A do të rrëzohet qeveria e shqiptarit Abazoviq? Ish-diplomati britanik nxjerr dy skenarët kryesorë në Mal të Zi

Politika

A do të rrëzohet qeveria e shqiptarit Abazoviq? Ish-diplomati britanik nxjerr dy skenarët kryesorë në Mal të Zi

Nga: A.ZH Më: 17 korrik 2022 Në ora: 21:28
Dritan Abazoviq

Qeveria aktuale në Mal të Zi, e drejtuar nga shqiptari Dritan Abazoviq, nuk do të mbijetojë, në formën e saj ekzistuese, pas miratimit të Marrëveshjes me Kishën Ortodokse serbe. Kështu ka deklaruar për gazetën “Bota sot” ish-diplomati britanik në Bosnje e Hercegovinë Timothy Less.

Ai ka thënë se presidenti Milo Gjukanoviq, do ta rrëzojë Qeverinë, për shkak të kësaj marrëveshjeje dhe për shkak të vizitës së fundit të kryeministrit Abazoviq në Beograd.

“Qeveria aktuale nuk mund të mbijetojë, të paktën në formën e saj ekzistuese. Presidenti Gjukanoviq dhe Partia Socialdemokrate kanë vendosur të rrëzojnë qeverinë në një çështje parimore – një refuzim, siç e shohin ata, për të rivendosur hegjemoninë serbe në vend, të manifestuar në Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe, mbështetjen e Abazoviqit për “Ballkanin e Hapur” dhe vizitën e tij e fundit në Beograd, ku ai u zotua të rivendosë marrëdhënie”, ka deklaruar ish-diplomati.

Image
Timothy Less; foto: Bota sot

Udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridge, ka përmendur dy skenarë të mundshëm tani në Mal të Zi. Sipas tij, do të ketë riformatizim të Qeverisë aktuale, apo më e mundshmja, zgjedhjet e reja në tetor.

“Tani ka dy skenarë kryesorë të mundshëm. Njëra është një ripërbërje e qeverisë për të përfshirë disa nga partitë aktuale të opozitës si Fronti Demokratik dhe Demokratët. Megjithatë, kjo do të ishte e komplikuar, sepse ka pak të përbashkëta mes këtyre partive politike. Nëse do të formohej një qeveri e tillë, ajo do të ishte e dobët dhe e përçarë. Më shumë gjasa është një votë mosbesimi në parlament dhe zgjedhjet e reja, ndoshta në tetor që do të përkojnë me zgjedhjet lokale, të paraprira nga një qeveri e përkohshme e udhëhequr nga Abazoviq”, ka theksuar Timothy Less.

Ai parashikon se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, do të fitonte Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit.

“Nëse po (mbahen zgjedhjet), sondazhet sugjerojnë se Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit do të fitonte zgjedhjet dhe potencialisht do t'i jepte fund një eksperimenti dyvjeçar në qeverisjen e forcave të tjera politike. Megjithatë, kjo nuk është e sigurt. Sondazhet sugjerojnë se partia ka vetëm rreth 28% mbështetje, nga 35% në zgjedhjet e fundit në 2020, dhe nuk ka asnjë garanci se partia mund të formojë një qeveri të re. Në vend të kësaj, rezultati mund të jetë një qeveri tjetër e dobët e koalicionit, e përbërë nga parti më të vogla”, është shprehur më tej Less për “Bota sot”.

Sipas tij, populli malazez është i ndarë në çështjen e identitetit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos me Serbinë dhe Perëndimin.

“E gjithë kjo është tregues i polarizimit të thellë të shoqërisë malazeze. Populli është i ndarë për çështjen e identitetit dhe orientimit ndërkombëtar të vendit, mbi të gjitha marrëdhëniet me Serbinë, por edhe fuqitë e mëdha. Çështja themelore nëse Mali i Zi është një shtet plotësisht i pavarur me një identitet të veçantë kombëtar të integruar në Perëndim apo nëse e ardhmja e tij qëndron në një marrëdhënie më të ngushtë me Serbinë dhe balancon ndërkombëtarisht midis SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, mbetet e pazgjidhur”, ka theksuar ish-diplomati Timothy Less.

Qeveria e Malit të Zi e miratoi Marrëveshjen Themelore më 8 korrik, përkundër kundërshtimit të një pjese të ministrave dhe shumicës parlamentare që e përkrah atë.

Marrëveshja u miratua pas disa orësh diskutimi dhe pro saj votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.

Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq, ka thënë se qeveria e Dritan Abazoviqit po humbë kështu shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani.

Para votimit, Konjeviq ka paralajmëruar krizën e Qeverisë, e cila është votuar vetëm dy muaj e gjysmë më parë. Sipas Konjeviqit, Marrëveshja Themelore është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën malazeze.

Vet kryeministri Abazoviq, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqje.

Një gjë të tillë, Abazoviq e ka thënë derisa ka komentuar njoftimin e Partisë Mali i Zi Demokratik, e cila paraprakisht tha se ai duhet të japë dorëheqje pas zgjedhjes së organeve të drejtësisë./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat