“Vuçiq do të dorëhiqet”/ Paralajmërimi për Kosovën – kjo ndodh nëse Serbia e njeh pas 10 vitesh

Politika

“Vuçiq do të dorëhiqet”/ Paralajmërimi për Kosovën – kjo ndodh nëse Serbia e njeh pas 10 vitesh

Nga: P.R Më: 19 shtator 2022 Në ora: 21:06
Foto ilustrim

Ditëve të fundit, mediumi i Baton Haxhiut publikoi një dokument, sipas të cilin në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Sipas dokumentit të publikuar, njohja nga Serbia do të vinte pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja të jetë e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor.

Krejt kjo sipas këtij mediumi, është plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, kornizë për të cilën foli publikisht edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pas takimit me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, këshilltarë të kancelarit gjerman Olaf Sholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

E lidhur me publikimin e këtij dokumenti, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

 

“Opinioni publik është njohur tashmë me projektin evropian për dialogun dhe fundin e këtij dialogu. Në atë projekt flitet për status të veçantë të serbëve në Kosovë dhe pranimin e Kosovës nga ana e Serbisë. Njohja do të kërkohet në momentin e pranimit të Serbisë në BE, dmth pas dhjetë ose më shumë vitesh. Deri atëherë Serbia do të ketë kohë të mjaftueshme të vazhdojë destabilizimin e Kosovës, në emër të asaj se “nuk e njeh shtetin e Kosovës”!”, thotë Bytyçi.

“Ndërkohë do të shtohet numri i shqiptarëve shërbëtorë të Serbisë, sepse do të shtohen fondet për blerjen e politikanëve, gazetarëve, medieve, klerit e kështu me radhë. Do të shtohen fondet për të lobuar kundër Kosovës dhe tërësisë territoriale të saj”, shton profesor Bytyçi.

Sipas Bytyçit, mosnjohja e Kosovës tani do të thotë rritje e shpresës dhe e përpjekjeve të Serbisë për ta zhbërë atë.

“Do të thotë prezencë dhe deibersion i pandërprerë kundër shtetit, shtetësisë, institucioneve dhe politikës në Kosovë. Situata, në vend se të përmirësohet, do të përkeqësohet edhe më tej”, nënvizon Bytyçi, i cili paralajmëron edhe dorëheqjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ndoshta Vuçiq ka premtuar të kundërtën, por Vuçiq pritet të dorëhiqet pas marrëveshjes me Kosovën dhe në drejtimin e shtetit të vijnë gjeneralët dhe kolonelët e Milosheviçit, ndërkohë që sot në Serbi drejtojnë bashkëpunëtorët politikë të diktatorit serb. Do të rritet ndikimi i kishës, akademisë, ushtrisë, policisë, shërbimit sekret dhe artistëve të formatit Kosturica, i cili lavdërohet në çdo rast nga kryeministri i Shqipërisë”.

Sipas tij, nëse liberalizimi i vizave kushtëzohet me këtë marrëveshje të publikuar, pa njohje të menjëhershme të Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë duhet refuzuar.

“Nuk ia vlen të shitet shteti me qëllim që qytetarët e tij të jenë të lirë të shkojnë pa viza në Evropë! Nëse qytetarët e pranojnë këtë, atëherë ne duhet të shpallim se nuk jemi më komb shtet-formues! Duhet të shpallim se e meritojmë diskriminimin dhe poshtërimin. Por unë besoj se opinioni publik është i përgatitur edhe më tej të qëndrojë, të këmbëngulë dhe të veprojë me sakrificë e vendosmëri në mbrojtje e ruajtje të shtetësisë”, shprehet Bytyçi.

“Franca dhe aleatë të tjerë të Serbisë e të Rusisë kanë luajtur me durimin e shqiptarëve dhe do të tentojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Ata kanë shpresuar dhe shpresojnë që qytetarët shqiptarë të dorëzohen para tyre me vështirësitë që ua sjellin. Është e domosdoshme që të rritim kujdesin për veten tonë. Shteti i Kosovës, qeveria, presidentja, institucionet kanë detyrë të japin shembullin e tyre në këtë drejtim. Ndërkohë që opozita duhet të heqë dorë sa më shpejt nga obstruksioni destabilizues politik i sponsorizuar nga Beogradi e për llogari të Beogradit!”, përfundon Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat