Tensionet në veri të Kosovës, eksperti amerikan “godet” Serbinë - a është Beogradi gati për trazira?

Politika

Tensionet në veri të Kosovës, eksperti amerikan “godet” Serbinë - a është Beogradi gati për trazira?

Nga: A.ZH Më: 31 korrik 2022 Në ora: 22:03
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për tensionet e sotme në veri të Kosovës.

I pyetur nga gazeta “Bota sot”, Serwer ka thënë se përkrah vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ai ka akuzuar Serbinë se nuk i ka respektuar kurrë marrëveshjet me Kosovën.

“Unë favorizoj reciprocitetin si parim, i zbatuar me maturi. Mua më duket, Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar praktikat serbe tani që marrëveshjet kanë skaduar, veçanërisht pasi Serbia nuk i ka respektuar kurrë marrëveshjet”, ka deklaruar profesori amerikan.

“Tani shtrohet pyetja nëse Beogradi është i përgatitur të bëjë një rrëmujë për të regjistruar protestën e saj”, ka theksuar Daniel Serwer për “Bota sot”.

Gjatë ditës së sotme, serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës, që gjendet në Komunën e Leposaviqit.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Policia ka konfirmuar se ka siguruar informacione se janë dëgjuar të shtëna armësh në drejtim të njësiteve policore në veri.

“Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia e Kosovës.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh.

Ai u shpreh se këtyre tensioneve iu paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë, duke akuzuar Aleksandar Vuçiqin dhe Petar Petkoviqin, si përgjegjës kryesorë për trazirat në veri.

“Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat”, ka thënë kryeministri Kurti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat