Të pathënat e konfliktit të lushtakëve me policët në Skenderaj / Çrregullimet psikologjike të ‘komandantit”

Politika

Të pathënat e konfliktit të lushtakëve me policët në Skenderaj / Çrregullimet psikologjike të ‘komandantit”

Nga: Idriz Morina Më: 5 korrik 2022 Në ora: 15:30
Nuredin Lushtaku

Një ditë pas shkrimit tim për Nuredin Lushtakun dhe familjen e tij, të cilët sulmuan pamëshirshëm dy policë, na erdhi një letër nga një ish-zyrtar, që pretendon se e njihte mirë situatën e konfliktit dhe burimin e rastit që çoi në plagosjen e një polici dhe në rrahjen e rëndë të një tjetri.

Në ndërkohë një media e ka botuar një pjesë të një ngjarje pa e saktësuar vitin, por duke e fajësuar policin Enver Berisha apo Smakiqi, si njihet për shkak të prejardhjes familjare, përkatësisht një llagapi.

Enver Berisha, thirret Smakiqi sipas mëhallës prej nga vjen, Smakiq i Obrisë, por që familja e tij kishte dalur të jetonte në fshatin Jashanicë të Klinës.

Sipas burimit tonë, që na është drejtuar në një letër të shkurtër fillimisht, ngjarja iniciuese ka ndodhur një dite të hënë. Ishte ditë tregu. Si në gjithë Kosovën, tradicionalisht në qytete kishte një ditë tregu.

Skenderaji ende është i njohur si një qytet ku në ditën e tregut vazhdojnë të dalin, shumica e qytetarëve dhe fshatrave për rreth.

Kështu një të hëne, në vitin 2005 apo edhe mund të ishte viti 2006, një veturë po e ngiste shoferi me shpejtësi, dhe kishte hyrë në drejtimin e kundërt të lejimit të lëvizjes. Ky besohet se ishte Kemajl Lushtaku, vëllai i Nuredin Lushtakut, të mbiquajtur gjeneral, pavarësisht se nuk ka të kryer asnjë ditë akademie ushtarake.

Gjatë luftës dhe më pas në TMK vazhdonin t’ju jepeshin titujt deri më të lartët ushtarak të karrierës disave prej figurave më të njohura në publik, të luftës, e cila nuk kishte strukturim ushtarak profesional.

Derisa në akademitë ushtarake në botë, pavarësisht shkollimit të kryer adekuat, thirrjen gjeneral mund të mos e arrish, në Kosovë, rrahagjoksit si çlirimtarë, në luftë i dhanë vetes titujt më të lart ushtarak, se që i kishin ushtarakët e karrierës që po ashtu po merrnin pjesë në luftë dhe e udhëhiqnin në shumë zona atë. Shumë prej tyre nuk kishin asnjë përgatitje akademike.

Si duket Nuredin Lushtaku vërtetë besonte se ishte një gjeneral lufte, si shumë ish-komandantë jo profesionist! Sipas psikologjisë, këto janë pikëpamje të ndikuara nga ideja e madhështisë, që sipas studimeve klinike hyn në kuadër të çrregullimit të të menduarit!

Në rastin në fjalë, në kontroll qëllon edhe polici Enver Smakiqi, i cili e pikas veturën dhe i kërkon të ndalet. Kuptohet se pas ndalimit, duke zbatuar detyrat e tij, provon ta ndëshkojë me një gjobë. Ndërsa, ishin duke folur, Kemajl Lushtaku, vendos ta injorojë, por duke e mbyllur derën me shpejtësi, ia zë një pjesë të palltos Enverit, dhe ashtu e tërheq zvarrë, një polic, që si duket fizikisht, i vetëm nuk do të mund ta mposhtte.

Polici Berisha, u lëndua, por nuk u hap asnjë procedurë, dhe askush nuk u sanksionua.

Shtrembërim apo mungesë informimi

Ndërsa, një medium tjetër ka sjellur tjetër interpretim të ngjarjes, me tendencë të plotë shfajësuese për Lushtakun.

“Në një prej rasteve para disa viteve situata kishte eskaluar. Smakiqi kishte gjobitur Kemajl Lushtakun, njërin prej vëllezërve të Nuredin Lushtakut. Kemajl Lushtaku nuk ishte pajtuar me gjobën dhe ishte fjalosur me policin Smakiqi... polici Smakiqi e kishte goditur edhe fizikisht Kemajl Lushtakun, vëllain e Nuredin Lushtakut. Ky rast kishte ndikuar që Lushtaket t’ia merrnin inat policit Smakiqi”.

Sipas këtij rrëfimi:

Lushtaku nuk ka hyrë në rrugë të gabuar njëkahëshe.

Lushtaku nuk e ka shkelur ligjin dhe

Lushtaku nuk e ka tërhequr zvarrë policin me veturë.

Përkundrazi, Lushtaku është viktimë,

Lushtaku është grushtuar nga polici dhe

Lushtaku është gjobitur padrejtësisht!

Pra, një skenar i parapërgatitur rrëfimor, për të fajësuar viktimën dhe shpallur të pafajshëm atë që kryen aktin kriminal.

Kjo narrativë, është e ngjashme me narrativen tjetër ku atdhetarët e vërtetë, si Ibrahim Rugova shpalleshin tradhtar, ndërsa injorantët patriotë absolut.

Në vitin kur ka ndodhur ngjarja nuk kishin nevojë ta përdornin fuqinë e pushtetit komunal, sepse Lushtaku nuk ishte nënkryetar si aludohet, përkundrazi, ai me shumë gjasë ende ndodhej në TMK në funksion të lartë, sigurisht të “gjeneralit”.

Atë kohë Nuredini dhe Samiu ishin ende të pandashëm. Pas largimit nga TMK-ja, Nuredini do të bëhej zv.ministër për diasporë, dhe më vonë edhe deputet i PDK-së.

Nënkryetar do të bëhet vetëm gjatë mandatit të Bekim Jasharit, sa ishte kryetar komune, nga 2017 deri më 2021, kur në Skenderaj fitoi, Fadil Nura, një kandidat i besuar i PDK-së.

Image
Sami Lushtaku e Nuredin Lushtaku

Motivet e prishjes së raporteve të Sami Lushtakut dhe Nuredin Lushtakut nuk janë zbardhur, por me shumë gjasë lidhen edhe me faktin se Sami Lushtaku kishte shumë më shumë pushtet se kushëriri i tij Nuredini. Po ashtu edhe pasuri ta pakrahasueshme.

Nuredini pavarësisht marrëdhënieve të mira që mbante me Thaçin, ky kishte shumë më shumë raporte dhe afërsi me Sami Lushtakun, qoftë për shkak të bashkëpunimit në biznese apo në krimin politik, në tenderë dhe marifete të tjera.

Pra, rastin mediumi në fjalë e zhvendos në kohë të pacaktuar dhe motivin e hakmarrjes e shtyn në më shumë se dhjetë vjet.

Një incident tjetër kishte ndodhur në komunikacion rreth vitit 2010 apo 2011, po në këtë zonë.

Në rrugën Pejë-Skenderaj, derisa po udhëtonte me një makinë, Nuredin Lushtaku dhe me të ndodhej një familjar i familjes Jasharaj, bie në radar në Runik. Si çdo herë tjetër, dhe si ishte mësuar ta shpërdorte nderin e luftës thuaja e gjithë familja, Nuredin Lushtaku del nga vetura, së bashku me Jasharin për të refuzuar me këmbëngulje gjobën, që mund ta paguanin për shkelje rregullash, me shpejtësi të palejuar.

Në tension e sipër, kur polici Kadri Kadriu, e sheh se mund të grushtohet, tërhiqet paksa, dhe nxjerrë revolen, duke i paralajmëruar, që mos të ndodhë ta grushtojnë apo rrahin publikisht se nuk do t’i durojë as falë.

Kadri Kadriu, që ishte një polic nga Likoci, ia arrin që me vringëllimën e armës, të lejuar në detyrë, ta zmbraps Lushtakun dhe Jasharajn.

Por, ajo që ngjet më poshtë, është tipike për dështimin e drejtësisë në Kosovë: Viktima ndëshkohet, ndërsa agresori shpërblehet. Policia nuk hap rast fare, as për tentativë sulmi ndaj personit zyrtar, as për ‘pengim në detyrën zyrtare’, por Inspektorati i punës, e ndëshkon policin Kadriu, me suspendim nga puna për 6 muaj!

Image
Nuredin Lushtaku i përkrahur nga Thaçi në fushatën për deputet

Letra

Problemet e Lushtakut dhe Smakiqit janë të kahershme qysh kur Enver Smakiqi filloi punën në Skenderaj. Atëherë vëllai i Nuredin Lushtakut, Kemali ka pasur telashe me Enverin. Kemali edhepse kishte hyrë në rrugë njëkahshe nuk i bindet urdhrave policore (e hënë, ditë tregu në Skenderaj, ishte diku viti 2005 apo 2006, nuk jam i sigurtë, derisa unë punoja në Skenderaj)!

E ka mbyll derën e kerrit, e ka ngreh Enverin me kerr zhagë disa metra, u lëndua, por asgjë.

Paprekshmëria e Lushtakëve

Rreth vitit 2010/2011, më vonë Nuredini dhe (fatkeqësisht) B. J. në Runikë sulmojnë fizikisht policin Kadri Kadriu, polic nga Likoci, që ishte në pikë kontrolli dhe e ndalin atë për shpejtësi. Kadriu u kundërvihet dhe me qëllim që të mos koritet publikisht, nxjerr revolen dhe u kërkon të mos e godasin në publik, sepse nuk do t’i duronte. Nuk i kanë rënë.

Si pasoj, Kadriu suspendohet nga Inspektorati, 6 muaj, ndërsa për 2 sulmuesit mbyllet rasti pa kurrfarë pasojash. As publikim rasti nuk kishte.

Pastaj, sjelljet e Ramiz Shalës (nip i N. Lushtakut) derisa ishte asamblist i Kuvendit të Skenderajt dhe drejtor për Kulturë në Skenderaj, i cili e ka sulmuar asamblistin Hysni Mehana dhe të tjerët, rrahja me qytetar në qytet, janë pasqyrë e paprekshmërisë së Lushtakëve.

Deri vonë Lushtaku nuk i ka paguar komunës 40.000 euro kontribute e tatime për ndërtesën në qendër të qytetit (tash ndoshta i ka paguar, nuk e di) truallin e të cilës e ka marrë me dhunë. Pra paprekshmëria e "komandantëve" vazhdonte.

Pastaj kërkesa e Bekim Jasharit që të mos patrulloj Berisha është e turpshme konsideroi.

Të bëhet kërkesë të tërhiqet polici nga patrullimi që Lushtaket të sillen sipas qejfit të tyre është e turpshme dhe e pakuptimtë.

Pretendimi i Lushtakut se iu është montuar rasti është më shumë se ideologji serbe (të vret dhe të lë fajtor- rasti Panda).

Sikur Lashtakët të kishin qenë ulur në shtëpi do të pajtohem, por në mesnatë të armatosur shkojnë në pikë kontrolli dhe e rrahin me kondak revole policin e pastaj thonë se iu është montuar rasti, kjo është jashtë çdo logjike të shëndoshë.

Po ashtu në një emision tv, me Pandurin, u inkuadrua një i Jasharajve nga kurbeti duke deklaruar se Berisha e kishte dënuar pa faj, por ra në grackë kur tha “nuk e kisha rripin e sigurisë të vendosur në kerr dhe kam refuzuar me ngjitur maskën”, në kohë pandemie!

Pastaj, një video paraqitet një policë duke e sulmuar një qytetar në Skenderaj ku ai pretendonte se ai polic ishte Berisha. Sa e njoh une Berishen, ai nuk ishte sepse ishte trupgjatë, ndërsa Berisha Berisha është i shkurtër”, përfundojnë letrat dhe komunikimi ynë me të.

Pra, mos harroni se Skenderaji dhe Drenica është zona, ku shumica e dëshmitarëve nuk guxojnë të flasin hapur për krimet dhe padrejtësitë!

Si ndodhi incidenti i fundit?

Të shtunën 15 minuta para mesnatës, në Skenderaj, ndalohet për kundërvajtje në komunikacion, djali i Nuredin Lushtakut. Arbëri, djali i Nuredinit, e thërret babain për ndihmë, dhe si duket të shfrytëzojnë rastin, që t’ua bëjnë të qartë policisë, se ata janë ende të paprekshëm dhe s’ka ligj në Kosovë që i çon prapa grilave.

Pra, sërish vjen në lojë, “ideja e madhështisë”, superioritetit të gjithëpushtetshëm. Veçse kësaj here duket se i tradhtoi ‘fati’!

Në vendngjarje del me shpejtësi, babai me të dy vëllezërit e tij, Faton dhe Arif Lushtakun. Ndërsa, po fjaloseshin, tensionohet situata dhe, sipas RTV Dukagjinit, tre të pandehurit ishin nisur në drejtim të policëve duke i fyer. Në këtë situatë i dëmtuari Enver Berisha, nxjerrë armën dhe shtie dy herë në ajër, që t’i zmbraps agresorët.

Sulmuesit nuk ishin trembur nga të shtënat dhe të pandehurit e godasin në kokë të dëmtuarin Enver Berishajn, me kondak të armëve të shkurtra, që i kishin me vete.

I dëmtuari Berishaj bie për tokë, dhe dëgjohet shkrepja e një arme, që sipas hetimeve paraprake nuk është përcaktuar se si dhe nga kush u bë.

Ajo që bie në sy, me rreth 48 orë vonesë është se, policia në asnjë komunikim të saj, nuk e ka njoftuar opinionin dhe as mediat, se në rast ishin të përfshirë 4 policë.

Nga raporti i publikuar në media, i hetimeve paraprake dy policë të tjerë duket se sillen me shumë neglizhencë.

Njëri polic, Xhemë Murtezaj thuhet se ndërhyn vetëm pasi është goditur rëndë me armë në kokë polici Berisha, duke provuar t’ju hedhë sprej dy sulmuesve, që i ishin sulur mbi trup, policit të lënduar, sigurisht duke e vazhduar grushtimin dhe marrjen e armës.

Ndërsa, roli i policit Bajram Behrami, është thuajse i papërfillshëm, përveç se thuhet që ndërhyn.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat