Rreziku nga lufta në Kosovë?/ Pas 1 shtatorit mund të ketë trazira dhe veprime terroriste nga serbët

Politika

Rreziku nga lufta në Kosovë?/ Pas 1 shtatorit mund të ketë trazira dhe veprime terroriste nga serbët

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 gusht 2022 Në ora: 12:11
Një ushtar amerikan i NATO-s duke ecur nëpër një rrugë të bllokuar nga serbët lokalë.

Një deklaratë e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në një intervistë dhënë për të përditshmen italiane “La Repubblica”, ka shkaktuar debate të shumta politike.

Kryeministri Kurti përmendi rrezikun që mund t’i shfaqet Kosovës nga Serbia, ndërkaq sipas tij edhe protestat e javës së kaluar në veri nuk ishin spontane, por të organizuara nga Beogradi me mbështetje të Rusisë.

Kurti i pyetur nga La Repubblica se sa është i lartë rreziku për një konflikt të ri, tha: “Nuk do të thoja shumë i lartë, ngase këtu kemi kontingjentin e NATO-s, por i lartë është sigurisht. Në fund të fundit jemi një demokraci, që jemi në kufi me një autokraci.

Para pushtimit të Ukrainës gjasat kanë qenë të pakta, tani situata ka ndërruar. Episodi i parë, rrjedhojë e idesë fashiste të pansllavizmit që ka Kremlini ishte Ukraina. Nëse do të ketë një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë gjasat që një luftë e tretë të ngjajë në Ballkanin Perëndimor, e në Kosovë veçanërisht, janë shumë të larta”.

Mjaftuan këto fjali që opozita në Kosovë të ‘shpërthejë’ me reagime, kritika e vërsulje ndaj kryeministrit Kurti.

Sa janë të arsyeshme kritikat ndaj kryeministrit Kurti ka dyshime, kjo pasi situata në veri dhe raportet Kosovë-Serbi së fundmi janë tensionuar së tepërmi.

Qarri: Akti i ndarjes së Kosovës dhe gllabërimit të veriut nga Serbia, mjerisht iu la në derë, pabesisht Kosovës

Image
Gani Qarri

E lidhur me këtë temë, në një bashkëbisedim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai thotë se të gjitha këto konflikte mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë diçka e re, janë diçka që është planifikuar sipas tij nga Thaçi dhe Vuçiqi, gjatë bisedimeve të tyre të fshehta.

“Në fakt në Kosovë nuk po ndodhë asgjë e re dhe as e rastësishme, të gjitha këto janë planifikuar e parapërgatitur deri në detaje nga Thaçi e Vuçiqi, qysh në bisedimet e tyre të hapura dhe ato të fshehta, të zhvilluara prapa shpinës së qytetarëve të Kosovës, për vite të tëra. Nënshkrimi i marrëveshjes për "zajednicën" serbe, rriti edhe më tepër tendencat monstruoze për ndarjen dhe ri copëtimin e Kosovës, që ishte shndërruar në agjendë jetike të Hashim Thaçit, i cili jo vetëm që e kërkonte ndarjen vet publikisht siç ndodhi në Alpbach të Austrisë, por me urdhër të tij, paguheshin edhe firmat e huaja për proklamimin e ndarjes së Kosovës kudo në botë, me parat e taksapaguesve të Kosovës.

Pikërisht për këtë rast, kohët e fundit është ngritur edhe padi penale kundër ish këshilltares së Thaçit e të Kadri Veselit, si dhe ministres së Qeverisë së PAN-it, Dhurata Hoxha, veprime të rënda antishtetërore për të cilat, kemi tërhequr vërejtjen në vijimësi, disa herë”, deklaroi analisti.

Sipas tij, akti për ndarjen e Kosovës, iu la padrejtësisht barrë kryeministrit Kurti.

Ai shtoi se Thaçi e Mustafa i kanë kryer më shumë favore shtetit serb, se sa fuqitë e mëdha botërore.

“Akti i ndarjes së Kosovës dhe gllabërimit të veriut nga Serbia, mjerisht iu la në derë, tradhtisht Kosovës nga vet kuislingu Hashim Thaçi dhe renegati jugokomunist, Isa Mustafa, të cilët përveç nënshkrimit të përsëritur të marrëveshjes kundër kushtetuese të asociacionit një etnik serb, detyruan deputetët e legjislaturës së atëhershme të përgatisnin bosnjëzimin e Kosovës, me një republikë të re serbe, ta miratonin edhe në Kuvend.

Me këtë veprim kaq të paprecedent që në asnjë vend sado të prapambetur të botës, as politikanët më amator nuk do ta merrnin guximin ta bënin kundër popullit dhe shtetit të vet, Thaçi dhe Mustafa i kanë krijuar favor aq të fuqishëm Serbisë okupatore, sa që as fuqitë e mëdha, nuk po mund t’i kundërvihen prerë dhe me vendosmëri, këtij shteti ish-okupator të Kosovës, i cili bazuar po në marrëveshjen për asociacionin kundërkushtetues, ende nuk po heqë dorë nga pretendimet e hapura territoriale ndaj vendit tonë”, potencoi Qarri.

Në vazhdim, analisti përmendi disa nga shenjat më serioze që tregojnë seriozitetin e madh të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Vet reagimi i disahershëm i KFOR-it, NATO-s dhe udhëheqësve më të lartë të SHBA-ve, si dhe atyre të Bashkimit Evropian, mbajtja në këmbë për muaj me radhë i gjithë potencialit policor të Republikës së Kosovës, vendosja në afërsi të kufijve tanë shtetëror, të ushtrisë së Serbisë dhe kërcënimet e përditshme për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, gjuajtjet me armë ndaj njësive të policisë edhe gjatë kryerjes së detyrave rutinë, nga bandat kriminale serbe në veri, të gjitha këto flasin më së miri për përmasën e seriozitetit të situatës në të cilën Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe udhëheqësit e partive të inkriminuara opozitare e lanë të ngujuar Kosovën.

Dhe sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, zhvillimet e fundit na bëjnë të dyshojmë, se pasardhësit e Thaçit dhe të Isa Mustafës edhe sot vazhdojnë të bashkëpunojnë e koordinojnë ngushtë veprimet me Vuçiqin dhe bandat kriminale serbe në veri, ani pse ato, ka kohë që janë futur edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve”, nënvizoi ai.

“Edhe Serbia njëjtë si mentori i saj, Rusia, po dëshiron të tregojë se është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë”

Krahas kësaj, Qarri thotë se marrë parasysh faktin se Vuçiqi ka qenë ministër i informatave të qeverisë së Millosheviqit, mundësia për shpërthimin e një luftë është e pranishme dhe rritet në vazhdimësi.

“Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se me Serbinë vazhdon të udhëheqë Aleksandër Vuçiqi, i cili pikërisht gjatë luftës dhe okupimit klasik të Kosovës nga Serbia, ishte ministër i informatave të qeverisë së Millosheviqit, po të mos ishin të pranishme kontingjentet e forcave të NATO-s, rreziku për luftën Serbi-Kosovë, i paraprogramuar qysh nga nënshkrimi i marrëveshjes fatale për asociacionin kundërkushtetues një etnik serb, mbetet i pranishëm çdo herë dhe rritet në vijimësi.

Ndaj, nëse jo më herët, të paktën pas nisjes së sulmeve të Rusisë për okupimin e Ukrainës, kërcënimet e Vuçiqit, do të bëheshin realitet dhe ndoshta njëkohësisht me agresionin rus mbi Ukrainë, do të shpërthente edhe invazioni ushtarak i Serbisë hegjemoniste, për riokupimin ose të paktën ricopëtimin dhe gllabërimin e pjesëve më vitale të Kosovës. Vet gjendja alarmante që tash e sa kohë po vazhdon veçanërisht nga veprimet e bandave të organizuara kriminale serbe në veri, të inspiruara nga prapaskenat e Thaçit me Vuçiqin dhe të mbështetura hapur dhe në vijimësi nga Serbia, flet shumë më tepër se sa mijëra fjalë, për shkallën e lartë të rrezikshmërisë, që është kthyer në kërcënimin më të madh të mundshëm deri më tani për Kosovën”, shpjegoi analisti.

Tutje, ai thotë se rrezikun që Kurti po e përmend tani nga shteti serb, fajtorë kryesor dhe përgjegjës janë Thaçi dhe Mustafa, të cilët nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Asociacionit.

“Kjo tregon seriozitetin real të situatës, në të cilën arritën ta sillnin Thaçi & Co, me veprimet e tyre kundërshtetërore Kosovën, duke nënshkruar marrëveshje me të cilat i shtuan orekset Serbisë hegjemoniste, për ndarjen e veriut dhe futjen në luftë të Kosovës me Serbinë hegjemoniste, mbi dy dekada pas mbarimit të luftës.

Kështu që duhet cekur edhe njëherë fort se rrezikun për luftë e konflikt të armatosur me Serbinë hegjemoniste, Kosovës ia lanë në derë kuislingu Hashim Thaçi e renegati Isa Mustafa, ndaj duke pasur parasysh edhe pamundësinë e kundërvënies së Kosovës me forcat e veta mbrojtëse, agresionit okupues ushtarak të Serbisë në Kosovë, ashtu siç e ka cekur në mënyrë tejet domethënëse edhe kryeministri Kurti, sot Serbia jo vetëm që shpreh hapur kërcënimet e saj, të përditësuara nga Beogradi, por me ndërhyrjet e vazhdueshme dhe nxitjen e bandave kriminale serbe për barrikadimin e rrugëve, ngritjen e tensioneve, e deri te sulmet me armë kundër policisë së shtetit tonë në veri, dëshmon se po të mos ishte prania e NATO-s, do ta provonte ta invadojë vendin tonë edhe me ushtri”, vlerësoi Qarri.

Ndër të tjera, analisti thotë se Serbia po dëshiron që përmes ndërhyrjes në veri t’ia marrë Kosovës disa nga pjesët më vitale të saj, përfshirë liqenin e Ujmanit dhe minierën e Trepçës.

Sipas tij, këto janë synimet kryesore të Beogradit dhe nuk është pakica serbe si po e proklamon ai.

“Edhe Serbia njëjtë si mentori i saj, Rusia po dëshiron të tregojë se është e gatshme të ndërhyjë në Kosovë, për okupimin e veriut dhe pjesëve më vitale të vendit tonë, përfshirë Ujmanin dhe minierat më prodhuese të Trepçës, që nga Mitrovica e Zveçani ku ndodhen shkritoret kryesore të Trepçës dhe pasuritë më të mëdha ujore dhe minerare të Republikës së Kosovës, për të cilat Serbia hegjemoniste po dëshmon publikisht se është shumë më e interesuar, se sa për fatin e pakicës serbe, për të cilën nuk ka reaguar as para stuhisë kroate, kur shteti kroat ia dhuroi me bujari Serbisë, të gjithë serbët që ajo nxiste të rebeloheshin kundër Kroacisë, gjë që në koordinim me miqtë e saj, duhet ta shqyrtojë dhe marrë në konsideratë edhe Kosova, për ta vendosur përfundimisht rendin e ligjin edhe në veri”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Kelmendi: Konflikti për luftë midis Kosovës dhe Serbisë është real

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi thotë se konflikti mes Kosovës dhe Serbisë ende ekziston, pasi nuk kanë asnjë raport normal mes vete.

Ai në një prononcimin për “Bota sot” u shpreh se me veprimet e fundit në veri, serbët dëshirojnë që t’i krijojnë kushtet e përshtatshme për të luftuar.

“Një konflikt midis Kosovë dhe Serbisë veç ekziston. Nuk e ka Kosova asnjë raport normal me Serbinë. Minoriteti serb në Kosovë është organizuar dhe armatosur, priten veprime kriminale e terroriste. Kjo, jo vetëm me bllokim të rrugëve, por edhe me aksione terroriste në Kosovë. Qëllimi është krijimi i kushteve që së paku në veri të Kosovës të kemi një gjendje lufte apo edhe të përshtatshme për luftë”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Kelmendi thotë se çështja që po e ‘udhëheq’ këtë konflikt është Asociacioni i komunave me shumicë serb.

Madje, ai e krahasoi situatën në veri, me gjendjen në Donbas të Ukrainës pak para fillimit të agresionit rus.

“Në kuadër të krijimit të kushteve të tilla, veçse po prinë ideja e Asociacionit serb në veri në kuptim të pushtetit ekzekutiv. Tamam një gjendje si në Donbas të Ukrainës para agresionit rus.

Kështu po pritet të shpallet pavarësia e veriut të Kosovës të pushtuar nga serbët dhe mbi këtë edhe ideja e bashkimit me shtetin serb. Me këtë nuk pajtohet BE-ja dhe as SHBA-të, kuptohet se as Kosova assesi një gjendje të tillë nuk mund ta pranojë. KFOR-i duhet të intervenoj, mos intervenimi i tij e detyron Prishtinën të shkojë në veprim për të luftuar krimin dhe terrorizmin në veri të Republikës. Këtu është edhe momenti kur mund të vijë deri te konflikti i armatosur”, theksoi ai.

Më tej, profesori përmendi përkrahjen që Kosova po e merr nga Uashingtoni dhe përkrahjen që Serbia po e merr nga Moska.

“Lidhur me këtë është deklaruar edhe Moska, Brukseli dhe Uashingtoni. Moska po e përkrah intervenimin serb dhe ndarjen e veriut nga Kosova. KFOR-i ka deklaruar se nuk lejon kurrfarë konflikti dhe asnjë ç'rregullim të gjendjes në Kosovë.

Kosova vetë nuk ka ku shkon, republika është e organizuar dhe e ka një tërësi territoriale që duhet domosdo të mbrohet nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Mbi këtë e kemi një gjendje të rëndë”, shpjegoi Kelmendi.

Në fund, ai paralajmëroi se pas 1 shtatorit mund të ketë trazira dhe veprime terroriste nga serbët nëse nuk arrihet një marrëveshje e duhur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Me 1 shtator, nëse nuk bëhet ndonjë zgjidhje, priten veprime terroriste nga serbët në veri. E këtu nuk ka ku shkon Kosova, ajo duhet të mbrohet dhe do të mbrohet.

Me këtë krijohet gjendja e luftës midis Kosovës dhe Serbisë.

Dhe, në këtë luftë, anash nuk do të mbetet as KFOR-i dhe as SHBA-të, ato duhet ta mbrojnë Kosovën nga agresioni serbo-ruso-sllav dhe kinez i armatosur, pasi është detyrë e tyre. Nuk është çliruar Kosova që tash të ndahet dhe të copëtohet apo edhe të pushtohet. Jo”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat