Paralajmërohet kushtëzimi i liberalizimit të vizave! Kosova të ketë kujdes nga ndryshimi francez

Politika

Paralajmërohet kushtëzimi i liberalizimit të vizave! Kosova të ketë kujdes nga ndryshimi francez

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 shtator 2022 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Gjatë javës së kaluar, presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Potsdam të Gjermanisë, ka takuar kancelarin gjerman Olaf Scholz, nga i cili kërkoi mbështetje për t’i dhënë shtytje finale procesit të liberalizimit të vizave.

“Në Potsdam, diskutim me Kancelarin Scholz, për t’i dhënë shtytjen finale procesit të liberalizimit të vizave. Rikonfirmova përkushtimin tonë të plotë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë si dhe për koordinim të ngushtë me aleatët sa i përket dialogut Kosovë-Serbi. Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë dhe për miqësinë të cilën ne do të vazhdojmë ta forcojmë”, shkroi presidentja Osmani.

E nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi. Përmes një deklarate zyrtare, Gjermania, Franca dhe Polonia kanë bërë thirrje për progres në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në deklaratën e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë.

Ndryshimi i qëndrimit francez

E profesor, doktor Enver Bytyçi shprehet i habitur me ndryshimin e qëndrimit nga Franca, e cila njihej si një ndër vendet që kategorikisht ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Image
Enver Bytyçi

“Janë tri shtete të rëndësishme të BE-së, Gjermania, Franca dhe Polonia, ato që para pak ditësh bënë thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky reagim i përbashkët e këtyre shteteve përmban thjesht një veçanti: - Shteteve që kërkojnë liberalizimin e vizave u shtohet edhe Franca, një vend ky që ka kundërshtuar vazhdimisht vendimmarrjen e BE-së për këtë. A ka ndryshuar Franca dhe nëse po, përse ndryshoi qëndrimin e saj? Në fund të fundit në Kosovë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i dukshëm. Standardet dhe kushtëzimet e BE-së janë realizuar prej vitesh! Madje qysh atëherë kur ish-kryeministri Thaçi „festonte liberalizimin e vizave“! E kam fjalën se në qeverisjen e Thaçit u plotësuan ato standarde dhe u përforcuan me qeveritë pasardhëse. Thjesht them se Thaçi, njësoj si Rama më vonë, festonte e hapte shampanjën për propagandë për çeljen e negociatave të Shqipërisë”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Por cilat janë arsyet që sipas Bytyçit quan në ndryshimin e qëndrimit francez?

Franca ndoshta ka ndryshuar qëndrim, çka më duket pak e diskutueshme, sepse mund të shprehet dakord për veten e saj dhe nga ana tjetër të nxisë ndonjë aleat të saj të thotë JO! Por do ta marrim opsionin se ndryshoi qëndrim. Kjo ka ndodhur, sepse nuk ka zgjedhje në këtë vend! Kosova përdoret në Francë në duelin politik me Marie Le Pen! Gjithashtu ndoshta është detyruar që të ndryshojë qëndrim për shkak të luftës në Ukrainë dhe përgjegjësisë që Parisi ka për atë luftë! Sepse dihet që presidenti dhe politikanët francezë ishin aleatë të Vladimir Putin! Por mundet që ndryshimi i pozicionit të Francës të lidhet me ndonjë premtim nga Albin Kurti për lëshime në favor të Serbisë në dialogun Prishtinë-Beograd! Nuk duhet përjashtuar as kjo mundësi! Nuk dua t’i bie në qafë kryeministrit Kurti, por na ka përvëlua qumështi (Thaçi) dhe duhet t’ fryjmë kosit (Albinit)!”, thekson Bytyçi.

Sipas tij, deri më tani kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka dalë fitues në përballjen me Serbinë.

Nëse do ishin dy arsyet e para, nuk ka asgjë për t’u trembur. Nëse shkak është arsyeja e tretë, atëherë duhet të shqetësohemi. Uroj të mos jetë kjo e treta. Deri më sot zoti Kurti është fitues në përballjen me Serbinë. Shpresojmë të shkojë deri në fund me këtë përballje të suksesshme. Duhet mësuar nga rasti i Polonisë, rast të cilin e trajtova sot në komentin tim, kur ajo ndërtoi një kanal lundrues për të mos u varur nga lundrimi i anijeve polake përmes bregdetit rus në Kaliningrad. Sa i përket ndikimit të akteve juridike të qeverisë së Kosovës për vendosjen e ligjit e të rendit në veri të Kosovës, besoj se në Francë nuk do të ketë ndonjë entuziazëm. Kjo për arsye se është Franca, (KFOR-i Francez), që realizoi ndarjen e Mitrovicës së Veriut nga pjesa tjetër e vendit. Ishte akti më anti-shqiptar që Franca ka realizuar në historinë e saj! Shkaku i Francës Kosova e vuan edhe sot pas 23 vitesh ndërhyrjen serbe dhe përpjekjet e Beogradit për destabilizimin e saj! Megjithatë është mirë që tani po shprehet për liberalizimin e vizave. Ndoshta e ndjen se edhe kundërshtitë kanë një masë, kanë një limit ose kufi. Tejkalimi i së drejtës për bllokim mund të kthehet në dëm të vetë Francës”, thekson Bytyçi.

Por a ka gjasa që Kosovës t’i kushtëzohet liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave, nëse kushtëzohet me këtë marrëveshje të publikuar, pa njohje të menjëhershme të Kosovës nga ana e Serbisë, atëherë duhet refuzuar. Nuk ia vlen të shitet shteti me qëllim që qytetarët e tij të jenë të lirë të shkojnë pa viza në Evropë! Nëse qytetarët e pranojnë këtë, atëherë ne duhet të shpallim se nuk jemi më komb shtet-formues! Duhet të shpallim se e meritojmë diskriminimin dhe poshtërimin. Por unë besoj se opinioni publik është i përgatitur edhe më tej të qëndrojë, të këmbëngulë dhe të veprojë me sakrificë e vendosmëri në mbrojtje e ruajtje të shtetësisë”, nënvizon Bytyçi për “Bota sot”.

Kosova i ka kryet të gjitha detyrat e saj për liberalizim vizash

Kurse eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se deklarata zyrtare nga Gjermania, Franca dhe Polonia dëshmon së Kosova i ka kryet të gjitha detyrat e saj për liberalizim vizash.

Image
Drizan Shala

Sa i përket deklarimit zyrtar nga treshja Francë, Gjermani dhe Poloni për liberalizimin e vizave për Kosovën, duhet të përshëndetet edhe pse nuk është qëndrim zyrtar i komisionit Evropian. Një nismë e tillë deklarative është tregues që institucionet e Kosovës kanë përfunduar gjithat detyrat e parashtruara në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova në arenën ndërkombëtare rangohet shumë më mirë se shume vende të rajonit, të cilat tashmë lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen.

Në raportet zyrtare nga mekanizmat ndërkombëtar, Kosova rangohet shumë ma mirë se sa vendet e rajonit që kanë liberalizim të vizave deri më tani. Policia e Kosovës i ka përmbushë gjithat veprimet taktike, operacionale dhe strategjike në luftën kundër krimit në te gjithat instancat shtetërore”, thekson eksperti Shala.

Për fund, ai thotë se liberalizmi i vizave nuk mund të ndodhë para pranverës së vitit të ardhshëm, pra vitit 2023.

Në aspektin teknik mbetet të shihet se cilat do të jene kërkesat eventuale të cilat duhet t’i përmbush Kosova. Sa i përket afateve për liberalizim mund të themi që kjo nuk ndodh para paraverës 2023”, përfundon Drizan Shala për “Bota sot”.

Asociacioni në këmbim të liberalizimit?

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti thekson ky hap shënon fundin e shumë pritur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Image
Faton Mehmeti

Delegimi i përfaqësuesve të Gjermanisë dhe Francës për dialogun me Kosovën është dëshmi e fortë e seriozitetit dhe rëndësisë që ka Kosova për këto shtete. Në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë përfshihet edhe liberalizimi i vizave. Nëse s’do ishte pengesë Franca, moti do i kishim vizat, andaj deklarata e përbashkët me Gjermaninë dhe Poloninë shënon fillimin e fundit të liberalizimit të vizave”, shprehet Mehmeti.

Ai thotë se në këmbim të liberalizimit të vizave, Kosovës do t’i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.

Franca nuk e ka veton e saj arsye praktike por politike, një marrëveshje me Serbinë do të përfshinte edhe liberalizimin. Në këmbim të liberalizimit do i kërkohet Kosovës formimi i asociacionit, presion të cilin po e ushtrojnë përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Francës”, deklaron Mehmeti.

Nëse nuk i hiqen vizat Kosovës do të ketë shtim të pakënaqësisë, gjë e cila do të reflektohet në ikjen e qytetarëve edhe më shumë se tani”, përfundon analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat