Pse Vuҫiq po bën propagandë sikur Kosova po nxitë luftë dhe dëshiron të vrasë serbë në veri?

Politika

Pse Vuҫiq po bën propagandë sikur Kosova po nxitë luftë dhe dëshiron të vrasë serbë në veri?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 gusht 2022 Në ora: 15:58
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq - Foto ilustrim "Bota sot".

Pavarësisht luftërave kriminale dhe gjenocidit që Serbia e bëri në Kosovë, ky shtet kriminal vazhdon të bëjë propagandë kundër Kosovës, me qëllim që ta paraqesë me imazh kriminal, pa kryer strukturat e shtetit, as të UNMIK-ut, asnjë vrasje ndaj serbëve, që kur u çlirua Kosova nga Serbia dhe regjimet e saj kriminale, 23 vjet më parë.

Presidenti serb Aleksandër Vuҫiq po vazhdon me propagandën e tij duke thënë se Kosova po bëhet gati ta sulmojë veriun dhe të vrasë serbët.

Siç thotë ai, Kosova po e përdorë situatën në Ukrainë për të bërë fushatë kundër Serbisë dhe se sipas tij “është gënjeshtër se Serbia dëshiron të sulmojë këdo”.

“Kosova po përgatit likuidimin e njerëzve tanë nën petkun e luftimit të krimit, prandaj i paralajmëroi që të mos e bëjnë fare këtë”, shkruajnë mediat serbe.

Një përgjigje të duhur kësaj propagande serbe ia ka dhënë ambasadori amerikan në Serbi, Kristofer Hill, i cili në një intervistë televizive tha dje se është e rëndësishme që serbët ta kuptojnë se kush i udhëhoqi në vitet e ‘90-ta dhe çfarë dëme u bëri Millosheviqi popujve të tjerë në Ballkan.

Pra, çelësi i të gjitha të këqijave janë regjimet serbe që projektojnë eliminimin e fqinjëve.

Këtë propagandë të Vuҫiqit e kanë komentuar ekspertët e sigurisë dhe jurist. Kështu, Hajrullah Tërnava thotë se kjo situatë e pas luftës e deri më tani, ishte me plot propagandime nga ana e Serbisë ndaj Kosovës, sepse ajo edhe më tutje edhe pse Kosova është shtet i pavarur, bën ҫ’mos duke e kundërshtuar sovranitetin e shtetit tonë.

Tërnava: Serbia bën ҫ’mos duke e kundërshtuar sovranitetin e Kosovës

Image
Hajrullah Tërnava

“Shembulli më i keq është që Serbia ende Kosovën e ka në Kushtetutën e saj, pra territor të saj, pavarësisht që e nënshkroi kapitullimin në vitin 1999 në Kumanovë. Kosova qeveriset vetë dhe territorin e saj e garanton KFOR-i si pjesë përbërëse e NATO-s, dhe po ashtu Kosova i ka strukturat e veta mbrojtëse të rregullta si FSK-në, Policinë, AKI-në etj.”, thekson eksperti Tërnava.

Ai thotë më tutje se, që nga paslufta e deri më tani kishte tentime nga ndërkombëtarët që të ndërmjetësojnë në ato bisedime për njohje reciproke, por deri tani nuk u arrit ndonjë rezultat, tani kur Rusia e sulmoi Ukrainën dhe ajo luftë tani po zhvillohet pandërprerë qe disa muaj, dhe në krahun e Ukrainës janë renditur të gjitha shtetet demokratike të botës në krye me SHBA.

“Kurse vetëm Serbia është në përkrahje të Rusisë, prandaj Vuçiqi tani po tenton me luftëra speciale si propaganda etj, disi së paku që një pjesë të Kosovës, si veriun ta merr dhe t’ia bashkangjet Serbisë, dhe me këtë do të pajtohej që të arrihej njohja reciproke, sepse tani edhe kësaj pune i ka ardhur fundi, kur e kemi parasysh se lufta që tani po zgjat qe disa muaj mes Rusisë dhe Ukrainës, e qëllimi i Vuçiqit është që së paku pjesën e veriut t’ia bashkangjes Serbisë dhe me këtë popullin serb do ta bindte që ia arritën qëllimit që ato pjesë t’ia bashkangjesin Serbisë. Tani e mbi 22 vite regjimet në Serbisë, edhe Vuçiq e kanë gënjyer popullin e tij se edhe Kosova është pjesë e Serbisë duke aluduar në Kushtetutën e tyre që e kanë. Edhe ditëve kur u krijuan ato barrikada në veri të Mitrovicës te Leshaku dhe Zubin Potoku, propaganda serbe bënte ҫ’mos duke shpikur dezinformata se policia e Kosovës dhe shqiptarët po e sulmojnë popullin serb, dhe se në spitalin e Mitrovicës ka shumë serbë të plagosur. Këtë dezinformatë e shkepte radio Gorazhdeci e që e përcillte TV Pink i Beogradit, që në të vërtetë asnjë shkrepje nga popullata shqiptare nuk është bërë, që të plagosej ndonjë serb. Ky Vuçiqi për propagandat e tij është ai që në kohën e Milosheviqit ishte ministër në qeverinë e tij, dhe popullit boshnjak gjatë luftërave që bëheshin në vitet e ‘90-‘95-ta, i kërcënohej se për një serb të vrarë do t’i vrasin 100 boshnjakë. Prandaj, meqë po ky kryetar tani i Serbisë që ishte si ministër në kohën e Milosheviqit, tani nuk do më koment, se e kaluara e tij është mjaft e njohur me ato veprime që i ka bërë në të kaluarën dhe po i vazhdon edhe tani”, vlerëson ai.

Eksperti Tërnava thotë për ‘Bota sot’ se, të thënat e tij se Kosova po bëhet gati ta sulmoj veriun të vrasë serbë, është një gënjeshtër e madhe, sepse kufijtë e territorit të Kosovës janë kompetencë e ndërkombëtarëve, sikur që është KFOR-i që pa lejen e tyre s’mund të ndodhe diçka e tillë.

“Tani ditëve në vijim do të vazhdojnë bisedimet të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët për tu arritur njohja reciproke mes këtyre dy shteteve, dhe nëse arrihet një marrëveshje e tillë do të ishte mirë për të dyja shtetet Serbi-Kosovë, që shpejt këto dy shtete ta gjejnë veten në rrethin e shteteve të BE-së, në të kundërtën nëse nuk arrijnë që të pajtohen me njohje reciproke, trendi i tyre do të vazhdoj si i pasuksesshëm, por tani situata e krijuar mes luftërave që i ceka, do t’i ndërrojnë qëndrimet e shteteve demokratike në krye me Amerikën, dhe politikat ndërkombëtare do të insistojnë që ato 5 shtete që se kanë njohur Kosovën ta njohin pavarësinë e saj, dhe tani Kosovës do i hapen dyert drejt BE-së, dhe anëtarësimi i saj si në NATO, Interpol, liberalizimi i vizave, anëtarësimi në OKB dhe Kosova do t’ia arrij qëllimit të saj, sepse shumë nga shtetet e BE-së dhe jashtë saj në krye me Amerikën e përkrahin Kosovën në këtë drejtim”, thotë ai.

Ndërkaq, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se me fitu kundër propagandës serbe duhet të jeshë i mençur politikisht, mos me përmend luftën, por me përmend paqen.

Burjani: Është e papranueshme politikisht dhe në kuptimin e zgjidhjeve paqësore të përmendet termi luftë

Image
Blerim Burjani

“Nëse njëra palë e para e përmend luftën politikisht, kuptohet bën nxitje për veprime dhe akte dhune të dënueshme ndërkombëtarisht, pa marrë parasysh se kush e përmend, nëse përmendet termi luftë është gabim strategjik, akt i dëshiruar me zëvendësim të paqes, e lufta nuk ka dhe nuk mund të ketë përparësi kundrejt zgjidhje paqësore të kontesteve qoftë historike ose të bëra ndryshe”, thekson Burjani.

Ai thotë se, është e papranueshme politikisht dhe në kuptimin e zgjidhjeve paqësore të përmendet termi luftë, madje edhe kur keni të drejtë sepse politika e sotme bashkëkohore luftën se pranon si solucion, si zëvendësim i mjetit diplomatik paqësor.

“Pra, duhet të ketë kujdes të madh me terma të kësaj natyre që janë shumë serioze dhe të përgjegjshme ndërkombëtarisht për ata që përmendin apo e bëjnë atë. Kosova nuk merret me pakica, por ato i trajton konform konventave ndërkombëtare dhe formulës së diskriminimit pozitiv, pra deri tash askush në Kosovë nuk u merr me veriun në këtë dimension siҫ e përmend Vuҫiqi, por tek në fjalët e Vuҫiqit trajtohen si jo mençuri dhe jo balancë mentale. Kosova nuk merret me këto tema, Vuҫiqi po e shtjellon dhe stimulon sistemin nervor gabimisht dhe propagandistik”, vlerëson Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat