Rasti në Gjykatën Speciale? Ish gazetari gjatë luftës tregon arsyet pse u vra Ahmet Krasniqi

Politika

Rasti në Gjykatën Speciale? Ish gazetari gjatë luftës tregon arsyet pse u vra Ahmet Krasniqi

Nga: P.R Më: 23 shtator 2022 Në ora: 21:17
Selia e Gjykatës Speciale

Më 21 shtator, u mbushën 24 vite që nga vrasja e Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit, i cili u vra nga dora tradhtare më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë. E kur kanë kaluar 24 vite që nga vrasja e tij, vrasësit ende nuk janë zbuluar.

Përveç familjes e cila shpresat për zbardhjen e vrasjes së Krasniqit i ka të Gjykata Speciale, tashmë edhe shumë bashkëpunëtorë, analistë dhe njohës të zhvillimeve politike shpresojnë të njëjtën gjë.

Poashtu, edhe gazetari gjatë luftës për Kosovën, Rexhep Shahu, thotë se dëshirë e tij është Gjykata Speciale ta trajtojë vrasjen e Ministrit Ahmet Krasniqi.

Image
Rexhep Shahu

“Po të kishte dëshirë për hetim të thelluar gjithmonë janë fijet jashtë dhe duke u kapë tek ato fije shkohet te vatra e krimit dhe duhet të mësohemi se kriminelë të mëdhenj e më të rrezikshëm janë ata që urdhërojnë krimet e vrasjet e jo killerat. Me këtë ritëm e vullnet asnjëherë nuk besoj se mund të zbardhet vrasja e ministrit Krasniqi, por do dëshiroja që kjo vrasje të trajtohej nga Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë”, thotë Shahu për “Bota sot”.

Sipas tij, për gjithë këto vite drejtësia ka dështuar në zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.

“24 vite nga vrasja e Ministrit te Mbrojtjes së Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi. Ka 24 vite që flitet e përflitet, që kërkohet të zbardhet vrasja e tij, autorët e vrasjes, te gjenden autorët por deri sot vetëm është fol e stërfol dhe kështu ka mbetë gjallë emri i ministrit Ahmet Krasniqi. Asgjë nuk ka ndodhur në 24 vite për këtë histori kriminale. Në Vushtrri u ngrit shtatorja e tij dhe mungon te ajo shtatore fjala MINISTËR dhe nuk mjafton fjala kolonel, pasi ai nuk u vra si kolonel por si ministër”, shprehet Shahu.

Por pse u vra Ministri Krasniqi sipas Rexhep Shahut?

“Ministri i Kosovës u vra se ishte ministër, u vra që të vritej lufta e Kosovës, të vritej rezistenca, qëndresa, të vritej guximi i shqiptarëve, u vra që të mos kishte luftë e organizim profesionistësh ushtarakësh të Kosovës. Vrasja e Ministrit Krasniqi është bërë për llogari të serbëve, por dorasi mund të jetë shqiptar pasi ka gjithmonë vrasës me pagesë. Shpresat e retorikat për hapjen e dosjeve të tij etj etj.... janë përralla deri tani besoj unë dhe janë trajtuar si përrallë”, thekson Shahu.

“Duke kujtuar se si e çarmatosen Ministrin Krasniqi me 13 shtator 1998 në hyrje të Kukësit, duke bërë një analizë të ftohtë të ngjarjes, del se mëria e konfliktet e brendshme mes shqiptarëve e kanë vrarë ministrin, del se njëra palë kishte mbështetjen e strukturave të shtetit të Shqipërisë e pala tjetër shihej si rugoviste, ndërkohë që luftëtarët që kishin shpreh dëshirën të dilnin në luftë e që kishin dalë për luftë, ishin në shumicë rugoviste, del se Rugova konsiderohej kundërshtar armik nga disa politikanë çoban të Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, publicisti i njohur nga Shqipëria, dhe gazetar gjatë luftës për Kosovën, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat