“Anëtarësimi në BE nuk kalon përmes Moskës”/ Marrëveshja Serbi-Rusi goditje e madhe! Veprimet e Serbisë alarmojnë SHBA-në dhe BE-në

Politika

“Anëtarësimi në BE nuk kalon përmes Moskës”/ Marrëveshja Serbi-Rusi goditje e madhe! Veprimet e Serbisë alarmojnë SHBA-në dhe BE-në

Nga: N. Sh. Më: 26 shtator 2022 Në ora: 14:24
Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq

Serbia dhe Rusia po vazhdojnë bashkëpunimin e tyre edhe pas shumë sanksioneve të shtetit rus nga SHBA-ja e BE-ja pas luftës që po zhvillon në Ukrainë.

Këto dy shtete nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e politikës së jashtme.

Për këtë prof. dr. Enver Bytyçi, thotë se, ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill dhe ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuel Zhiofre, kanë reaguar ashpër për marrëveshjen Serbi-Rusi në fushën e diplomacisë!

Sipas tij, kryeministrja serbe është munduar që ta relativizojë këtë marrëveshje.

“Ndërsa kryeministrja Brnabiq, në traditën e mëhershme të politikës e diplomacisë së Beogradit, u përpoq që ta relativizojë këtë marrëveshje, duke thënë se nuk është miratuar në parlament, se është një rutinë e trashëguar nga vitet e kaluara, se nuk ka impakt te vendet e tjera etj.”, thotë Bytyçi.

Megjithatë, siaps tij, ministri serb i Punëve të Jashtme e pranon se prej vitit 1996 Serbia është rekorduar sipas kësaj marrëveshje me Rusinë sidomos sa i përket unifikimit të qëndrimeve për Kosovën!

“Kështu do të jetë edhe në të ardhmen!”, shkruan ai.

Ndërsa, për këtë marrëveshje ka reaguar edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”.

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, tha Stano.

Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian. Andaj, sipas Stanos, edhe “ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.

“BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë: raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, tha Stano.

Stano ftoi udhëheqjen në Serbi që të sigurojë, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, "një koherencë më të fuqishme mes nismave të saj në politikën e jashtme dhe mbështetjen për vlerat ndërkombëtare dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

Kurse ambasadori Hill ka theksuar se askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment dhe thekson se për momentin, siç thotë ai, bëjnë vetëm rekrutët e varfër që duhet ta bëjnë këtë.

“Prandaj është shumë e vështirë për ne të kuptojmë ekzistencën e një dokumenti apo protokolli të tillë, por shpresojmë dhe presim që të dëgjojmë më shumë për të dhe të shpjegohet në një farë mënyre”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan.

“… Ne gjithashtu mbështesim dhe presim që Serbia të bëjë diçka për të diversifikuar energjinë e saj dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia, e cila bazohet kryesisht në masat e shantazhit dhe presionit”, shtoi Hill.

Serbia është kritikuar për afrimin e saj me Federatën Ruse edhe nga deputetët e tjerë të Parlamentit Evropian.

Në mesin e tyre edhe Vladimir Bilçik, raportues për Serbinë në PE dhe Viola von Cramon, raportuese për Kosovën. Kjo e fundit madje ka përmendur edhe mundësinë e pezullimit të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Bilçik shkroi në Tëitter se lajmi për nënshkrimin e marrëveshjes e sheh si një goditje të madhe për procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, von Cramon tha se “anëtarësimi në BE nuk kalon përmes Moskës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat