Dëshmitarët po vdesin- këtë nuk do na e falë historia/ A po dështon Kosova në dokumentimin dhe adresimin e krimeve dhe gjenocidit serb?

Politika

Dëshmitarët po vdesin- këtë nuk do na e falë historia/ A po dështon Kosova në dokumentimin dhe adresimin e krimeve dhe gjenocidit serb?

Nga: M.L Më: 22 shtator 2022 Në ora: 22:56
Foto ilustrim

Ndonëse kanë kaluar 24 vjet, Serbia ende nuk e ka marrë dënimin e merituar për krimet e luftës në Kosovë.

Përgjatë 24 viteve në liri, të pakta kanë qenë nismat institucionale për dokumentimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit të shkaktuar nga Serbia në Kosovë.

Po ashtu disa kriminelëve serbë u janë shqiptuar dënime minimale nga organet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare. Kjo i ka lënë të pakënaqura familjet e dëshmorëve e martirëve të luftës në Kosovë.

Me kalimin e viteve, edhe shumë dëshmitarë të mbijetuar të masakrave në Kosovë, po vdesin.

Mustafë Dragaj, ish-dëshmitar kundër kryekriminelit Sllobodan Millosheviq në Hagë, ka vdekur para disa ditësh.

Ai dëshmoi kundër Sllobodan Millosheviqit, për njërën ndër masakrat më të rënda të Kosovës, atë të Izbicës.

Është shqetësues fakti që për krimet e përmasave gjenocidale që shkaktoi Serbia gjatë luftës fundit në Kosovë, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës( ASHAK), nuk posedon asnjë material arkivor. Kështu kanë thënë nga ky institucion për televizionin publik.

Lidhur me problematikën e adresimit të krimeve të luftës, përkatësisht dokumentimit të tyre, gazeta “Bota Sot” bisedoi me juristin prof. Muhamet Kelmendi.

Ai tha se në Kosovë është bërë një gjenocid i rëndë kundër popullit shqiptar, nga shteti serb.

Dëshmitaret e gjallë që dëshmojnë për gjenocidin serb në Kosovë, po vdesin

Në Kosovë është bërë një gjenocid i rëndë kundër popullit shqiptar, nga shteti serb.

Ky gjenocid shihet në disa fusha:

1. Masakrimet dhe vrasjet makabre të mbi 13000 vetave nga popullsia civile shqiptare në Kosovë.

2. Mbytjet mizore të 1500 fëmijëve nën moshën 12 vjeçare.

3. Përdhunimet e mbi 20 mijë grave e burrave shqiptarë.

3. Dëbimet e mbi 1 milion shqiptarëve me dhunë e terror nga tokat, nga shtëpitë dhe nga banesat e tyre, në këmbë, pa bukë, dhe me terror e plaçkitje gjatë dëbimit.

5. Shkatërrimet e 150 mijë objekteve, si shtëpitë, banesat, ambulancat, shkollat, xhamitë e lokalet e shqiptarëve.

Dëmet shkojnë me dhjetëra miliardë euro.

6. Plaçkitjet e mëdha të pasurisë së luajtshme, të mjeteve të sigurimit pensional, të mjeteve financiare nëpër banesa e në banka, kudo, edhe gjatë rrugës dëbuese, kudo ku i gjenin”, theksoi profesori.

Ai potencoi se masakrat janë të rënda, dhe për këto ka dëshmitarë të gjallë, të cilët me kalimin e kohës, po ikin nga kjo botë.

“Mosha dhe sëmundjet po i marrin një e nga një”, tha ai.

Por, profesori vuri në pikëpyetje nëse këto dëshmi të dëshmitarëve janë mbledhur nga institucionet.

“Sa janë marrë këto dëshmi nga dëshmitarët, nuk dihet. Shteti ynë nuk i ka intervistuar këta dëshmitarë. Nuk ka prova.

Është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të autorizojë Prokurorinë Speciale, që tërë dëshmitarët e gjallë t'i intervistojë, dhe të mbeten ato prova.

Është anomali që të ikin dëshmitë e tilla nga dëshmitarët okularë. Dikur do të kërkohen, por nuk do të gjinden, sepse ata do të vdesin,  nga mosha dhe sëmundjet.

Këtë nuk duhet lejuar të na ikë”, u shpreh ai.

Kelmendi theksoi se Kosovës i duhen këto prova edhe për dokumentimin e historisë së popullit shqiptar.

“Nuk është vetëm çështja e përgjegjësisë penale të shtetit serb dhe të kriminelëve, por edhe të dokumentimit historik të gjenocidit.

Dëshmitarët po vdesin, sikundër është dëshmitari që ndërroi jetë, Mustafë Dragaj, i mbijetuari i masakrës se Izbicës, i cili dëshmoi kundër kyekriminelit Millosheviç, në Hagë”, nënvizoi ai.

Profesori i bëri thirrje qeverisë që të krijojë një organ të specializuar, dhe të gjitha rastet e masakrave, të vrasjeve, të maltretimeve, të përdhunimeve, të shkatërrimeve masive, të djegieve të njerëzve të gjallë, dhe çdo gjë, t’i ketë të dokumentuara.

“Dëshmitarët ende janë në jetë. Ata duhet kërkuar dhe gjinden. Nga të gjithë duhet të merren dëshmi.

Kjo është detyrë imediate”, përfundoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat