Veprimi i Qeverisë së Kosovës po i ‘tmerron’ prokurorët dhe gjyqtarët

Politika

Veprimi i Qeverisë së Kosovës po i ‘tmerron’ prokurorët dhe gjyqtarët

Nga: N. Sh. Më: 27 shtator 2022 Në ora: 18:08
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke ia dorëzuar dosjen e vettingut kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. 4 gusht 2022.

Më 4 shtator, Dosja e vettingut në drejtësi i është dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Pas një pune intensive, dhe pas konsultimeve me grupe parlamentare, sot po e dorëzojmë në Kuvendin e Kosovës dosjen e dokumenteve të vettingut, përfshirë draftin e amandamenteve kushtetuese për vettingun, projektligjin për vettingun, koncept-dokumentin për vetting dhe po ashtu dokumentin shpjegues lidhur me vettingun të hartuar nga Ministria e Drejtësisë”, kishte thënë Haxhiu më 4 shtator gjatë një konference për media.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Sipas Haxhiut, dokumentet e dosjes janë "në përputhje të plotë më rekomandimet që kanë dalur nga Komisioni i Venecias”.

"Reforma në drejtësi mundëson që në sistem të mbeten vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë", tha ajo.

Për këtë çështje, ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava thotë se, kur jemi kaq afër miratimit të këtij ligji, shumë gjyqtarë e prokurorë i ka kapur panikut.

Ai shprehet se prandaj janë mobilizuar të gjitha strukturat e sistemit të drejtësisë, sipas tij, të kontrolluara dhe ndikuara nga krimi i organizuar, që ta kundërshtojnë vettingun në drejtësi.

Image
Hajrullah Tërnava

“Sado që ka përpjekje për sabotim dhe kundërshtim, assesi dhe askush nuk do të arrijë për ta penguar dhe pamundësuar miratimin dhe zbatimin e ligjit Vetting, as rezistenca dhe kundërshtimi që po i bëhet nga KPK dhe KGJKK-ja”, thotë Tërnava.

Tërnava pohon se, me një deklarim kundër procesit të Vettingut ndaj gjyqtarëve të Kosovës është deklaruar dhe Kryetarja e Gjykatës Themelores në Prishtinë, Albina Shabani-Rama.

Sipas tij, kjo gjykatë është më e ngarkuara me numrin më të madh të lëndëve të të gjitha llojeve të veprave penale që presin me vite për t’u zgjedhur duke pushuar në sirtarët e kësaj gjykate, duke shtuar se, gjithmonë nën ndikimin dhe kontrollin e ashpër të nëntokës kriminale të krimit të organizuar.

“Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka deklaruar se Vettingu i mundshëm për gjyqtarët do ta dëmtonte dhe do të mbingarkonte institucionin që drejton. Ajo madje është shprehur në favor të një vettingu të pjesshëm vetëm për kryetarët e gjykatave, duke thënë se ajo pajtohet që t’i nënshtrohet këtij procesi si kryetare e Gjykatës Themelore por është kundër që në të njëjtin të kalojnë edhe gjyqtarët, duke përfshirë Gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe gjykatave të tjera”, thotë ai.

Sipas tij, do të ishte trajtim i padrejtë dhe gjysmak e i paefekt procesi i vettingut nëse do të ndodhte një verifikim parcial, vetëm i kryetarëve të Gjykatave dhe të kryeprokurorëve, nëse në këtë proces verifikimi dhe testimi nuk futet i gjithë personeli i sistemit të drejtësisë me bazë të gjerë.

"Kjo pasi dihet se për këto dy dekada kemi ndërtuar një sistem të pa reformuar, jo efikas dhe tërësisht të dështuar, gjithmonë të kritikuar dhe denoncuar nga OJQ-të vendore dhe nga ndërkombëtarët, për një sistem i cili ka bashkëjetuar me politikën dhe dështuar në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar”, thekson ai.

Ai shton se, duhet të gjenden metoda që shpëjtojnë jetësimin e vettingut.

“Duhet që të gjithë të përfshihen me këtë ligj, sepse ligji duhet t’i përfshijë të gjithë ata gjykatës që edhe në të ardhmen do e vazhdojnë profesionin e tyre si gjykatës, dhe vetëm në këtë mënyrë kur të gjithë dalin para këtij ligji, do të zbatohet e drejta e barabartë për të gjithë gjykatësit që kanë punuar deri më tani në këto institucione të drejtësisë, në të kundërtën nëse vetëm në mënyrë parciale verifikohen gjykatësit në fjalë, gjithnjë do të mbetet i zbehtë jetësimi i këtij ligji”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 13 tetor të vitit të kaluar kishte miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vettingu me ndryshime Kushtetuese kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi.

Ndërkaq Komisioni Evropian kishte kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës për të bërë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke thënë se ky do të ishte “burim serioz i shqetësimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat