Rikthimi në skenë i “Ekipit të Unitetit”/ “Sidomos për Kurtin” - mesazhet që po jep ambasadori amerikan

Politika

Rikthimi në skenë i “Ekipit të Unitetit”/ “Sidomos për Kurtin” - mesazhet që po jep ambasadori amerikan

Nga: P.R Më: 6 korrik 2022 Në ora: 22:14
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier për të dytën herë brenda pak javësh ka ftuar ekipin e unitetit gjatë kohës së negociatave të Vjenës mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier për të dytën herë brenda pak javësh ka ftuar “Ekipin e Unitetit” gjatë kohës së negociatave të Vjenës mes Kosovës dhe Serbisë.

Për dallim nga takimi i parë, këtë herë mysafir ishte edhe ish-këshilltari i Ahtisaarit, tani nënsekretar i Shtetit për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Finlandës, Kai Sauer.

“Jam i lumtur që do të shtroj një drekë sot për Ambasadorin Kai Sauer, nënsekretarin e Shtetit – Politika e Jashtme dhe Siguri, të Ministrisë së Jashtme të Finlandës dhe anëtarët e ‘Ekipit të Unitetit’ të Kosovës. Ne diskutuam punën tonë kolektive të viteve 2006-07 dhe përkushtimin tonë për suksesin e vazhdueshëm të Kosovës”, ka shkruar Hovenier.

E për takimin e ambasadori amerikan me “Ekipin e Unitetit” dhe mesazhet që përcjellë ky takim, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Jeffrey Hovenier erdhi në Kosovë me shpresë të madhe për t’i shtyrë përpara proceset e paqes e të shtetësisë së Kosovës. E drejta është se puna e tij ka performuar më mirë se puna e disa ambasadorëve të mëparshëm. Me këtë që them nuk dua të zhvleftësoj kontributet e asnjërit prej tyre. Por secili ka shërbyer në një kohë tjetër dhe shpesh herë është koha që e përcakton edhe performancën e politikanëve dhe diplomatëve, ashtu si edhe të profesioneve të tjera”, thotë Bytyçi.

“Hovenier është një diplomat i ekuilibruar, i matur, i përkushtuar gjithashtu për Kosovën. Këtë përshtypje ma ka krijuar periudha sa kohë ai është në Kosovë. Edhe kritikat i bën me shumë kujdes dhe me takt. Edhe vëmendjen e tërheq me shumë finesë. Por edhe vlerësimet i bën krejt objektive si për liderët në pushtet, edhe për ata në opozitë. Është i ekuilibruar dhe ruan balanca të admirueshme. Prandaj dhe ngjall besim”, shpjegon Bytyçi.

Takimin e ambasadorit amerikan me “Ekipin e Unitetit”, Bytyçi e sheh si mesazh për klasën politike në Kosovë.

“Pjesë e këtij besimi besoj se është edhe rikthimi i vëmendjes te ekipi i unitetit. Mendoj se është një mesazh për politikën e Kosovës, për t’u thënë atyre se në dialogun me Serbinë e keni një përvojë të jashtëzakonshme. Përvoja e ekipit të unitetit i krijuar nga presidenti Rugova dhe i drejtuar nga presidenti Fatmir Sejdiu në praktikën e dialogut të Vjenës për përcaktimin e statusit është vërtet interesante. Hivenier duket se kërkon që ta përdorë këtë eksperiencë në kushtet e sotme”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, ambasadori Hovenier është duke bërë përpjekje për arritjen e një marrëveshje mes opozitës dhe pozitës në Kosovë.

“Kjo do të thotë se ambasadori amerikan është në kërkim të një marrëveshjeje politike midis mazhorancës dhe opozitës, me qëllim që të përmbyllet dialogu me Serbinë. E shikoj si një lëvizje pozitive. E mira është se amerikanët e për pasojë edhe ambasadori Hovenier, nuk bëjnë presion. Ata thjesht kujtojnë një eksperiencë, e cila dha rezultat e çoi në pavarësinë e shtetësinë e Kosovës. Por pse amerikanët nuk bëjnë presion, kjo nuk do të thotë se mesazhi i tyre nuk duhet marrë në konsideratë”, shprehet Bytyçi,

Por çfarë nënkupton rikthimi në skenë i “Ekipi të Unitetit”?

“Pikësëpari me ekipin e unitetit kërkohet që skena politike të jetë në nivelin e vitit 2005-2006, kur u kyç në bisedimet e Vjenës për statusin e ardhshëm. Ky nivel koordinimi e pajtimi është i domosdoshëm sot në Kosovë. Por unë shoh se ka një frakturë të çuditshme. Opozita sillet sikur është mazhorancë dhe mazhoranca sillet më urtë sesa sillej në opozitë! Kjo e dyta nuk e dëmton kohezionin. Por edhe qetësia qe prodhon indiferencë ose që mbështet superioritetin mazhoritar është i dëmshëm. Ndërsa opozita nuk po pajtohet aspak me humbjen e pushtetit. Ndërkohë që ekipi i unitetit u krijua në kushte të tjera”, deklaron Bytyçi.

“Partitë opozitare, sidomos disa politikanë të PDK-së dhe AAK-së duhet të pajtohen se janë në opozitë dhe sapo ta pranojnë këtë fakt, ato bëhen më bashkëpunuese për interesat jetike të vendit. Dhe dialogu është interes jetik i Kosovës. Ndërsa LDK shpesh herë imiton dy partitë e tjera. Sepse mesa duket ka frikë se me qëndrime lojale humbet elektorat. Përkundrazi, LDK ka patur e mund të ketë elektorat të qëndrueshëm për shkak të moderacionit të saj. Mos harrojmë se në Kosovë, ndryshe nga Shqipëria, shumica dërmuese e qytetarëve përkrahin urtinë si cilësi të aktivitetit politik!”.

Më tej, Bytyçi tregon edhe mesazhin që synon të jap ambasadori i SHBA-së në Kosovë me takimet me “Ekipin e Unitetit” për kryeministrin Kurti.

“Fakti që pjesë e këtyre takimeve janë bërë eksponentë të ndërmjetësuesve në bisedimet e Vjenës, si psh ish-këshilltarit të Martti Ahtisaarit, finlandezit Kai Sauer, dëshmon se ambasadori Hovenier dëshiron të japë mesazhin se edhe ndërmjetësuesit e sotëm të BE-së, SHBA-ve, Britanisë së Madhe e Gjermanisë duhen besuar siç ndodhi asokohe me Ahtisaarit apo zëvendësin e tij austriak, Albert Rohan. Ky mesazh i drejtohet më së shumti liderëve të mazhorancës, sidomos zotit Kurti”, thekson Bytyçi.

“Ndoshta kërkojnë prej tij lëshime dhe kompromise të dhimbshme për Kosovën, si p.sh krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Por presioni është aktualisht sa i përket Manastirit të Deçanit dhe njohja e statusit të tij”, shpjegon më tej Bytyçi.

Ai thotë se formimi i një “Ekipi të ri të Unitetit”, është i dëmshëm për Kosovën, pasi në këtë mënyrë lehtëson presionet për kompromise.

“Mendoj se ngritja e një ekipi të modelit të unitetit i lehtëson presionet e jashtme për kompromise të padobishme e të padrejta. Por me kusht që ky ekip uniteti të përcaktohet që ditën e parë të formimit të tij për zgjidhjen që do të pranojnë për një marrëveshje Kosovë-Serbi. Nëse në këtë ekip bëjnë pjesë diversionistë që përkrahin ndryshimin e kufijve, asociacionit serb si shtet brenda shtetit, ose opsione të tjera pro-serbe deri te Open Balkan, atëherë ekipi do të përçahej dhe Serbia do të krijonte supremaci në dialog në krahasim me Kosovën”, thekson Bytyçi.

Për fund, Bytyçi drejton edhe kritika ndaj opozitës në Kosovë, për të cilën thotë se po presin me gëzim që Albin Kurti të gabojë në dialogun me Serbinë.

“Gjithsesi predikimi i modelit të viteve 2005-2007 për bisedimet e Vjenës është një akses pozitiv. Një bashkim i pikëpamjeve, qëndrimeve dhe ideve të pozitës dhe opozitës në Kosovë e ndihmon vendin në dialog. Një opozitë që gëzohet nëse Kurti nënshkruan marrëveshje të tipit Thaçi-Mustafa me Serbinë, do të sillej ndryshe në kushtet e pjesëmarrjes së saj drejtpërdrejt në dialog. Dhe në fakt është opozita ajo që nuk dëshiron të bëhet pjesë e dialogut. Dhe kjo ndodh me qëllim që “të gabojë” Kurti dhe ta tregojnë më pas me gisht “E patë, edhe Albini është si ne”!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat