“Misioni i Xhavit Halitit është luftimi dhe eliminimi.../ Shtabi i LPK-së ekzekutoi ministrin Ahmet Krasniqi

Politika

“Misioni i Xhavit Halitit është luftimi dhe eliminimi.../ Shtabi i LPK-së ekzekutoi ministrin Ahmet Krasniqi

Nga: P.R. Më: 7 korrik 2022 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme, në Kosovë është shënuar 24 vjetori i Betejës së Loxhës, betejë kjo e cila mban vulën e kolonel Tahiraj Zemajt, i vrarë në një atentat politik pas luftës në Kosovë bashkë më djalin Enisin dhe kushëririn Hasan Zemaj.

E në 24 vjetorin e Betejës së Loxhës, deputeti i PDK-së dhe ish anëtari i Shtabit të “Rognerit”, Xhavit Haliti nuk e ka përmendur njeriun kryesor të kësaj beteje, komandantin kryesor që udhëhoqi Betejën e Loxhës, kolonel Tahir Zemaj.

“Beteja e Loxhës e 6 korrikut 1998 i dha hov luftës çlirimtare e motiv shtesë ushtarëve të UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së, të prirë nga Skënder Çeku, i shkaktuan humbje të konsiderueshme forcave serbe. Rol të rëndësishëm në këtë betejë dha edhe veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, Binak Dinaj, si dhe një numër i madh i ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe banorët e Loxhës, si dhe të fshatrave përreth”, shkoi ish anëtari i Shtabit të “Rognerit”, Xhavit Haliti.

E duke marr parasysh të kaluarën e Xhavit Halitit, kjo nuk është diçka e re sipas Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Ai thotë se Xhavit Haliti mision e kishte dhe vazhdon ta ketë edhe sot, luftimin dhe eliminimin e plotë të luftës që zhvilluan njësitet operative të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Image
Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj dhe Ibrahim Rugova

“Një ndër betejat më të rëndësishme ku ushtria e Kosovës korri fitore duke ju shkaktuar humbje të konsiderueshme ushtrisë okupatore serbe, është beteja e Loxhës e cila u zhvillua nga njësitet operative të ushtrisë së rregullt të MMRK të komanduara nga komandant Tahir Zemaj. Asnjëherë nuk duhet të na shqetësoj fakti se pse Xhavit Haliti nuk e përmend komandantin e betejës së Loxhës, komandant Tahir Zemaj sepse ai ka, kishte dhe vazhdon ta ketë mision luftimin dhe eliminimin e plotë të luftës që zhvilluan njësitet operative të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, thotë Tahiraj.

Tahiraj e bën përgjegjës Xhavit Halitin dhe Shtabin e LPK-së edhe për vrasjen e Ministrit Ahmet Krasniqi dhe bashkëpunëtorëve të tij.

“Vetëm ta rikujtojmë kohën e luftës dhe rolin shumë destruktiv, sabotues dhe kërcënues që pat shtabi i LPK-së më në krye Xhavit Halitin kundër SHS FARK më në krye ministrin Ahmet Krasniqi. Kjo çmenduri shkoj aq lart sa dhe ekzekutuan ministrin Krasniqi dhe shumë bashkëpunëtorë të tij. Kjo çmenduri nuk u ndal edhe pas lufte por vazhdoi, bile me intensitet të shtuar. Të presësh nga Xhvit Haliti që ta përmend emrin e komandant Tahir Zemaj është budallallëku më i madh”, deklaron Saim Tahiraj.

Më tej, Tairaj hedh kritika të ashpra në drejtim të LDK-së, për të cilën thotë se ishte themeluese e gjitha institucioneve në Republikën e Kosovës, përshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes.

“Unë problemin e madh e shoh krejt diku tjetër, te partia jonë e cila ishte themeluese e atyre institucioneve që drejtuan të gjitha veprimet për liri dhe pavarësi, po ashtu edhe luftën çlirimtare! Dje ishte dita ku u përkujtua beteja e Loxhës dhe tre heronjtë që ranë dëshmorë në luftën për mbrojtjen e Loxhës: Rrustem Bruçi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj, shikoni fotografit se sa persona morën pjesë në homazhe, sa përfaqësues të kryesisë qendrore të LDK-së dhe të kryesisë së degës në Deçan? Sa përfaqësues të kryesive të degëve tjera të LDK-së morën pjesë në këto homazhe? Kjo logjikë indiferente, madje do thoja nënçmuese është në vazhdimësi. Pyetjet që duhet të ia shtrojmë të gjithëve në strukturat drejtuese, ne të gjitha nivelet strukturore është, pse po ndodhë kjo, cilat janë shkaqet dhe arsyet? Pse LDK nuk bëri asgjë për heroin Adem Ukëhaxhaj, oficerin e karrierës të cilin e caktoj ministri Krasniqi për organizimin e luftës në Deçan dhe rrethinë? Pse kurrë nuk u përkujtua beteja e Carrabregut të cilën e komandoi Adem Ukëhaxhaj?”, shprehet Tahiraj.

“Pse LDK nuk bëri kurrë asgjë për heroin Rrustem Bruqin, bashkëveprimtarin, bashkëluftëtarin dhe bashkëideatorin e heroit Sali Çekaj dhe të njësitit gueril të Deçanit? Pse LDK nuk bëri asgjë për heroin Sali Çekaj, komandantin e parë që theu kufirin me 2.12.1991, komandantin e njësitit gueril të Deçani dhe koordinatorin në mes profesor Aganit dhe njësiteve guerile në Kosovë, komandantin në betejën e Koshares, nënkryetarin e degës së LDK-së në Gjermani?”, thekson më tej Tahiraj, i cili thotë se LDK ka dështuar që më fakte të tregojë të vërteten e luftës në Kosovë.

“Çdo gjë që është bërë për këta heronj është bërë me nismën e shokëve të tyre dhe përkrahjes madhështore të mërgatës në Zvicër dhe Gjermani dhe disa vende tjera! I përmenda vetëm këta të tre që jam shumë mirë i informuar se po sikur këta ka shumë në mbarë Kosovën. Po për komandant Tahir Zemaj çfarë bëri LDK? Për betejën e Llukës dhe betejën e Loxhës që i komandoi Tahir Zemaj çfarë bëri LDK? Nuk kemi të drejt që të kritikojmë të tjerët sepse përgjegjës kryesor për heshtjen e këtyre gjërave i kemi ne vet LDK-ja. Deri më sot askush nga lidershipi i LDK-së nuk e pati guximin të marri përgjegjësin për të treguar me fakte dhe dokumente për organizimin e sistemit të mbrojtjes që nga viti 1991 e gjerë në përfundimin e luftës”, thekson Tahiraj.

Për fund, Tahiraj deklaron se LDK e ka obligim që ta zbardhë, ta publikojë dhe ta mbrojë me fanatizëm edhe anën e rezistencës së armatosur.

“Mu për këtë arsye LDK vazhdon ta mbaj kryqin e fajësisë si parti kundër luftës edhe pse ajo ishte kryesorja! Deri kur do vazhdojë ky çyçarllyk, indifertizëm deri në injorim dhe nënçmim i LDK-së? Mos harroni kurrë se LDK nuk mundë të qëndroj e fuqishme me vetëm njërën anë të medaljes, rezistencën paqësore! Ajo duhet ta zbardhë, ta publikojë dhe ta mbrojë me fanatizëm edhe anën tjetër të medaljes, të rezistencës së armatosur si dy pjesë të pandashme të së njëjtës medalje. Vetëm kështu mundë të qëndrojë e fuqishme LDK”, përfundon për “Bota sot” Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat