Heshtje zie në Kosovë! Askush nuk reagoi për dënimin e terroristit Jeton Lleshi!

Politika

Heshtje zie në Kosovë! Askush nuk reagoi për dënimin e terroristit Jeton Lleshi!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 27 shtator 2022 Në ora: 12:04
Nga e majta lart, Jeton Lleshi i dënuar me 10 vite burg për dërgimin e granatës ruse në vitin 2002, në selinë e gazetës “Bota Sot” , në Cyrih të Zvicrës; Poshtë: Hashim Thaçi duke shtrënguar duart me Bedri Islamin, i cili është parë në shoqëri të Jeton Lleshit. Në mes lart: Bedri Islami duke shtrënguar duart me Ramush Haradinaj; Në mes poshtë: Bedri Islami bashkë me Jeton Lleshin, i cili tregon “grushtin”, për të dëshmuar se i përkasin së njëjtës ideologji. Djathtas: Ramush Haradinaj, së bashku me Jeton Lleshin. Lleshi në këtë fotografi shihet se mban në xhaketë edhe emblemën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që dëshmon se ishte anëtar i saj.

Ishte viti 2002, kur një dërgues i panjohur dërgoi një shishe verë “Chamonix 1998 Chenin blanc”, në redaksinë e gazetës “Bota Sot” në Cyrih të Zvicrës.

Paketa përmbante një shishe verë, si dhe një granatë dore ruse, e cila ishte lidhur ashtu, që të shpërthente në momentin e hapjes së pakos.

Për fat, ndërsa e gjithë familja Mazrekaj ishte mbledhur në shtëpi, për një moment festiv, njëri nga vëllezërit e Xhevdetit, e merr pakon rrëmbimthi dhe e hap së prapthi.

Ky ishte fati i mirë, i cili zbuloi se brenda paketimit ishte bomba, e cila mund të shpërthente dhe të vriste këdo që ishte aty. Dhjetëra veta, burra, gra, pleq, por edhe shumë fëmijë që ndodheshin atë moment, së paku 12 veta.

Po ashtu, nëse pakoja do të hapej në redaksinë e “Bota Sot” në Cyrih, mund të linte të vdekur dhjetëra veta, disa anëtarë të familjes Mazrekaj, përveç botuesit Xhevdetit, kryeredaktorin e asaj kohe, Skender Buçpapajn me bashkëshorten Elidën –redaktore, redaktorin Llukman Halilaj etj., dhe madje viktima mund të ishin edhe klientë e vizitorë të rastit, që shumë shpesh e frekuentonin redaksinë, që ndodhej në një nga qendrat më të frekuentuara nga shqiptarët.

Ngjarja ndodhi në shtator të vitit 2002 në Cyrih të Zvicrës. Kohë kur kërcënimet dhe presionet ndaj “Bota Sot” po shkonin drejt kulmit, pasi grupe të fuqishme të dala nga lufta, me ambicie për pushtet dhe qëllime të tjera të liga, kishin kryer një mori vrasjesh, dhe zbulimi i tyre ishte shndërruar në problem, që ato të vinin në krye të pushtetit. Zgjedhjet Lokale i kishin humbur fatalisht, edhe ato nacionale po ashtu bindshëm.

Image
Jeton Lleshi

Ende nuk ishte bërë një vit (tetor 2001), kur ishte vrarë gazetari i “Bota Sot”, Bekim Kastrati, së bashku me truprojën e presidentit Rugova, Besim Dajakun, ndërsa kërcënimet ishin thuaja të panumërta, me jetë, me sulme me bomba dhe mënyra tjera, ndaj gazetarëve dhe stafit të gazetës më të lexuar në Kosovë, dhe shqiptare përgjithësisht.

Dërguesi i bombës ishte Jeton Lleshi. Ai tashmë është dënuar me burg, pasi kishte planifikuar dhe organizuar sulmin terrorist ndaj gazetës kombëtare “Bota Sot”.

Lleshi në vitin 2017 është dënuar me 10 vite burg për veprën e tij terroriste, që për qëllim kishte vdekjen e dhjetëra personave, dhe shuarjen e gazetës “Bota Sot”.

Heshtja mediale dhe politike

Për këtë akt terrorist, mediat zvicerane, thuajse pa përjashtim, kanë shkruar dhjetëra artikuj.

Ndërsa, për fatin e keq, mediat në Kosovë, partitë politike e as liderët apo politikanët e ndryshëm, nuk janë deklaruar asnjëherë, edhe pse me vite të tëra kemi pyetur në lidhje me këtë ngjarje. Madje as nuk janë distancuar asnjëherë!

Përkundrazi askush nuk ka reaguar edhe kur kanë vazhduar kërcënimet me jetë dhe futja në lista të ekzekutimeve, edhe vitin që shkoi dhe në këtë vit, të botuesit Xhevdet Mazrekaj, dhe kryeredaktorit Idriz Morina. Madje, askush nuk është dënuar për rastet më makabre të kërcënimeve në Kosovë, për më se 23 vjet!

Askush as nuk është distancuar nga organizatorët, sulmuesit, kërcënuesit!

Është çudi të mos thuhet asnjë fjalë në lidhje me këtë sulm terrorist, të mirëpërgatitur, për shuarjen e një mediumi siç është gazeta “Bota Sot”, nga liderët politikë të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.

Image
Jeton Lleshi dhe Rexhep Selimi

 

Për këtë, kishte heshtur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është parë i shoqëruar disa herë me Lleshin, i cili ishte edhe anëtar i AAK-së.

Madje për këtë rast ka heshtur edhe LDK-ja, dhe deputetët e saj.

Gazeta “Bota Sot”, ka qenë shënjestër e grupeve mafioze të politikës, dhe grupeve të tjera, të cilat kanë ditur edhe të vrasin gazetarët tanë.

Por, kjo asnjëherë nuk i ka trembur gazetarët tjerë, të cilët për vite me radhë janë pjesë e kësaj gazete.

Gazeta “Bota Sot”, ka dërguar pyetje në zyrën e Presidentes Vjosa Osmani, por edhe në atë të kryeministrit Albin Kurti, mirëpo edhe sot heshtja e tyre vazhdon, siç heshtën institucionet tjera në të kaluarën, njëjtë siç vazhdon heshtja e të gjitha partive politike në Kosovë.

Qarri: Bomba ishte e fuqishme

Për këtë çështje, analisti politik Gani Qarri thotë se, plot 14 vite rresht, iu deshën policisë federale të Zvicrës, të kërkonte pareshtur autorin e dërgimit të "granatës ruse" me postë, më 2002, në redaksinë e kombëtares "Bota Sot".

Sipas tij, ai u zbulua fare rastësisht, pas përfshirjes në një rrahje, në vitin 2016, me ç`rast nga analizat e ADN-së së tij, u vërtetua se Jeton Lleshi ishte edhe autori i dërgimit të "granatës ruse" në redaksinë e kombëtares "Bota Sot", duke rënë kështu përfundimisht, në prangat e policisë.

“Por, habit shumë fakti se me gjithë vonesën e madhe, mbi 14 vjeçare, dhe zbulimit të autorit, vetëm në fillimvitin e 15-të të hetimit, ai përveçse u dënua vetëm një ditë para parashkrimit të lëndës me aktakuzën e ngritur kundër tij, edhe vet prokurori i shtetit, përkundër veprës makabre, me rëndesë terroriste, nuk kishte kërkuar më shumë se 11 vite burg për të. Po ashtu edhe gjykata e Cyrihut, autorin e dërgimit të granatës ruse, çuditërisht e dënoi me vetëm 10 vite burg, pa zbardhur identitetin e nxitësve të veprës, apo të paktën të nxitësit kryesor, e për më tepër, ajo as që përmendi emra të të dyshuarve tjerë të mundshëm, kundër të cilëve do të duhej të vazhdonin hetimet dhe të ndërmerreshin masat adekuate, edhe për arrestimin e tyre”, thotë ai për gazetën “Bota Sot”.

Sipas tij, sipas të dhënave të publikuara nga shtypi zviceran, granata e prodhimit rus, e cila ishte dërguar nga Jeton Lleshi, në redaksinë e kombëtares "Bota Sot", ishte aq e fuqishme, sa që në rast eksplodimi, në hapësirën deri në 19 metra largësi, do t'i vriste të gjithë të pranishmit, rreth e qark.

“Prandaj sado që granata, për fatin e mirë të të gjithë të pranishmëve, nuk eksplodoi, dhe vetëm rastësia e shpëtoi botuesin e gazetës "Bota Sot" me pjesëtarët e familjes së tij, nuk duhet harruar fakti se, të pranishëm ishin 12 persona në vendin ku u hap paketa e stolisur me folie alumini, dhe e dërguar në formë "dhurate" me granatën e kurdisur ruse brenda saj, nga Jeton Lleshi. Kështu, që sot e atëherë, nuk dihet saktësisht, se a u morën vërtetë të gjitha këto argumente rënduese parasysh, dhe cilat ishin rrethanat lehtësuese në këtë rast makabër, që ky terrorist të dënohej vetëm me dhjetë vite burg, pa cekur ndihmës as bashkëpunëtorë dhe as emërtim të nxitësit të veprës”, thekson Qarri.

Sipas tij, ajo që dihet nga mërgimtarët, është fakti se përveç sulmeve të ashpra të instancave shtetërore të Serbisë, e veçanërisht të propagandës ekstreme antishqiptare të ambasadës serbe në Cyrih, ishte edhe partia SVP e Zvicrës, që asokohe atakonte fort shqiptarët, si dhe gazetën “Bota Sot”, pa përjashtuar këtu edhe atmosferën jo fort dashamirëse të disa segmenteve edhe në polici, dhe në entet juridike të shtetit.

Image
Bomba, se si ishte përgatitur nga Jeton Lleshi

“Gazeta "Bota Sot" ishte e sulmuar nga të gjitha anët”

“Shto kësaj edhe sulmet e vrazhda deri në armiqësi, të neokomunistëve të Kosovës, në krye me pjesëtarin e sigurimit të regjimit komunist të Shqipërisë, Bedri Islamin, i cili ishte dërguar enkas nga Partia komuniste dhe vendosur në krye të të ashtuquajturës LP, "Lëvizja Popullore" jashtë vendit. Pra kombëtarja "Bota Sot" , si e vetmja gazetë që dilte në diasporë, ishte e sulmuar nga të gjitha anët. E megjithëse nga janari i vitit 2017, kanë kaluar mbi 5 vite e gjysmë kur Gjykata e Cyrihut mori vendim për dënimin e Jeton Lleshit, me 10 vjet burg efektiv, për shkak të veprës terroriste të dërgimit të bombës me postë, në redaksinë e kombëtares "Bota Sot", si dhe mbi 20 vite nga rasti i dërgimit të bombës, më 2002, shumë gjëra sot e atëherë, kanë ngelur të mjegulluara, e jo plotësisht të qarta për opinionin publik në Kosovë dhe shqiptarët në diasporë, të cilat, me gjithë vitet e kaluara, nuk duhet t’i lihen perdes së kohës, por të çohen deri në fund, për ta sqaruar të vërtetën e plotë”, thekson ai.

Ai tregon se, paketa bombë, e kurdisur nga Jeton Lleshi, ishte nisur nga posta në lagjen e Orlikonit në Cyrih, dhe në redaksi të gazetës "Bota Sot" kishte arritur me 27 shtator të vitit 2002.

Por, sipas tij, pasi që botuesi në ato momente nuk gjendej aty, atë e kishte pranuar motra e tij, dhe në ndejën e përbashkët familjare ku ishin hiq më pak se 12 persona, vëllai i botuesit, paketën e kishte hapur jo përsipër, ku ishte i lidhur mekanizmi i eksplodimit, por anash, gjë që për fatin e mirë të të gjithë të pranishmëve, kishte bërë, të mos prekej mekanizmi ndezës i bombës dhe të shpëtonin të gjithë, pa asnjë pasojë.

Image
Jeton Lleshi me Bardhyl Mahmutin

“Jeton Lleshi në lidhje të ngushtë me Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin”

“Përndryshe, edhe sipas njoftimeve të kohës në shtypin zviceran, 12 persona ndodheshin ulur aty afër dhe po të kishte ardhur deri te më e keqja, të gjithë ata, të cilët gjendeshin në brendësi të rrezes prej 9 metrash, të do të kishin vdekur në vend nga eksplodimi i "granatës ruse"! Janë këto argumente tejet rënduese, që e bëjnë shumë të habitshëm faktin se si Jeton Lleshi, anëtar i AAK-së, në lidhje të ngushtë me Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin, përveçse u dënua vetëm një ditë para se të parashkruhej lënda me aktakuzën e ngritur kundër tij, për atentatin me "granatë ruse" të mbështjellë me folje alumini dhe të dërguar në formë dhurate në adresën e redaksisë së gazetës "Bota Sot", në Zvicër, përkundër rrezikut me përmasa të gjera, ku jetën mund të humbnin të paktën 12 njerëz, ai mori një dënim pothuajse ledhatues”, pohon Qarri.

Ai shton se, “po të krahasohet masa e dënimit të tij, qoftë edhe me një shembull të vetëm nga një vendim i Gjykatës së Kantonit të Glarusit në Zvicër, e cila të shpallurin fajtor për nxitje të tentim vrasjes, me sulm fizik-rrahje të rëndë, ndaj një personi të vetëm, të ndodhur në fillim të tetorit të vitit 2018 në Bilten të Glarusit, në gusht të vitit 2021, ai ka marrë dënim me 13 vite burgim, ndërsa terroristi Jeton Lleshi, i cili ka dërguar bombë të kurdisur, në redaksinë e kombëtares "Bota Sot", nga e cila po të kishte eksploduar do të vriteshin jo vetëm një, por të paktën 12 njerëz, përveçse është zbuluar dhe dënuar me shumë vonesë, ai ka marrë edhe një dënim shumë të ulët dhe tejet minor”.

Heshtja nga frika e Lleshit

“Për më tepër, përderisa në rastin e Glarusit, ku njëjtë si me aktin e "postimit" të bombës, edhe aty autorët e ngjarjes ishin shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe FYROM-i, dënimet më të rënda, nuk i kanë marrë vet autorët, si në rastin e bombës së dërguar nga Jeton Lleshi, por nxitësi kryesor i veprës së rëndë, ndaj dhe habit pa masë fakti se si rasti terrorist i dërgimit të bombës, në redaksinë e gazetës "Bota Sot" , u përfundua vetëm me një dënim, pra vetëm me dënimin e autorit, pa ngritje akuzash ndaj ndihmësve dhe bashkëpunëtorëve, ku përveçse nuk është dënuar askush tjetër, nuk janë etiketuar, as nxitësit e kësaj vepre makabre terroriste”, shton ai.

Qarri thotë se lajmi i dënimit të Jeton Lleshit bëri bujë në mediat ndërkombëtare, kurse në Kosovë heshtën të gjithë.

Image
Jeton Lleshi me kreun e veteranëve të Dukagjinit

“Me gjithë mënyrën e gjykimit e të masës minore të dënimit të dhënë, lajmi për dënimin e Jeton Lleshit, nga Gjykata e Cyrihut, atëbotë pati bërë jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare, kurse në Kosovë, kohë kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër, ndërsa kuislingu Thaçi president, nuk ka pasur pothuajse asnjë reagim, jo vetëm nga Qeveria dhe Presidenca, por as nga mediat në vend, përveç gazetës "Bota Sot", përfshi edhe vet televizionin e ashtuquajtur publik-RTK, i cili as që ka raportuar për dënimin e Jeton Lleshit, ndoshta nga frika, se edhe ai ishte anëtar i AAK-së, partisë së kryeministrit të atëhershëm në detyrë, Ramush Haradinajt dhe kishte lidhje të ngushta edhe me Hashim Thaçin dhe ish kryetarin e Lëvizjes “Popullore”, sigurimin komunist të Shqipërisë Bedri Islamin”, përfundon Gani Qarri.

Miftari habitet pse nuk reagoi LDK-ja!

Në anën tjetër, ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se aktgjykimi i dënimit të Jeton Lleshit ishte më se i duhur dhe korrekt.

Ai shprehet i habitur pse nuk reaguan partitë politike për këtë rast.

“Aktgjykimi i dënimit të Jeton Lleshit ishte fer dhe argumentues, por edhe pse ishte i qartë, askush nga partitë politike në Kosovë nuk e gjykuan e as nuk reaguan. Me këtë aktgjykim është e kuptueshme pse LPK, PDK, AAK nuk reaguan, por pse LDK-ja nuk reagoi është e habitshme, edhe pse për njerëzit që e njohin mirë LDK-në nga brenda, është e kuptueshme, kur dihet se brenda LDK-së ka eksponentë, sidomos të lidhur ngushtë me SHIK-un dhe me PDK-në”, thotë Miftari.

Ai thekson se gazetës “Bota Sot”, iu vranë shumë gazetarë, dhe asnjë rast nuk është zbuluar deri më sot.

“Por, shkrimet, kritikat, analizat, e vërteta të shkruara në gazetën “Bota sot”, si duket e kanë ngacmuar jo vetëm krimin e organizuar, por edhe mafitë, klanet e partive politike, vet kupolën e korrupsionit dhe të tradhtisë, prandaj nuk ka patur reagime”, përfundon Naim Miftari.

Image

Kështu u dërgua bomba në redaksinë e gazetës “Bota sot”

Pakoja ishte e maskuar në formë dhurate brenda së cilës, përveç një shisheje me verë kishte edhe një granatë, shkruante media zvicerane NZZ.

Në vitin 2002, një dërgues i panjohur dërgoi një shishe verë “Chamonix 1998 Chenin blanc” në redaksinë e gazetës “Bota Sot” në Cyrih të Zvicrës. Por, paketa përmbante një shishe verë, si dhe një granatë dore ruse, e cila mund të shpërthente në momentin e hapjes së pakos.

Pakoja nuk u hap në fillim, pasi drejtuesi i gazetës kishte dyshime, ndërsa vëllai i tij e hapi në anën e kundërt dhe zbuloi se brenda pakos ndodhej objekti i dyshuar. Motra e tyre ishte gjithashtu e pranishme, dhe ajo menjëherë kishte lajmëruar policinë.

Një specialist erdhi, dhe çdo gjë u qartësua: Objekti i dyshuar ishte një granatë dore, unaza e shkyçjes ishte lidhur me tela dhe grepa me kapakun e sipërm të paketimit të jashtëm. Sikur dikush të hapte paketën në mënyrën se si hapen dhuratat, granata e dorës do të kishte shpërthyer.

Image

Policia zvicerane zbuloi ngjarjen

Rasti mbeti i pazgjidhur prej vitesh, derisa në dhjetor të vitit 2016 policia e Cyrihut, u lajmërua për një grindje në një sallë ahengjesh.

Pjesëmarrësit u ndoqën për trafikim, u morën mostrat e ADN-së, dhe shqyrtimi i tyre zbuloi një rast tjetër: ADN-ja e një prej shqiptarëve etnikë dhe qytetarëve të dyfishtë zviceranë që merrnin pjesë në grindje, ishte në përputhje me mostrën e pakos bombë që ishte dërguar shumë vite më parë.

Në shtator të vitit 2017, Gjykata Federale Penale në Bellinzona, dënoi dërguesin e pakos bombë, me dhjetë vjet burg, për vrasje të shumëfishtë në tentativë, dhe shkelje të shumta të ligjit mbi armët.

Gjykata gjithashtu shqiptoi një gjobë dhe dënime, duke përfshirë edhe dëmshpërblimin.

Pas dënimit, autori u ankua në Gjykatën Federale duke kërkuar që dënimi i tij të hiqet, përkatësisht për të zvogëluar dënimin deri në tetë vjet. Megjithatë, gjyqtarët në Lausanne e kanë refuzuar ankesën.

Dënimi nga Gjykata

Pavarësisht ankesave të të dënuarit, Gjykata vendosi që të mos i përfillte ato, duke deklaruar se dënimi prej 10 vitesh ishte i duhuri.

Gjithashtu, është e qartë se kur dërgohet një bombë në formë dhurate, potencialisht do të ketë shumë viktima.

Në përgjithësi, Gjykata Supreme e Federatës, vjen në përfundimin se dënimet nën-shkallë, siç ishte rasti i Jeton Lleshit, janë në përputhje me ligjin federal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat