FSK të vendoset urgjentisht në veri / Serbia po maskon planet për ndërhyrje me luftë speciale

Politika

FSK të vendoset urgjentisht në veri / Serbia po maskon planet për ndërhyrje me luftë speciale

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 gusht 2022 Në ora: 11:56
FSK

Serbia nga kërcënuese e hapur me ndërhyrje ushtarake në Kosovë, deri pak kohë më parë, ku shquheshin në vazhdimësi presidenti i Serbisë Vuçiqi, Vulini, Daçiqi, shefi i ushtrisë dhe të tjerë, tashmë ka filluar ta maskojë, këtë, duke e fshehur këtë qëllim, se kinse Kosova do të ndërmerrë fushatë vrasjesh në veri.

Në fakt, është i njëjti qëllim, më parë paralajmëronte ndërhyrje nëse Kosova e shtrinte sovranitetin e plotë në veri, ndërsa tash, thotë se serbët janë të rrezikuar që të vriten nga forcat shqiptare. Këtë artikulim i pari e ka dhënë, krimineli Millan Radojçiq, i kërkuar për një mori veprash penale, përfshirë akuzën si numri dy i bandës së krimit të organizuar ndërkombëtar me seli në veri, nga SHBA-të. Ai në një video të bërë javë më parë, dha një deklaratë të rrejshme se serbët në veri janë të rrezikuar nga Kosova, por janë të vendosur të mbrohen.

Pikën për udhëtime për shtetasit e Kosovës në Serbia, me dokument-letër me afat 60 ditor, Serbia e ka filluar prej disa vitesh, që kur është nënshkruar marrëveshja për lehtësi udhëtimi, pasi Serbia nuk i njeh dokumentet shtetërore. Por, kjo nuk zgjati për Kosovën sepse situata në veri u tensionua nga grupet kriminale në veri të Mitrovicës, të cilat barrikaduan me kamionë lëvizjen atje.

Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin e në bashkëpunim me shtetin amerikan, konkretisht me ambasadorin Jef Hovenier vendosën që ta shtyjnë zbatimin e vendimit për dokumentet e udhëtimit, për shtetasit e Serbisë. Megjithatë, qeveria nuk është tërhequr plotësisht nga vendimi, dhe ka njoftuar se do të fillojë zbatimi më 1 shtator.

E, për situatën e tillë, kryeministri Kurti ka thënë se pritet të ketë tensione, por që Kosova është e përgatitur dhe që duhet të jemi vigjilentë për këtë.

Nga ana tjetër, sa është e përgatitur FSK-ja, meqenëse ministri Armend Mehaj thotë se FSK-ja është e gatshme për veprim në çdo cep të Kosovës.

A duhet që FSK-ja të vendoset në veri?

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se një gjë e tillë duhet të jetë në koordinim me NATO-n.

Halimi: Çdo veprim duhet të jetë në koordinim me NATO-në

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), për “Bota sot” thotë se veprimet nga ana e Kosovës duhet të jenë në koordinim me vendet aleate.

“Kosova e njohur dhe e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare si shtet i pavarur dhe sovran në parim as që do të duhej diskutuar lëvizja e forcave të saj brenda territorit të saj, madje me një shpërndarje permanente në vendet strategjike me anë të kazermave, qoftë edhe në veri.

Mirëpo, marr për bazë situatën aktuale jo vetëm në rajon por edhe në glob, çdo veprim duhet të jetë në koordinim me NATO-n, përkatësisht vendet aleate, por edhe atëherë veprimtaritë ushtarake dhe policore të mos shihen si lëvizje të jashtëzakonshme, pra pa i bërë shumë mediale. Ndryshe fatmirësisht siguria e Kosovës përveç nga forcat tona të sigurisë, është e garantuar nga NATO-ja kur bëhet fjalë për agresion të jashtëm”, deklaron Halimi.

Sa i përket vendosjes së FSK-së atje, ai thotë se ajo mund të reagojë shpejt edhe po mos të jetë perzente atje, duke shtuar se vendin tonë mund ta përshkojnë për dy orë.

“Çka e bën jo aq emergjente dhe spektakulare vendosjen e FSK-së në atë pjesë, sikurse di të bëjë Serbia përreth kufirit me Kosovën si provokim. Përveç kësaj në çdo rrethanë të jashtëzakonshme, FSK-ja shpejt mund të reagoj edhe po të mos jetë prezente atje, nëse marrim për bazë territorin e vendit tonë që për dy orë e përshkon të tërin”, përfundoi ai.

Shala: Reaguesi i parë janë institucionet e sigurisë (Policia), pastaj ato ndërkombëtare EULEX dhe si reaguesi i tretë KFOR

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, deklaron se dërgimi i FSK-së është rregulluar në një marrëdhënie me KFOR-in, dhe lëvizja në atë pjesë duhet të bëhet në koordinim të plotë me ta.

Dërgimi i FSK-së në veri të vendit është e rregulluar në një marrëdhënie me KFOR-in respektivisht NATO-n, se si mund të lëviz në atë pjesë në një koordinim të ngushtë me forcën ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Sepse është e përcaktuar edhe në nivelet e reagimit institucional në vend në rast të përcaktimit të situatës së sigurisë, ku reaguesi i parë janë institucionet e sigurisë (policia), pastaj ato ndërkombëtare EULEX-i, dhe si reaguesi i tretë KFOR-i si komponent ushtarake”, thotë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë bashkëpunim ushtarak me KFOR-in.

“Niveli politik duhet të ndalet në retorikën e tyre në lidhje me lëndimin e procesit të FSK-së në të cilën gjendet në rrugën e saj drejt NATO-s.

Kosova nuk duhet të kërkojë konfrontim ushtarak, por duhet të kërkojë bashkëpunim ushtarak ku do të kishte hapësirë të kemi një subkoordinim të ngushtë me ushtrinë amerikane në nivel bilateral dhe me KFOR-in në nivel politik/ushtarak siç është deri më tani”, deklaron ai.

Në fund, shton se në rast të ndonjë lufte, qytetarët dine të vetorganizohen për ta mbrojtur pragun e shtëpisë si në vitet e ’90-ta.

Por, në rast të involvimit të një lufte që po e proklamon kryeministri gjendet Kosova, atëherë qytetarët e Kosovës dinë të vetorganizohen siç ka ndodhur në vitet e ‘90-ta duke ruajtur dhe mbrojtur pragun e shtëpisë dhe duke i dalur ndihmë atdheut të tyre”, nënvizon ai.

Por, pavarësisht nga këto mendime, të cilët, gjendjet i shohin si statike dhe në një mënyrë të përhershme, thuajse administrative, me fillimin e luftës në Ukrainë, të pushtimit rus, kërcënimit të përhershëm jo vetëm retorik, por edhe sipas marrëveshjeve Rusi-Serbi, është në dorën e institucioneve, që të kërkojnë rishikimin e dokumenteve, përkatësisht marrëveshjeve të bëra me NATO-n, të cilat favorizonin Serbinë dhe destruktivitetin serb në veri.

Institucionet duhet të avokojnë bindshëm tek shtetet e fuqishme mike, që ta sqarojnë se është imanente të ndryshojnë marrëveshjet në favor të rritjes së sigurisë së Kosovës dhe të veriut në veçanti. Po ashtu se Kosova dëshiron të jap kontribut maksimal me fuqinë e saj ushtarake në krijimin e sigurisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat