Kush e “shpiku” planin e ri për dialogun Kosovë-Serbi? Deklarohet ish-ambasadori holandez: Ja kur do të dihen autorët!

Politika

Kush e “shpiku” planin e ri për dialogun Kosovë-Serbi? Deklarohet ish-ambasadori holandez: Ja kur do të dihen autorët!

Nga: A.Zh Më: 25 shtator 2022 Në ora: 10:02
Robert Bosch

Në mediat e Kosovës është publikuar një plan, që thuhet se është paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Sipas këtij plani, marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në vitin 2023, derisa hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë.

Sipas ish-ambasadorit të Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ky plan nuk do të ketë asnjë shans nëse nuk mbështetet nga dikush.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Bosch, lansimin e këtij plani e sheh si përpjekje të qëllimshme për të testuar reagimet e opinionit.

“Plani nuk dukej i keq për mendimin tim, por nëse nuk mbështetet nga askush nuk ka asnjë shans. Duket si një përpjekje e qëllimshme për të testuar ujërat tani deri tek lojtarët për të reaguar, nëse mund të merren reagime pozitive dhe madje edhe autorët do të dalin. Le të shpresojmë se diçka do të lëvizë”, ka thënë ish-ambasadori Bosch, për “Bota sot”.

Gjermania ka demantuar pretendimet se qëndron këtij dokumenti katërfaqësh të ashtquajtuar “korniza e re”, për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruhet në raporte, nuk vjen nga Franca, Gjermania apo përfaqësuesi special i BE-së. Nuk kemi informacion se kush e ka shpikur atë dhe me çfarë qëllimi. Kemi marrë parasysh raportimet në mediat shqiptare për të ashtquajturën, nxjerrjen e një dokumenti katërfaqësh i cili supozohet se i është dorëzuar nga Franca dhe Gjermania, përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, është thënë nga qeveria gjermane.

E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka konfirmuar se ka pasur në duart e tij një dokument (kornizë e re) për dialogun me Kosovën. Ai ka thënë se dokumenti i kishte ardhur nga këshilltarët e Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz.

“E lexova atë letër. Nuk mund të them se mbaj mend katër faqe pas 15 minutash leximi. Është e qartë se dokumenti nuk ka rrjedhur në publik nga pala serbe. Se a është publikuar nga shqiptarët apo dikush tjetër, por i shkon për shtat të përdorë mediat, nuk më intereson. Pavarësisht nëse kjo është plotësisht e vërtetë ose jo, nuk mund të mbaj mend çdo detaj, por e di se cilat ishin idetë e dikujt”, ka theksuar Vuçiq.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, nuk ka dashur të komentojë “Kornizën e re” të dialogut, duke e cilësuar si dokument pa autor.

“Qarkullojnë dokumente të ndryshme, por unë besoj që nuk është as e dobishme as e drejtë që t’i komentoj dokumentet që nuk kanë autor, por bëhen për ta matur pulsin e qytetarëve e politikanëve. Nuk është mirë të bëjmë komente kur nuk dihet autori”, ka theksuar Kurti./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat