Ngrihet alarmi pas përfshirjes së Lushtakut në sulmin me policët – ky është paralajmërimi!

Politika

Ngrihet alarmi pas përfshirjes së Lushtakut në sulmin me policët – ky është paralajmërimi!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 korrik 2022 Në ora: 11:48
Nuredin Lushtaku; foto ilustrim nga "Bota sot"

Mëngjesin e të dielës një nga ngjarjet që mori vëmendjen ishte plagosja e dy policëve, njëri me armë zjarri, i plagosur në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta, sidomos në kokë.

Por ajo që bëri edhe më të rëndë këtë ngjarje ishte përfshirja e ish-nënkryetarit të Skënderajt Nuredin Lushtaku me disa familjarë të tij.

Raportohet se ngjarja ndodhi kur policia e ndali në pikë kontrolli djalin e Nuredin Lushtakut, të cilit i shqiptoi një tiketë trafiku.

Si shkak i kësaj ai e thirri babain e tij, i cili sapo arriti në pikë kontrolli, filloi sherrin më policinë.

Menjëherë pas raportimit që Lushtaku është i përfshirë në ngjarje, ai ka reaguar duke mohuar të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllezërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.

Mirëpo, gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendim për ndalimin e Nuredin Lushtakut, i njëjti është dorëzuar menjëherë.

Ndërkohë në mbrëmje të katër të akuzuarve Nuredin Lushtakut, dy vëllezërve të tij dhe djalit, i janë shqiptuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë nga 30 ditë paraburgim për veprat e kryera.

Të gjithë dyshohen për sulm ndaj personit zyrtar, përdorim të armës dhe mbajtje në pronësi të armës pa leje.

Avokati mbrojtës i tyre Çerkini ka thënë para mediave se do të ankohet në Gjykatën e Apelit, pasi klienti i tij, Nuredin Lushtaku tri herë është paraqitur vullnetarisht në polici, prandaj paraburgimi është masë e tepërt sipas tij, pasi ka mundur të zbatohet arresti shtëpiak ose masa e paraqitjes së përcaktuar në polici.

Nga procesi i seancës së rastit, rezultoi sipas prokurorisë se Nuredin Lushtaku e ka përfshirë në ngjarje edhe ish-kryetarin e Skenderait Bekim Jasharin, të cilit ia kishte dërguar armën e policit Enver Berisha, që ia kishin marrë Lushtakët. Jashari e kishte dorëzuar në Polici.

Reagimi i Sindikatës së Policisë

Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Sindikata e Policisë së Kosovës, e cila ka shprehur shqetësimin e saj përballë sulmit ndaj policëve.

Sindikata ka kërkuar nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit.

“Sindikata e Policisë së Kosovës është e shqetësuar me rastin e sulmit ndaj dy zyrtarëve policor në Skenderaj, me që rast njëri nga ta është plagosur nga armë zjarri kurse tjetri me mjet të fortë duke qenë në kryerje të detyrës zyrtare. Ne kërkojmë nga organet e drejtësisë që për personat e dyshuar të veprohet sipas ligjit! Jemi duke e përcjellur me vëmendje situatën e krijuar dhe do të reagojmë konform informatave që do t’i sigurojmë…Zyrtarëve policor, të cilët gjenden në trajtim mjekësor u dëshirojmë shërim të shpejtë”, thuhet në reagim.

Kelmendi, akt i rëndë që duhet ndëshkuar

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se nuk don të mendoj se këtu, në Skënderaj, në rastin, Lushtaku, ka qëllim keqdashës nga organet e shtetit kundruall familjes së komandantit.

“Nuk kam komente për njerëzit që nuk i respektojnë normat ligjore dhe organet e shtetit, sikurse nuk kam respekt që organet e shtetit mos t’i respektojnë pjesëmarrësit në veprim. Nuk dua të mendoj se këtu, në Skënderaj, në rastin, Lushtaku, ka qëllim keqdashës nga organet e shtetit kundruall familjes së gjeneralit. Shpresoj se konflikti është vetëm për tiketë në komunikacion. Në komunikacion kërkohet nga të gjithë të respektojnë rregullat”, potencon ai.

Më tej, juristi thotë që për tiketë nuk sulmohen organet e shtetit me armë, të shpresojmë se kështu, pra, për tiketë të shqiptuar, nuk ka diçka tjetër.

“Ndërsa, plagosja e dy policëve të komunikacionit, pse shqiptohet tiketa për kundërvajtje, është e pakapshme në çdo drejtim. Ajo është vepër e rëndë penale. Natyrisht se nuk dihen shkaqet e konfliktit. Thuhet për tiketë. Kjo është alogjike. Për tiketë nuk sulmohen organet e shtetit me armë. Të shpresojmë se kështu, pra, për tiketë të shqiptuar. Nuk ka diçka tjetër. E, nëse ka shkaqe tjera, organet duhet të japin përgjegjësi. Megjithatë, është shumë e rëndë sjellja dhe përdorimi i armës. Akti është i rëndë. Masat ligjore duhet të zbatohen. Këtu nuk ka rëndësi pozita, prejardhja dhe titulli. Para ligjit janë të gjithë të barabartë”, përfundon Kelmendi.

Tërnava: Ndaj shkelësve të rregullave duhen të ndërmerren masa

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai u shpreh se policia e Kosovës në vazhdimësi po hasë në problem gjatë kryerjes së detyrës, mirëpo familja e Lushtakut do të duhej në këtë rast të ishin të mirëkuptueshëm dhe të kuptojnë punën e policëve.

“Kohërat në të cilat po jetojmë tani me ndodhi të lloj-llojshme të përditshme, na bëjnë për tu habitur, sidomos me rastin e parëmbrëmshëm kur policia e Kosovës, duke i kryer detyrat e tyre të përditshme policore, hasin në rezistencë të armatosur nga qytetarët e po atij qyteti në Skënderaj. Nga një familje me reputacion pozitiv që e gëzojnë për të kaluarën e tyre e që është familja e Nuredin Lushtakut, që përkundrazi ata qytetar, sikur t’iu kishin bërë policia edhe veprime jashtë ligjore në mospërputhje me ligjet, ishte dashur që ata qytetarë me atë reputacion pozitiv që e gëzojnë, që llogariten me kontribute në të kaluarën e çlirimit të Kosovës, të jenë të mirëkuptueshëm, që ato gabime nga ana e policisë shpejt do të evitohen. Sepse ata policë i kanë eprorët e tyre si në nivel komunal ashtu edhe shtetërorë, të cilët duhen të informohen për ato veprime, që edhe pa u anku pala e dëmtuar”, u shpreh ai.

Eksperti më tej cek që policia e ka për të detyrë t’i bëj kontrollet e saj ndaj qytetarëve dhe nuk duhet penguar nga asnjë qytetarë.

“Duke e pasur parasysh se policia është institucioni më i autorizuar që t’i jetësojnë ligjet dhe kushtetutshmërinë të shtetit tonë, dhe ata i zhvillojnë aktivitetet e tyre 24 orëshe, si i vetmi institucion që punon pandërprerë në mënyrë aktive. Është e kuptueshme se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre policia i përdorin kompetencat e tyre që ua lejon ligji i PB. Sikur që janë legjitimiteti i personave të dyshimtë, kontrolli i komunikacionit, kontrolli e shoferëve se a i kanë patentë e shoferët në përputhshmëri me ligjin të atyre automjeteve që i drejtojnë, tejkalimi i shpejtësive në vendet e parapara që janë të lejuara në bazë të shenjave të komunikacionit, kontrolli i personave që dyshohen se mos bartin armë pa leje. Si dhe intervenimet ndaj atyre personave që e prishin rendin dhe qetësinë në ato vende ku e parasheh ligji e sidomos në ato pjesë të banuara me qytetarë”, thotë ai.

Tërnava nga ana tjetër thekson që duhet të ndërmerren masa ndaj të gjithë personave që shkelin ligjin përfshirë këtu edhe Lushtakun.

"Meqë Nuredin Lushtaku është person mjaft i njohur në Skënderaj, sikur policia të kishte ndërmarrur ndonjë veprim jo ligjor ndaj tij apo familjes se tij. Ai gabim do të përmirësohej shpejt dhe në përputhshmëri me ligjet. Por, nëse familja Lushtaku i ka shkel ligjet në fuqi, edhe ndaj tij apo personave që janë pjesëmarrës në ato shkelje të atyre rregullave duhen të ndërmerren masat ligjore, pavarësisht reputacionit që e gëzon Nuredini si “gjeneral, komandant, veteran” sepse të gjithë qytetarët para ligjit janë të barabartë. Prandaj nëse dikush nga familja Lushtaku e ka sulmuar policinë në kryerjen e detyrave të tyre të përditshme, duhet që ndaj atyre sulmuesve të ushtrohet padia në gjyqi për pengim të policëve në punët e tyre të përditshme, apo nëse ju kanë shkaktuar lëndime trupore me armë apo mjete tjera. Prokurori dhe gjyqet duhen të ndërmarrin masat ligjore sikur që parashihen në baza ligjore”, theksoi Tërnava për “Bota sot”.

Ngjarja sipas versionit zyrtar

Sipas lëndës së përgatitur nga prokuroria, pas hetimit paraprak të rastit, të publikuar në media rezulton se ishin në ngjarje edhe dy policë të tjerë, ku mbet i plagosur polici Mergim Geci, i cili thuhet se kishte ndërhyrë në mes të dëmtuarit, policit Enver Berisha dhe të pandehurve, lushtakëve.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën paka para mesnatës, në Skenderaj, ku ndalohet për shkelje ligji në komunikacion, djali i Nuredin Lushtakut. Djali e thirr babain për ndihmë.

Në vendngjarje del me shpejtësi, babai me të dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtakun. Në grindje e sipër polici Enver Berisha, nxjerrë armën dhe qëllon dy herë në ajër, që t’i zmbraps sulmuesit.

Lushtakët nuk tërhiqen, por e sulmojnë me armë në kokë policin Berisha, me kondak të armëve të shkurtra.

Në rrëmujë e sipër plagoset në këmbë polici Geci.

Në këtë situatë thuhet se Faton Lushtaku ia rrëmben nga dora armën policit Enver Berishaj.

Ndërsa, polici tjetër Xhemë Murtezaj, kishte tentuar t’ia largojë armën të pandehurit Nuredinit.

Xhemë Murtezaj, nxjerrë një sprej dhe ia hedh të pandehurve Faton Lushtakut dhe Arif Lushtakut, të cilët i ishin hedhur të dy mbi trup, të plagosurit Berisha, që ishte shtrirë në tokë.

Në përpjekje për të ndaluar përleshjen kishte ndërhyrë edhe polici i katërt në rast, Bajram Behrami. Sipas dëshmive në prokurori Behrami i kishte dëgjuar të pandehurit duke thënë: “ia morëm armën”, dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas viktimës Berisha, ai ka shtatë qepje në kokë, ndërsa polici tjetër Mergim Geci është plagosur në këmbë nga shkrepja e armës, që tani për tani po konsiderohet me autorësi të panjohur, e papërcaktuar se nga kush është shtënë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat