“Zhurmë e fyerje”, Serwer: U zgjidh vetëm gjysma e problemit Kosovë-Serbi, çka do të ndodhë me ASK-në?

Politika

“Zhurmë e fyerje”, Serwer: U zgjidh vetëm gjysma e problemit Kosovë-Serbi, çka do të ndodhë me ASK-në?

Nga: A.ZH Më: 28 gusht 2022 Në ora: 12:04
Daniel Serwer

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve.

Lajmin dje e konfirmoi shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i cili ka thënë se kjo marrëveshje do të mundësojë që qytetarët e Kosovës dhe Serbisë të lëvizin me letërnjoftimet përkatëse.

Ai ka shtuar se puna për lirinë e lëvizjes ende "nuk ka përfunduar".

"Ka ende probleme të pazgjidhur. Pres nga dy liderët që të vazhdojnë të tregojnë pragmatizëm dhe konstruktivitet në mënyrë që të zgjidhet problemi i targave. E kam thënë disa herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që po përballen evropianët, ne në Evropë nuk na duhen probleme të tjera, nuk na duhen më tensione. Na duhen zgjidhje. Na duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor dhe sot kemi arritur një zgjidhje, por ka ende probleme të pazgjidhura dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë për t’i zgjidhur ato", ka deklaruar Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet me palën serbe nuk ishin të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme.

“Po ne kemi pas bisedime në Bruksel që nuk kanë qenë të lehta, por rezultatet janë të kënaqshme, sepse tani kemi reciprocitet mes Kosovës dhe Serbisë, në kuptimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët e të dyja vendeve”, ka vlerësuar Kurti, në një intervistë për “BBC World Service”.

Sipas marrëveshjes, që erdhi si rezultat i angazhimit të diplomatëve amerikanë dhe evropianë, Serbia, pas 11 vjetësh, do të ndalë së lëshuari dokument për hyrje-dalje për shtetasit e Kosovës, kur ata hyjnë në territorin e saj.

Por, eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se marrëveshja për dokumentet, zgjidh vetëm gjysmën e problemit.

Kjo pasi palët nuk kanë arritur marrëveshje edhe për targat.

“Nuk më duket sikur e kanë zgjidhur problemin e targave, por po ua bëj këtë pyetje njerëzve të duhur. Nëse ata kanë rënë dakord të njohin dokumentet e njëri-tjetrit, por të mos lejojnë njerëzit të kalojnë kufirin me targat e tyre, kjo zgjidh gjysmën e një problemi të vogël pas shumë zhurmash dhe fryrjesh”, ka thënë Serwer.

I pyetur nëse pas kësaj marrëveshjeje, do t’i hapet rruga formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, ai ka thënë: “Mendimi im është se Asociacioni do të lindë vetëm në kontekstin e njohjes”.

Vendimi për targat e veturave, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, arritën në pikën kritike pas vendimit të 26 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Serbët lokalë në veri të Kosovës vendosën barrikada në rrugë në shenjë pakënaqësie për këto dy vendime më 31 korrik dhe 1 gusht. Por, pas kërkesës së SHBA-ve dhe heqjes së barrikadave, Qeveria e Kosovës, shtyu zbatimin e tyre deri më 1 shtator./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat