto shtete u pranuan në BE! Vendimi për ti pranuar këto shtete në BE ishte puro politik dhe gjeostrategjik sepse të gjitha këto shtete kufizohen me Rusinë dhe janë një barrierë e mirë në rast të një konflikti ushtarak me Rusinë. Si duket Kosova nuk paraqet asnjë interes politik apo gjeostrategjik për BE-në dhe për këtë arsye BE e luan kartën e mbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave”, ka thënë më tej kryetari i Republikanëve të Kosovës.

Duke përmendur emigracionin masiv në Kosovë, të cilin sipas tij, po e përdorin Gjermania dhe Franca, Faton Kurti vlerëson se kjo është absurde. Ai ka theksuar se Gjermania vuan për punëtorë profesionistë.

“Franca dhe Gjermania po përdorin edhe argumentin se në rast të liberalizimit të vizave këto dy shtete do të përballen me një emigracion masiv nga Kosova, ky argument është absurd sepse Gjermania në vitet e fundit ka pranuar më shumë se 2 milionë Irakianë, Sirianë dhe Afganë. Të gjithë këta emigrantë nuk u pranuan për çështje humanitare, por për shkak se 40% të industrisë Gjermane vuan për punëtorë profesionistë dhe mjeshtër. Sipas një hulumtimi aktual për shkak të popullatës Gjermane të stërmoshuar dhe rënies drastike të natalitetit, Gjermanisë i duhen 1 milionë emigrantë në vit për të plotësuar rënien e natalitetit dhe për të plotësuar nevojat e biznesit dhe industrisë me punëtorë. Këto argumente edhe njëherë na bëjnë të qartë se mos liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është thjesht politik”, ka potencuar më tej Kurti për “Bota sot”.

Ai mendon se BE-ja, çështjen e vizave po e përdor për presion “të padrejtë” ndaj Kosovës, për marrëveshjen me Serbinë.

“Sipas mendimit tim, BE mos liberalizimin e vizave do ta shfrytëzojë si instrument të presionit ndaj Kosovës për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Ndonëse e vogël, Kosova mbahet si asi nën mëngë për presione në tavolinën e madhe të interesave gjeostrategjike. Edhe më parë Kosova i është nënshtruar dorëzimit të interesave të veta sovrane dhe territoriale në këmbim të Liberalizimit të Vizave siç ishte Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Ndaj kësaj mendësie nënshtrimi nga Kosova dhe presioni i padrejtë nga qarqe të caktuara evropiane i duhet dhënë fund me kurajo, argumente dhe vendosmëri”, ka thënë Faton Kurti.

Ai në fund ka dhënë një propozim për Qeverinë e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet t'ia bëjë të qartë BE-së, se Kosova është një faktor i stabilitetit në rajon, ndërsa Serbia bën krejt të kundërtën si faktor destabilizues i vazhdueshëm në Ballkanin perëndimor. Mos integrimi i Kosovës në gjirin e BE-së po e rrit apetitin e Serbisë dhe Rusisë për një konflikt të ri në Evropë, ku çmimin do të paguajë e tërë Evropa”, ka shtuar Kurti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat