SHBA-ja e ka fuqinë ta detyrojë Serbinë ta njoh Kosovën krahas arritjes së marrëveshjes përfundimtare / Rezoluta e PE-së na nderon

Politika

SHBA-ja e ka fuqinë ta detyrojë Serbinë ta njoh Kosovën krahas arritjes së marrëveshjes përfundimtare / Rezoluta e PE-së na nderon

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 8 korrik 2022 Në ora: 08:08
Foto ilustrim

Maratona e bisedimeve për vite të tëra mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është se dha ndonjë rezultat në favor të dy vendeve.

Parlamenti Evropian ditën e djeshme ka miratuar rezolutën ku thuhet se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohje të ndërsjellë”.

Pesë vendet e BE-së ende nuk e njohin Kosovën, por PE-ja është institucioni i vetëm që e trajton Kosovën si shtet, andaj edhe është miratuar për herë të parë një dokument ku përmendet njohja reciproke mes dy vendeve.

E për këtë ka pas reagim të menjëhershëm të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, duke thënë se Serbia nuk do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë.

Bukur, dinjitetshëm dhe me mirësjellje, nuk do të nënshkruajmë. Nuk na shkon mendja, nuk do ta konsiderojmë”, ka thënë Vuçiq për gazetarët.

Analistët këtë rezolutë e shohin të dobishme për Kosovën, po me pak ndikim në epilogun e negociatave.

Mehmeti: Kjo rezolutë është në interes të Kosovës

Lidhur me këtë analisti Faton Mehmeti thotë se kjo rezolutë është në dobi të Kosovës, por s’ka ndikim në epilogun e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Image
Faton Mehmeti

Parlamenti Evropian ka qenë i detyruar të merr një vendim të tillë, krahas zbehjes së rolit të tij pas invazionit rus në Ukrainë. Duke qenë në gjendje të tillë, kjo rezolutë është në interes të Kosovës, ndonëse nuk pres të ketë ndikim në epilogun e bisedimeve Kosovë-Serbi”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia nuk e përfill këtë rezolutë, por SHBA-ja e ka fuqinë ta detyrojë për njohje të Kosovës.

“BE-ja dhe KiE e kanë humbur mundësinë për ta detyruar Serbinë të ballafaqohet me realitetin, ta pranojë atë dhe ta njoh Kosovën shtet të pavarur. Serbia nuk e përfill atë rezolutë, vetëm se SHBA-të e kanë fuqinë për ta detyruar Serbinë ta njoh Kosovën krahas arritjes së marrëveshjes përfundimtare”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Njohja nga Serbia do të ishte hap i rëndësishëm për Kosovën si dhe paqen e përgjithshme në rajon

Edhe analisti Leon Duhanaj, deklaron se qëllimi i kësaj rezolute është minimal.

Image
Leon Duhanaj

Kjo puna e rezolutave të Parlamentit Europian, është pak a shumë si puna e rezolutave të Kuvendit të Kosovës. Ndikimi i tyre në vendimmarrjen e Këshillit Europian ka qëlluar të jetë minimal, për të mos thënë i padukshëm”, thotë ai.

Ai thotë se pavarësisht kësaj është mirë që është marr një vendim i tillë. “Megjithatë, mendoj që është mirë që është marrur një vendim i tillë dhe se rezoluta si e tillë, përkatësisht Parlamenti, përfaqëson shumicën absolute të qytetarëve dhe subjekteve në kuadër të BE-së.

Për fat të keq, vendimmarrja në BE, është me konsensus, kështu që jo rrallëherë përballemi me veton e njërës apo palës tjetër, siç është edhe rasti i liberalizimit të vizave. Edhe përkundër faktit se rezoluta si e tillë, nuk ka ndonjë fuqi juridike e politike, ka fuqinë e mesazhit dhe kjo është e mirëseardhur. Serbia do të filloj t'i ndryshoj deklaratat me kohë, por fillimi i tyre akoma nuk duket në horizont”, nënvizon ai.

Në fund, shprehet se Serbia e ka të qartë epilogun, duke shtuar se njohja nga Serbia do të ishte hap i rëndësishëm për Kosovën si dhe paqen e përgjithshme në rajon.

Për mendimin tim, Serbia e ka të qartë epilogun përfundimtar, por Presidenti i Serbisë Vuçiq, nuk e ka edhe punë të lehtë, pasi që rreth 80% e qytetarëve serb anojnë kah Rusia. Politika serbe e di këtë dhe është e kujdesshme. Pos kësaj, mundohen ta zvarrisin procesin duke u bazuar se situata me Rusinë u ka dalë dorësh, me shpresën se mos po rehabilitohet Rusia, njëherësh edhe ndikimi i saj.

Uroj që të paktën këtë herë, kur në pyetje është interesi madhor kombëtarë, shqiptarët të këndellën dhe të përbashkohen rreth një konsensusi e platforme të përbashkët përmes së cilës do ta kthenim mbështetjen e plotë rreth kauzës sonë kombëtare.

Natyrisht që njohja nga Serbia do të ishte hap i rëndësishëm për Kosovën si dhe paqen e përgjithshme në rajon. Megjithatë fati i Kosovës dhe shtetësisë së saj, nuk është i lidhur me njohjen nga Serbia dhe kjo gjë nuk duhet të jetë shqetësimi ynë i madh.

Shqetësimi ynë më i madh, duhet të mbetet gjithnjë ruajtja e raportit me miqtë, sidomos me shtetet e QUINT-it, pa të cilën mbështetje vështirë që mund të ekzistojnë si shtet dhe si komb.

Në këtë kontekst, uroj që shqiptarët, njëherë e mirë t'i lexojnë drejtë shenjat e kohës dhe t'u përshtatën mirë nevojave të kohës, në mënyrë që mos të vajtojmë edhe për një shekull apo edhe me shumë!”, përmbylli ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat