“Vetëm amerikanët do shpëtojnë e çlirojnë Kosovën nga kthetrat serbe-ruse”/ Analisti ‘sulmon’ BE-në

Politika

“Vetëm amerikanët do shpëtojnë e çlirojnë Kosovën nga kthetrat serbe-ruse”/ Analisti ‘sulmon’ BE-në

Nga: N. Sh. Më: 29 gusht 2022 Në ora: 09:07
Gabriel Escobar

Kosova dhe Serbia kanë realizuar një marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, kanë rë dakord që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve duke zgjidhur mosmarrëveshjen mbi lëvizjen e qytetarëve.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.

“Kemi një marrëveshje. Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse - dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”, shkroi Borrell.

Ndërsa, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, falënderoi “të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Kjo marrëveshje, vjen pak ditë para 1 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës, ishte e gatshme të fillojë reciprocitetin për targat e veturave serbe dhe dokumentet e udhëtimit.

Gjithashtu, marrëveshja në fjalë është arritur pas vizitës së të dërguarit të SHBA-ve për dilogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçakut në Kosovë.

Vizita e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve, Gabriel Escobar, në Kosovë dhe takimi i tij në rezidencën e ambasadës amerikane me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, por edhe me gjithë spektrin politikë të partive opozitare me dyer të mbyllara dhe pa farë prononcimesh mediatike japin shenjat e para se situata pas një shtatorit në veri të Kosovës në lidhje të riaktivizimit të reciprocitetit të targave dhe dokumenteve serbe do jetë tensionuese e më shumë kundërshtime.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, për Kosovën është shumë shpresëdhënese vizita e diplomatit amerikan, Eskobar, pikërisht, para një shtatorit, për shkak se serbëve të Vuçiqit vetëm amerikanët mund t'ua ndalin hovin e agresivitetit të tyre ndaj sovranitetit të Kosovës.

“Optimizmi i Kosovës është se asnjëherë më parë administrata amerikane nuk ka qenë aq aktive ndaj mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Kosovës sesa tani. Këtë e potencoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit të mbylluar me diplomatin amerikan, Escobar duke u shprehur: "se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon””, shprehet Mehazi.

Ai thekson se, deklarata e presidentes Osmani, nënkupton se çështjen e problemit të stërgjatur e të padefinuar të dialogut me Serbinë e kanë marrë në dorë amerikanët duke anashkaluar e lënë anësh neglizhëncën e BE-se ndaj Kosovës.

“Dhe se problemi i dialogut të stërgjatur Kosovë-Serbi do zgjidhet nga SHBA-ja e kursesi nga i deleguari i evropës, Lajçak, i cili më shumë ngatërron sesa që rregullon paqën e dy shteteve fqinje”, thotë ai.

“Simbolika e pjësëmarrjes serioze të SHBA-së për problemin e Kosovës ka frikësuar jo vetëm Serbinë, por edhe BE-në dhe s'është e rastësishme vizita e Lajçakut në Kosovë për shkak se nëse përshkallëzohet situata në veri të Kosovës pas një shtatorit fajtor përveç Serbisë do jetë edhe BE-ja e cila me anë të përfaqësuesve Borrel e Lajçak miklonin Serbinë e jo Kosovën”, shton ai.

Mehazi thekson se, qendrat e tre ndikimeve në Ballkanin Perëndimor janë duke u parë, vërejtur e evidentuar në Kosovë, ajo ruse me anë të Vuçiqit, ajo evropiane me anë të Lajçakut dhe Borrelit dhe ajo amerikane me anë të diplomatit Gabriel Escobar, Kosova do jetë kundër BE-së pasive dhe kundër Serbisë ruse e do lidh miqësi me SHBA-të e presidentit Biden.

“Vetëm amerikanët do shpëtojnë e çlirojnë Kosovën nga kthetrat serbe-ruse e evropiane, për Kosovën edhe BE-ja konsiderohet armiqësore njësoj si Serbia”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat