Tensionet në veri - ish-diplomati amerikan kërkon ndërhyrjen e NATO-s, i tregon Qeverisë si të veprojë

Politika

Tensionet në veri - ish-diplomati amerikan kërkon ndërhyrjen e NATO-s, i tregon Qeverisë si të veprojë

Nga: A.ZH Më: 4 gusht 2022 Në ora: 22:49
Albin Kurti dhe David Phillips; foto ilustrim nga "Bota sot"

Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, ka mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës, për reciprocitet ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, ka të drejtë të kërkojë ndryshimin e targave të veturave dhe marrjen e dokumenteve të përkohshme nga qytetarët serbë që duan të hyjnë në Kosovë.

“Sipas parimit të reciprocitetit ndërmjet dy shteteve sovrane, Qeveria e Kosovës ka të drejtë të kërkojë që serbët etnikë që jetojnë në Kosovë të kalojnë nga targat serbe në targa të Kosovës. Ajo gjithashtu ka të drejtë të insistojë që për të gjitha ID dhe pasaportat serbe mbajtësit të marrin një dokument shtesë për të hyrë në Kosovë, ashtu siç duhet të bëjnë qytetarët e Kosovës për të hyrë në Serbi”, ka deklaruar Phillips për gazetën “Bota sot”.

Megjithatë, ish-diplomati amerikan ka propozuar që Qeveria e Kosovës t’i zbatojë dy vendimet me ritëm me të ngadalshëm.

“Nëse serbëve u duhet kohë që të përshtaten me realitetin e reciprocitetit, atëherë Qeveria e Kosovës mund t'i zbatojë vendimet me ritëm më të ngadaltë. Ngadalësimi i zbatimit nuk do të thotë se serbët kanë të drejtën e vetos mbi vendimet e qeverisë. Vendimet e Qeverisë së Kosovës duhet të zbatohen plotësisht në një kornizë kohore të arsyeshme”, ka thënë më tej eksperti Phillips.

Image
Një ushtar i NATO-s duke ecur pranë kamionëve që serbët lokalë kanë përdorur për ta bllokuar një rrugë drejt kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy vendimet e Kosovës shkaktuan zemërim te serbët lokalë në veri të Kosovës, të cilët bllokuan me kamionë rrugët e vendit më 31 gusht.

E për të shmangur një përshkallëzim të tensioneve, ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit, ka kërkuar ndërhyrjen e NATO-s.

“Kosova ka të drejtë që policia e saj të zbatojë vendimet. Megjithatë, mund të jetë më mirë nëse NATO zbaton rregullat e reja fillimisht vetëm për të shmangur një përshkallëzim të konfrontimit. Përfshirja e NATO-s mund të ndihmojë në zbutjen e situatës”, ka potencuar David Phillips.

Ai poashtu ka kërkuar nga institucionet e Kosovës, që të hetojnë rolin e Rusisë në tensionet e fundit.

“Qeveria e Kosovës duhet të hetojë rolin e Rusisë në nxitjen e dhunës. Puna përmes serbëve të Kosovës është pjesë e librit të lojës së Putinit për të destabilizuar Kosovën duke përdorur operacione të ndikimit keqdashës”, ka shtuar për “Bota sot” eksperti amerikan.

Qeveria e Kosovës, ka shtyrë zbatimin e dy vendimeve për dokumentet dhe targat serbe, që çuan në bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës nga serbët lokalë gjatë vikendit të kaluar.

Sipas kërkesës së SHBA-së, vendimet do të fillojnë të zbatohen nga data 1 shtator./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat