Çfarë rreziku mund të ndodhë nga ndërtimi i bazës ushtarake ruse në Serbi / Ky është paralajmërimi për Kosovën!

Politika

Çfarë rreziku mund të ndodhë nga ndërtimi i bazës ushtarake ruse në Serbi / Ky është paralajmërimi për Kosovën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 gusht 2022 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

Ditë më parë një nga temat që është diskutuar ka qenë mundësia që në Serbi mund të shfaqet një bazë ushtarake, e cila do të kryejë detyra të ndryshme zbulimi dhe do të monitorojë mjedisin, sipas ekspertit ushtarak dhe historianit rus Boris Julin.

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, ka folur për këtë duke thënë se “krijimi i bazave ushtarake ruse në Serbi është çështje sovrane e atij vendi”.

Përveç kësaj, shton ai, kjo është një çështje e vetë Rusisë.

"Sa i përket qendrës së përbashkët humanitare, ajo ekziston dhe funksionon për reagim ndaj krizave në rast të fatkeqësive humanitare”.

Ambasadori theksoi se Serbia është një vend mik dhe se Beogradi "thelbësisht kundërshton sanksionet anti-ruse".

Në të njëjtën kohë, Harçenko iu referua komponentit politik në marrëveshjen për furnizimin e gazit me çmimin më të favorshëm dhe se Rusia siguron stabilitetin energjetik të Serbisë. Vendet, shtoi ai, vazhdojnë edhe “bashkëpunimin ushtarako-teknik, si rezultat i të cilit krijohen kushte të favorshme për cilësinë e asaj që dorëzohet”.

Eksperti ushtarak Julin thekson se nuk është shumë e qartë se çfarë përfitimesh do të ketë krijimi i një baze ushtarake në Serbi.

Shala: Opozita në Kosovë duhet që të bashkërendoje veprimet nga pozicionet e tyre me faktorin ndërkombëtar

Image
Drizan Shala

 

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se hapja e një baze ushtarake ruse apo kineze në vitet në vazhdimësi kjo mund të lënë hapësirë që influencimi i tyre në këtë segment mund të prodhoje politika kundër sigurisë.

“Serbia ka një mori programe të bashkëpunimit me NATO në nivel të ndryshme, por është një fakt interesant përpos që është nënshkruese e programit për Partneritet për Paqe, ajo vazhdon tutje që të pozicionohet në një pozitë neutrale në raport më fuqinë e saj ushtarake duke bashkërenduar veprimet në investime ushtarake nga Rusia dhe Kina.

Hapja e një baze ushtarake ruse apo kineze në vitet në vazhdimësi kjo mund të lënë hapësirë që influencimi i tyre në këtë segment mund të prodhoje politika kundër sigurisë në Ballkanin Perëndimore”, u shpreh ai.

Eksperti i sigurisë thotë që opozita duhet të jetë në dijeni që Rusia dhe Kina kanë impakt të drejtpërdrejt në politikat e sigurisë së Kosovës.

“Opozita në Kosovë duhet që të bashkërendojë veprimet nga pozicionet e tyre me faktorin ndërkombëtar duke njoftuar për kërcënimet që vinë nga pozicionimi i një fuqie ushtarake në Ballkan siç janë Rusia dhe Kina që mund të destabilizojne dhe kenë impakt të drejtpërdrejt në politikat e sigurisë së Kosovës nëse ajo deri atëherë nuk është pjesë e NATO-s dhe BE-së.

Institucionet e Kosovës në takimet që kanë me faktorin dhe mekanizmin ndërkombëtar në Kosovë dhe jashtë saj kanë avokuar për gjendjen aktuale në të cilën është duke kaluar Kosova në raport me agresionin serb, që është duke ndodhur brenda territorit të Kosovës duke fuqizuar ajo grupet kriminale me pretendime kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, thotë eksperti.

“Duhet që të hartohet një grup punues në raport dhe lidhje të ngushtë me Departamentin Amerikan të shtetit dhe Londrën zyrtare që orientimi i Kosovës do të jetë Amerika dhe Anglia si pika orientuese politike dhe ushtarake në raport meë cenimet që mund t’i kanoset Kosovës në një periudhë 20 vjeçare”, shpjegoi Shala për “Bota sot”.

Duhanaj: Prezenca ruse në rajon, përbën kërcënim për botën demokratike në përgjithësi, për Europën dhe SHBA-të dhe NATO-n

Image
Leon Duhanaj

 

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë që nëse ndërtohet një bazë ushtarake ruse në Serbi përbën kërcënim për rajonin dhe shteti duhet të reagojë.

“Ndërtimi i çfarëdo baze ushtarake ruse, qoftë në Serbi apo edhe rajon, përbën kërcënim për rajonin në përgjithësi, e për shqiptarët në veçanti. Natyrisht kjo është shqetësuese dhe duhet reaguar si shtet. Megjithatë mendoj se ne jemi të pafuqishëm për të ndryshuar ndonjë gjë në realitetin politik global. Prezenca ruse në rajon, përbën kërcënim për botën demokratike në përgjithësi, për Europën dhe SHBA-të dhe NATO-n. Këndej konsideroj që politika shqiptare përpos të jetë e zgjuar dhe në harmoni me politikat e QUINT-it, nuk ka çfarë të bëj më tepër”, potencon analisti.

Në fund, ai shton që klasa politike e Kosovës, qoftë pozita apo opozita e ka për obligim të jetë në koordinim me aleatet tanë.

“Ne kemi dëgjuar shpesh në prezantimet e tyre, qoftë presidenten Osmani, qoftë kryeministrin Kurti të potencohen për çështje të politikave globale, duke u munduar t'i informojnë kombet e mëdha se kush përbën rrezik për globin. Këto janë qasje që nuk i takojnë lidershipit kosovar pasi që kaçiku ynë nuk mbërrijnë horizont as edhe brenda kornizave shtetërore të Kosovës. Në këtë kontekst do thosha, se klasa politike e Kosovës, qoftë pozita apo opozita e ka për obligim të jetë në koordinim me aleatët tanë dhe bre ngat për gjëra të mëdha që edhe ashtu nuk mund t'i zgjidhin, nuk duhet humbur shumë kohë me to. Për sa i përket obligimeve nga opozita, ne nuk duhet të presim që opozita ta bëj punën e pozitës. Opozita duhet të jetë konstruktive, por Kosovën nuk e përfaqëson opozita, por pozita. Pra, fokusi duhet të jetë aty”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat