Dy francezët e arrestuar, agjent të dyfishtë, të Rusisë dhe Serbisë?/ Ja si mund të pengohej plani djallëzor i Serbisë!

Politika

Dy francezët e arrestuar, agjent të dyfishtë, të Rusisë dhe Serbisë?/ Ja si mund të pengohej plani djallëzor i Serbisë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 gusht 2022 Në ora: 08:11
Policia e Kosovës, foto ilustrim

Ditë më parë policia e Kosovës ka bërë të ditur që janë arrestuar dy nënshtetas të Francës për shkak të dyshimit se kanë hyrë në vendin tonë përmes rrugëve ilegale.

Kjo ngjarje ka ndodhur ditë më parë kur zyrtarët e Policisë ndaluan një automjet të tipit Land Rover me targa ruse, ku ndodheshin dy persona, përcjell “Bota sot”.

Të arrestuarit kanë qenë një 68 vjeçar me inicialet B.G. dhe një 36 vjeçar me inicialet A.F.

“Dyshohet se të dyshuarit duke përdorur rrugët ilegale kanë hyrë në Republikën e Kosovës, me ç’ rast të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare’. Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka autorizuar inicimin e rastit dhe me vendim të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, ka deklaruar policia.

Mirëpo, ky arrestim natyrisht lë për të diskutuar mjaft shumë, pasi prania e tyre mund të kuptohet që të njëjtit mund të ishin agjent francez apo shtetas francez që kanë punuar nën direktivat apo edhe agjent të Rusisë.

Sikur francezët të kishin përdorur automjete me targa të tjera, ndoshta nuk do të ishin zbuluar, por udhëtimi i tyre me automjete me targa ruse, e ka bërë rastin të dukshëm, se ka një linjë bashkëpunimi, Rusi-Serbi-Francë.

Franca edhe në qëndrimet e saj ndaj Putinit dhe pushtimit të Ukrainës ka qenë më e moderuar, ka ofruar më pak ndihmë ushtarake dhe tjetër, në raport me fuqinë që ka dhe ndihmën që i kanë ofruar shtete dukshëm më pak të fuqishme se Franca.

Natyrisht që tashmë që nga lufta në Ukrainë prania e agjentëve rus në mbarë botën po vazhdon të diskutohet, mirëpo në Kosovë kjo shkakton tension të fuqishëm pasi ndërlidhet me situatën në veri, ku Rusia don të krijojë konflikt të armatosur duke i premtuar Serbisë ndihmë ushtarake dhe tjetër?

Burjani: Nëse janë agjent francez do të lirohen pa zhurmë, ndërsa nëse janë agjent rus atëherë do të ketë zhurmë!

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai u shpreh se nëse janë agjent francez do të lirohen pa zhurmë, mirëpo nëse janë agjent rus do të ketë më shumë zhurmë dhe do të del edhe në opinionin ndërkombëtarë.

“Tash mbetet të vërtetohet dhe verifikohet nga Policia e Kosovës, dhe institucionet tjera relevante të Kosovës se kujt i përkasin ata agjentë. Nëse janë të shërbimit sekret francez ata do të lirohen pa zhurmë dhe në heshtje. Nëse janë agjent rus atëherë do të ketë më shumë zhurmë dhe do të del edhe në opinionin ndërkombëtare se çfarë kërkojnë agjentët rus në Kosovë, dhe cilat janë motivet. Siç e dini Kosova është vend ku s’ka viza as për shtetet që e kanë njohur Kosovën edhe për vendet që nuk e njohin, si edhe për ata që thonë se kurrë nuk do ta njohin Kosovën”, u shpreh ai.

Juristi më tej thotë që Kosova duhet të vendos viza për rusët dhe për pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, njëjtë po vepron Spanja, pasi është koha që Kosova të ndihet e barabartë.

“Kosova duhet të vendos viza për rusët dhe për shtetasit e pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, njëjtë po vepron Spanja, e cila edhe më keq nuk e njeh as pasaportën e Kosovën. Koha është që Kosova të ndihet e barabartë me të gjitha ato shtete që e njohin pasaportën e Kosovës, mund të lirohen nga vizat për hyrje në Kosovë. Për të tjerët nuk ka gjë, duhet të aplikojnë në procedura të rregullta”, thotë Burjani për “Bota sot”.

Qarri: Ato ditë ka pasur lëvizje të mëdha dhe hyrje-dalje, të pakontrolluar të bandave të kriminelëve nga Serbia

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo ngjarje që ndodhi së fundmi dëshmoi edhe njëherë se sa e pambrojtur dhe jashtë çdo kontrolli është ajo pjesë e brezit kufitar me Serbinë dhe sa shumë xhandar e policë nga Serbia, janë futur përmes rrugëve ilegale në Kosovë.

Image
Gani Qarri

“Vet fakti se vetëm dy-tri ditë para hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit me Serbinë u arrestuan dy shtetas "francezë" në veturë me targa ruse, në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, dëshmoi edhe njëherë se sa e pambrojtur dhe jashtë çdo kontrolli është ajo pjesë e brezit kufitar me Serbinë dhe sa shumë xhandar e polic nga Serbia, janë futur përmes rrugëve ilegale në Kosovë, për përshkallëzimin e gjendjes, që me 31 korrik, ndodhi në veri të Kosovës”, thotë ai.

Më tej, analisti shton që automjetet mund të jenë përdorur qëllimisht nga shërbimi i fshehtë serb, për mashtrimin e policisë së Kosovës.

“Mesazhi kryesor i arrestimit të dy francezëve me automjet të regjistruar në Rusi, është se ato ditë ka pasur lëvizje të mëdha dhe hyrje-dalje, të pakontrolluar të bandave të kriminelëve nga Serbia, automjet i cili mund të jetë përdorur qëllimisht nga shërbimi i fshehtë serb, për mashtrimin e policisë së Kosovës, se gjoja ata kanë çdo gjë nën kontroll, përderisa futja e planifikuar e xhandarëve dhe policëve serb, në veriun e Kosovës, me urdhrin e Aleksandër Vuçiqit për krijimin e gjithë asaj që pamë me 31 korrik, vazhdonte, e pa penguar”, thekson analisti.

“Francezët e arrestuar me automjet të regjistruar në Rusi, duhet të kenë qenë agjent të dyfishtë, të Rusisë dhe Serbisë, të cilët kanë kontrolluar gjendjen e sigurisë dhe parapërgatitur futjen e njësive të xhandarmërisë dhe forcave speciale të ushtrisë së Serbisë në veri të Kosovës, ndaj habit shumë fakti se sa të painformuar paskan qenë Këshilli i Sigurisë, AKI-ja dhe vet Policia e Kosovës dhe si mund të mashtroheshin aq lehtë, nga krejt ato çfarë ndodhnin, duke mos qenë në gjendje, të kenë as informata të mjaftueshme parësore, për paralajmërimin me kohë të Qeverisë se çfarë pritej të ndodhte, ato ditë në veri të Kosovës”, shpjegon Qarri.

Sipas analistit duhet të merren masa për të mos ndodhur raste të tilla pasi nëse nuk shkarkohen personat përgjegjës dhe udhëheqës të organeve shtetërore.

Gjithashtu analisti cek që krejt ajo që ndodhi në veri, vërtetoi edhe njëherë më tepër, se edhe 23 vite pas lufte, jo vetëm Serbia si shtet, por edhe bandat e saj kriminale, e kanë gjendjen nën kontroll dhe ende janë shumë hapa përpara Policisë, AKI-së, Këshillit të Sigurisë.

“Kjo dëshmon se në të gjitha këto organe, ka mangësi të mëdha dhe dobësi të papërshkrueshme, të cilat duhet mënjanuar urgjentisht, duke shkarkuar të gjithë personat përgjegjës dhe udhëheqësit e këtyre organeve shtetërore, në mënyrë që mos të përsëriten dhe ndodhin zhvillime të ngjashme edhe pas një muaji, kur parashihet të vendoset reciprociteti i dështuar me Serbinë, duke na zënë sërish keq në befasi.

Përndryshe krejt ajo që ndodhi në veri, vërtetoi edhe njëherë më tepër, se edhe 23 vite pas lufte, jo vetëm Serbia si shtet, por edhe bandat e saj kriminale, e kanë gjendjen nën kontroll dhe ende janë shumë hapa përpara Policisë, AKI-së, Këshillit të Sigurisë etj, edhe për sa u takon zhvillimeve në vet territorin tonë shtetëror, në Veri të Kosovës, gjë që duhet të marrë fund edhe Kosova edhe përmes konsekuencave të domosdoshme kadrovike e funksionale të sigurisë, ta dëshmoj se është shtet dhe zot i tokave të veta, në gjithë territorin e saj”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat