BE-ja e ka në dorë ta bllokojë marrëveshjen ruso-serbe/ Analisti ia zbulon ‘sekretet’ kësaj marrëveshje

Politika

BE-ja e ka në dorë ta bllokojë marrëveshjen ruso-serbe/ Analisti ia zbulon ‘sekretet’ kësaj marrëveshje

 Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 shtator 2022 Në ora: 10:15
Aleksandar Vuçiq dhe Vladimir Putin

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Serbia dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshje për koordinimin e politikës së jashtme.

Për këtë marrëveshje ka reaguar Presidenca, e po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albni Kurti.

“Serbia punon për të harmonizuar më tej politikën e saj të jashtme me Rusinë. Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën. Aderimi i Serbisë në BE duhet të ndalet. Nuk duhet të ketë më dy fjalë në një moment kaq vendimtar për Evropën”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Për këtë nënshkrim ka reaguar edhe BE-ja, për të cilin kanë thënë se kjo ngreh shqetësime serioze.

“Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”.

Kelmendi: BE-ja dhe SHBA-të kanë mundësi ta ndalin dëmin ruso-serb në Ballkan e më gjerë

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori Muhamet Kelmendi shprehet se Rusia ka qenë historikisht e rreshtuar pas Serbisë, madje edhe në armatosje të saj, e që Serbia po i qëndron pas Rusisë duke mos e sanksionuar për luftën në Ukrainë.

“Raportet midis Serbisë dhe Rusisë janë të ndërtuara mbi interesa të përbashkëta dhe historikisht ka qëndruar Rusia në anën e Serbisë. Vet shteti serb është krijuar nga Rusia e përkrahur nga Franca. Me ndihmën e Rusisë dhe me përkrahjen e Francës u aneksua Kosova veriore deri në Nish në Kongresin e Berlinit në vitin 1878. Po në këtë kohë iu aneksua Hoti e Gruda, Plava e Gucia, Tivari dhe Ulqini Malit të Zi. Në Konferencën e Ambasadorëve më 1913 iu aneksua Serbisë gjysma e territorit shqiptar, si dhe Çamëria Greqisë”, thotë Kelmendi.

Ai më tej, rikujton qëndrimet që mbajti Rusia kundër shqiptarëve në vazhdimësi.

“Edhe më vonë qëndroi Rusia përkrah shtetit serb. Rusia e mbrojti dhe po e financon, sikundër edhe po e armatosë me armë Serbinë. Në KS të OKB-së po e ndalon Rusia çdo iniciativë për çështjen e Kosovës. Me veto në KS të OKB-së e përkrah dhe e mbron Rusia, Serbinë. Këtë po e bënë tash edhe Kina”, thotë ai.

Sipas tij, me marrëveshjen mes Rusisë dhe Serbisë ka disa qëllime.

“Me Marrëveshjen e Rusisë me Serbinë për koordinimin e politikës së jashtme shkojnë së këndejmi disa qëllime ruso-serbe.

Me këtë marrëveshje është pikësynimi:

1. Unifikimi i qëndrimeve në kuadër të raporteve të jashtme edhe në OKB në mes veti.

2. Unifikimi i qëndrimit ruso-serb për "Ballkanin e hapur".

3. Mbrojtjen e politikës së njëjtë në raport me Ukrainën, në Ballkan, në Lindje të Afërt e më gjerë.

4. Unifikimin e interesave të përbashkëta në ekonomi, në financa dhe në mbrojtje të vendeve.

5. Mos dënimi me sanksione ekonomike të shtetit rus për agresion në Ukrainë.

6. Përkrahjen e referendumit rus në Ukrainë dhe nesër atë serb në Kosovën veriore.

7. Armatosjen e mëtejshme të shtetit serb nga Rusia etj.

Natyrisht se këto qëllime janë shumë të dëmshme dhe të rrezikshme për Ballkanin e më gjerë, UE dhe paqen”, thekson ai.

Tutje, thotë se BE-ja dhe SHBA-ja mund ta ndalin Serbinë me masa konkrete.

“UE dhe SHBA kanë mundësi për të kufizuar e mbrojtur në këtë pjesë të Evropës me masa konkrete.

1. Ne ngritjen e presionit ndaj Serbisë për të pranuar sanksionet dhe qëndrimet e UE dhe të perëndimit kundruall Rusisë.

2. Në dialog me shtetin e Kosovës kërkohet qartësi nga UE, siç e ka SHBA-ja.

UE duhet ta pranojë zyrtarisht shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Nuk duhet dalur, siç bënë Borell e Lajçak, me Kosovën si territor pa status.

3. UE duhet t'i ndali financat ndaj Serbisë dhe edhe procesin e anëtarësimit të shtetit serb në UE të ndërlidhë me njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia.

4. Kosova kërkohet të anëtarësohet në KE dhe NATO, sikundër edhe të hapet perspektiva për anëtarësim në UE.

5. Kosova kërkohet të armatoset me armë nga perëndimi.

Çështjet e theksuara e ndalin dëmin që mund të sjellë kjo marrëveshje ruso-serbe. UE e ka në dorë”, përfundoi profesori Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Duhanaj: Kosova dhe Ballkani në përgjithësi, tani më është plotësisht nën kontrollin e Perëndimit

Image
Leon Duhanaj

Lidhur me këtë analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” thotë se Rusia dhe Serbia kanë raporte historike, madje Serbia ekziston fal ndikimit rus mbi Perandorinë Osmane.

“Kur flasim për raportet Serbi -Rusi, duhet pasur parasysh raportet historike mes tyre. Serbia si shtet siç është sot, ekziston vetëm falë ndikimit rus mbi Perandorinë Osmane, me ç'rast përmes marrëveshjeve ruso-turke u themeluan të gjitha shtetet sllave në truallin shqiptar.

Pra, kjo marrëveshje nuk është aspak për t'u befasuar dhe për këtë e dinë edhe shtetet e QUINT-it , prandaj edhe qasja e tyre në raport me Serbinë duket tolerante, pasi që synojnë që gradualisht ta ç'kapin nga Rusia”, thotë ai.

Sipas tij, Rusia nuk mund ta mbështetë Serbinë karshi Kosovës përkatësisht QUINT-it, sepse rusët kanë preokupimin e tyre në Ukrainë dhe ata do ta synojnë ta përdorin pavarësinë e Kosovës për ta krahasuar me Krimenë.

Ai thotë se Rusia po e përdor Serbinë për pozita të veta gjeostrategjike.

“Në anën tjetër, bazuar në zhvillimet momentale në kontekstin global, atëherë duhet të themi se Rusia nuk mund ta mbështetë Serbinë që të dalë fitimtare karshi Kosovës përkatësisht QUINT-it, sepse rusët kanë preokupimin e tyre në Ukrainë dhe pikërisht në këtë pikë, do ta synojnë ta përdorin pavarësinë e Kosovës për ta krahasuar me Krimenë, përkatësisht edhe ndonjë segment tjetër në zonën Donbas, ku synon t'ia aneksoj Ukrainës.

Në këtë kontekst, edhe serbët më në fund do ta shohin se Rusia është duke i përdorur për interesa të veta gjeostrategjike sepse ndihmë e madhe për ta nuk ka mundësi të jetë edhe po ta dëshironte vërtetë.

Kosova dhe Ballkani në përgjithësi, tanimë është plotësisht nën kontrollin e Perëndimit dhe të gjithë akterët antiperëndimor, qoftë Rusia, por edhe të tjerë do të kenë ndikim të përkohshëm, por jo vendimtar”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat