“Serbia po tenton të ndezë një luftë!”/ Pas paralajmërimit të Kurtit, vjen një sinjal tjetër i rrezikshëm

Politika

“Serbia po tenton të ndezë një luftë!”/ Pas paralajmërimit të Kurtit, vjen një sinjal tjetër i rrezikshëm

Nga: A.M. Më: 25 shtator 2022 Në ora: 18:06

Serbia me afërsinë e saj me Rusinë, ku së fundi edhe nënshkruan marrëveshje për politika të jashtme,  po vështirëson çështjen e negociatave me Kosovën.

Shteti serb tash e sa vite po tregohet jo serioz në zgjidhjen e konfliktit me Kosovën, ku në vazhdimësi kërcënon dhe provokon situatën.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për “Bota sot” tha se Bashkimi Evropian nuk ka dhënë sinjale serioze për ta zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi.

Ai u shpreh se në këtë aspekt po ndikon prejardhja e ndërmjetësuesve Borell dhe Lajçak.

Image
Dedë Preqi

“BE-ja, përmes përfaqësuesve të saj ka dhënë shumë pak sinjale pozitive dhe aftësi për ta menagjuar situatën e tensionuar në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si ndërmjetësuese nuk e ka treguar rrolin e vet konstruktiv dhe serioz, për t’i afruar palët në kuptimin e përfundimit të zgjidhjes përfundimtare të problemeve të tyre, dhe një neglizhencë e tillë po i kushton në veçanti palës së Kosovës, e cila është e përkushtuar që përmes rrugëve dhe bindjeve paqësore të arrihet një qëllim i përbashkët paqësor.

Prandaj, edhe profesori amerikan David Philips, i cili është edhe Drejtor i Programit për Paqën dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin respektiv të Universitetit të Columbias, me të drejtë do të thoshte se, BE-së, i mungon legjimiteti si ndërmjetësuese e negociatave Kosovë-Serbi, të cilin e përfaqësojnë  Mirosllav Llajçak dhe Josep Borrel, si duket po ndikon edhe preardhja e atyre vendeve që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës”, deklaroi opinionisti.

Sipas Preqit, profesori amerikan Philips po shqetësohet se mund të shpërthej ndonjë konflikt në Ballkanin Perëndimor, kjo duke marrë parasysh kërcënimet e Putinit për përdorim të armëve bërthamore. 

“Profesori në fjalë është shumë i shqetësuar edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor, të cilin po e shkakëton lufta ruse në Ukrainë, duke marrë parasysh se  Putini, në rast të dështimit ndaj kësaj lufte, nuk do të zgjidhte rrugë tjetër, ose të hakmirret me dështimin, ose të përdorë armët bërthamore, duke shkaktuar një luftë të rrezikshme globale.

Duhet t’i marrim parasysh edhe fjalimet e deputetit britanik, i cili thotë, rreziqet janë të mundshme për Ballkanin Perëndimor, si shkak i luftës në Ukrainë, dhe kjo është çështje që mund të paralizohet vetëm nëse mendohet me mendje të shëndoshë politike dhe njerëzore, duke e mos keqpërdor rrolin e vet njeriu në udhëheqjen e pushtetit”, theksoi ai.

Në vazhdim, opinionisti ndërlidhi deklaratën e kryeministrit Kurti lidhur me mundësinë e një lufte dhe stagnimin e negociatave Kosovë-Serbi.

“Kështu që duhet t’i marrim parasysh edhe fjalët e kryeministrit të Kosovës, z.Albin Kurti, i cili flet për kërcënimet e Serbisë, e cila i ka të stacionuara më se 48 baza ofensive të saj përgjatë kufirit me Kosovën, me ç’rast duhet ta zhvendosim vëmendjen si qytetar të këtij vendi, jo për t’a frikësuar popullin, por për të qenë të vëmendshëm që lufta mund të filloj nesër.

Zhvillimet e negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequra nga emisari Mirosllav Llajçak, si përfaqësues special, dhe shefi për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrel, kanë ngelur shumë mbrapa dhe janë treguar të pa sukseshshme, nga fakti se marrëdhëniet në mes këtyre dy palëve shumë pak janë përmirësuar dhe më shumë janë përkeqësuar, atëherë për çfarë bëhët fjalë kur  përpjekjet e deritanishme ishin të mobilizuara për një marrëveshje përfundimtare”, nënvizoi Preqi.

 Më tej, ai  vlerësoi se populli i Kosovës ka arsye të shqetësohet nga kërcënimet e vazhdueshme të Vuçiqit dhe Serbisë.

Bazuar në këtë, shtoi se duhet të kërkohet nga BE që të shkarkojë Lajçakun dhe Borellin nga detyrat e tyre.

“Serbia dhe qeveria e saj në krye me Vuçiqin, në vend që të pranoj krimet dhe gjenocidin e shkakëtuar ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, përkundrazi bënë përpjekje që ta pengojë Kosovën në hapat integruese  dhe njohjen e shtetit të saj, dhe duke e kërcënuar e provokuar në  çdo kohë përgjatë kufirit të saj përmes tankeve dhe njësive  ushtarake, që do të thotë se, të gjitha këto provokime ndaj Kosovës dhe Ballkanit, dhe të gjitha këto manovrime dhe politika që po i  bënë me Rusinë, janë dobësi dhe jo seriozitete që po i prodhon BE-ja, duke e përkdhelur Serbinë.

Prandaj, populli i Kosovës, ka arsye të shqetësohet dhe të kërkojë nga BE-ja, që Mirosllav Llajçak dhe Josep Borrel, të shkarkohen nga detyrat dhe roli i tyre në BE, për ndërmjetësimin e negociatave në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në vend të tyre të emërohen përfaqësues apo njerëz nga vendet tjera që e kanë njohur shtetin e Kosovës”, potencoi opinionisti.

Në fund, Preqi tha se për të arritur një marrëveshje finale duhet një angazhim shumë i madh dhe i drejtpërdrejt i Amerikës.

“Dhe për t’i afruar palët dhe për të bërë zgjidhjen përfundimtare të marrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë, kërkohet një angazhim më aktiv dhe i fuqishëm i SHBA-ve, për t’a vënë Serbinë në binarët e duhur, dhe me njohjen reciproke të të dyja vendeve, do të vëhët edhe themeli i stabilitetit në mes këtyre dy vendeve dhe rajonit, përndryshe kjo Serbi, është aq e pa disiplinuar dhe e pa frenuar, sa që me lajkat e saj dhelprake është në gjendje të bëjë gjithçka dhe ta ndezë edhe një luftë frontale në Ballkan, për të grabitur veriun e Kosovës, ndoshta edhe më keq, që do ti fuste në mes vete dhe fuqitë e mëdha botërore”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat