Një “flakaresh” politik e diplomatik ndaj Serbisë e Rusisë/ Shteti i Kosovës në prag të njohjes nga Ukraina

Politika

Një “flakaresh” politik e diplomatik ndaj Serbisë e Rusisë/ Shteti i Kosovës në prag të njohjes nga Ukraina

Nga: M.L. Më: 9 gusht 2022 Në ora: 22:00
Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiq

Ditët në vijim pritet që në Ukrainë të hidhet në votim rezoluta për njohën e Kosovës.

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko, para disa ditë dorëzoi një draft-rezolutë në parlament, ku kërkohet që Kievi të njohë Prishtinën.

Oleksiy Goncharenko, është deputeti i shtetit që aktualisht po përballet me një terror të ashpër rus.

Ai e ka arsyetuar inicimin e draft-rezolutës me arsyetimin se vendet të cilat e kanë njohur Kosovën, janë të njëjtat vende që përkrahin Ukrainën.

“Mendoj se duhet ta njohim Kosovën, sepse nëse shikoni hartën e vendeve që tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, janë po të njëjtat vende që po përkrahin Ukrainën. Kjo është bota e lirë. Është SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, në të cilën Ukraina është bërë shtet kandidat së fundmi vetëm para një muaji.

Mendoj se pas 24 shkurtit, çdo gjë për gjithë botën u bë absolutisht e qartë: Në Ukrainë ne kemi një situatë tërësisht ndryshe, në Ukrainë ne kemi pushtim nga fqinji ynë, që është agresori, Rusia, dhe është absolutisht ndryshe me atë se çfarë ka ndodhur më shumë se 20 vite më parë në Kosovë ku një shtet tjetër ka kryer gjenocid”, tha mes tjerash deputeti.

Por, sa ka gjasa që Kosova të sigurojë njohjen nga Ukraina, duke marr shkas nga lufta e ashpër e Rusisë, mbi këtë shtet?

Këtë për gazetën “Bota sot” e ka komentuar njohësi i çështjeve politike, prof. Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai ka deklaruar se do ishte padrejtë që deputetët ukrainas të mos e votonin rezolutën për njohjen e Kosovës.

Lajmi për iniciativën e njohjes së shtetit të Kosovës nga Ukraina është shumë i arsyeshëm. Do ishte jo vetëm e padrejtë, por edhe e turpshme për parlamentarët e Ukrainës që mos të merrnin parasysh projektligjin e deputetit, Oleksiy Goncharenko, për njohjen e Kosovës nga deputetët e këtij shteti të sulmuar nga Rusia”, ka thënë ai.

Sipas profesorit, kjo gjë duhet të shikohet edhe në aspektin diplomatik, duke qenë se Kosova ka qenë mjaft e zëshme kundër dhunës dhe terrorit rus mbi Ukrainën që po ndodhë tash e sa muaj.

“Nëse Ukraina e njeh Serbinë që përkrahë agresionin e Rusisë në këtë shtet, e në anën tjetër qeveria e Kosovës në mënyrë titanike si në aspektin shtetëror, si në atë diplomatike dhe përkrahjes ushtarake është kundër Rusisë e në anën e Ukrainës, atëherë nuk ka arsye e argumente më të forta për parlamentin e Ukrainës që mos ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka nënvizuar Mehazi.

Ai ka thënë se, me këtë akt do të dobësohej edhe Serbia edhe ndikimi rus në Ballkan përmes saj.

“Njohja e Kosovës nga Ukraina do ishte dhe një flakaresh politik e diplomatik, jo vetëm për Rusinë por edhe për qeverinë e Serbisë. Njohja e Kosovës nga Ukraina do ishte dobësimi i Serbisë dhe prerje e ndikimeve ruse në Ballkanin Perëndimor me anë të Serbisë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat