Veriu cak i sulmeve kriminale e terroriste serbe / Kërkohet arrestimi i bandave kriminale serbe – provat po mblidhen!

Politika

Veriu cak i sulmeve kriminale e terroriste serbe / Kërkohet arrestimi i bandave kriminale serbe – provat po mblidhen!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 gusht 2022 Në ora: 14:55
Ushtarët e NATO-s patrullojnë afër kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje më 2 tetor 2021 ndërsa serbët hoqën kamionët dhe makinat që përdoreshin për të bllokuar kufirin me Kosovën [AFP]

Veriu vazhdon të jetë ‘pikë e nxehtë’, e cila mund të shkaktojë trazira dhe tensione mes Kosovës dhe Serbisë.

Dje ndodhi një sulm i armatosur ndaj policisë së Kosovës në liqenin e Ujmanit, për fat pa viktima.

Ndaj kësaj ngjarje pas ministrit të Brendshëm Xhelal Sveqla reaguan edhe politikanë nga opozita si dhe shefi i misionit të EULEX-it Lars Gunnar-Wigemark, i cili e quajti sulm kriminal. “...këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë akte kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. EULEX-i do t’i shtojë patrullimet e tij në zonë", ka shkruar Wigemark dje në tviter.

Dikur sulmet e tilla UNMIK-u i kualifikonte terroriste, i tillë ishte rasti i gjykimit “Grupi i Dobrosinit”.

Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë cak i sulmeve të armatosura muajve të fundit, për fat ende pa viktima.

Kulmi i tensioneve arriti të dielën e shkuar, një ditë para fillimit të zbatimit të dy vendimeve për reciprocitet nga Qeveria e Kosovë, për targat e Serbisë, dhe ndalimit të hyrjes me dokumente shtetërore (zëvendësimin e tyre siç e bën Serbia me një dokument letër).

Serbia tregoi gatishmëri për të shkaktuar konflikt dhe për të përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit tonë.

Ndikimi i Beogradit në veri është më se i dukshëm, grupet kriminale atje vazhdojnë të operojnë, ndonëse disa prej tyre edhe janë goditur nga policia e Kosovës.

Situata ishte në prag të eskalimit dhe mundësisë të një nisje të një konflikti serioz mes dy vendeve, po reagimi i ndërkombëtarëve dhe bashkërendimi me qeverinë e Kosovës bëri të mundshëm qetësimin e situatës.

Në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, kryeministri Kurti vendosi që ta shtyjë masën e reciprocitetit për një muaj, deri më 1 shtator.

Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, BE-ja reagoi shpejtë duke aranzhuar një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit me 18 gusht në Bruksel.

Për dallim nga Brukseli, SHBA-ja i ka dhënë plotësisht të drejtë Qeverisë së Kosovës për zbatimin e këtyre masave, një javë më parë nga ambasadori amerikan në Kosovë Hovenier, dhe dje nga i dërguari i posaçëm Gabrile Escobar.

Mirëpo, kjo situatë e vuri në dukje nevojën për hetimin dhe arrestimin e grupeve kriminale serbe nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Duket se pa prishjen e ‘foleve’ të tyre nuk do të ketë paqe në këtë pjesë të shtetit tonë.

Shala: Ka filluar mbledhja e provave dhe dëshmive

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

E lidhur me këtë çështje për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Fillimisht, ai mbështeti shtyrjen e vendimit për zbatimin e reciprocitetit deri më 1 shtator, pas gjithë atyre trazirave të grupeve kriminale serbe në veri.

“Pas vendimit të Qeverisë të proklamuar në muajt e fundit në lidhje me masën e reciprocitetit ku patëm fillimin e implementimit të kësaj me datën 31 korrik /1 gusht dhe tentativës për ta penguar në çdo formë dhe mënyrë nga ana e aparaturës shtetërore përmes grupeve kriminale në veri, qeveria e Kosovës në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar mori veprimin e pezullimit për një muaj, që t’i jepet mundësia dialogut dhe gjetjes së rrugës përmes tij në raportin Kosovë/Serbi”, deklaroi ai.

Shala potencoi se institucionet e drejtësisë dhe sigurisë kanë filluar mbledhjen e provave për hetimin e veprave penale në veri të Kosovës.

“Institucionet në koordinim me prokurorinë sipas konferencës nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm vërehet që kanë filluar në mbledhjen e provave dhe dëshmive në rastin e konsumimit të disa veprave penale në veri të vendit që janë nga shkaktimi i përgjithshëm deri te sulmi kundër forcave të rendit”, theksoi eksperti i sigurisë.

Ndër të tjera, ai tha se në momentin që identifikohen personat e përfshirë në ato vepra duhet të intervenojë policia dhe t’i arrestojë ata.

“Dhe në momentin që identifikohen personi/at atëherë është normale që në momentin më optimal e gjithë aparatura shtetërore të intervenojë në arrestimin e këtyre personi/at”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Mehmeti: Të ndiqen penalisht kriminelët në veri të vendit

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” thotë se 1 shtatori do shënojë fundin e ndikimit të Beogradit në veri.

Sipas tij, këtë gjë e ka kuptuar tani më Vuçiqi, me ç’rast edhe i ka shtuar kërcënimet e tij.

“1 shtatori shënon fillimin e fundit të ndikimit të Serbisë në veri. Edhe Serbia e ka kuptuar këtë andaj edhe Vuçiqi ka shtuar kërcënimet. Reciprociteti është i duhur dhe si i tillë s’duhet të hiqet dorë nga ai, në këtë mënyrë edhe shteti serb fillon të mësohet me një gjë të tillë”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Mehmeti kërkoi që të ndiqen penalisht kriminelët në veri të vendit, kësisoj edhe të çlirohet kjo pjesë e Kosovës nga ndikimet dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të Beogradit.

“Kriminelët në veri të ndiqen dhe të kërkohen kudo që janë për tu gjykuar për cenim të sovranitetit dhe integriteti të vendit tonë, kryesisht veriut. Fillimisht duhet të çlirohet veriu nga ndikimi i Beogradit, pastaj të shpartallohen bandat serbe atje”, theksoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat