Ramushit i ka hyrë frika deri në palcë / Edhe komandantëve gangsterë

Politika

Ramushit i ka hyrë frika deri në palcë / Edhe komandantëve gangsterë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 30 shtator 2022 Në ora: 12:04
Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj

Kritikat e Haradinajt ndaj Albin Kurtit

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) këtë javë pritet të merr vendimin për pezullimin ose jo të grevës në arsim.

Ata përmes një shkrese kanë kërkuar mendimin e anëtarësisë së saj për pezullimin e grevës deri në janar, dhe fillimin e procesit mësimor nga data 3 tetor, ditë e hënë.

Kurse, për këtë situatë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti duke i kërkuar që ta ndalë grevën ose të japë dorëheqje, madje i ka kërkuar edhe që ta shkarkojë ministren e Arsimit Arbëre Nagavcin. Po ashtu edhe në Kuvend, nga deputetë të tjerë, pat kërkesa për shkarkimin e kësaj ministre.

“Debati që ai e ka hapur me sindikatat, është tallje me një popull dhe shprehje e paaftësisë së tij.

Sindikatat mund të jenë aty për t'ia nxirë jetën atij e çdo kryeministri tjetër dhe mund të jenë kundër tij e me dreqin e me të birin, por ai që duhet të gjejë zgjidhje është kryeministri e askush tjetër!

Kush je ti që i ke dhënë të drejtë vetes që t'i lësh në rrugë 300 mijë e sa, fëmijë!? A e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneçësinë tënde!

Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi!”, ka thënë mbrëmë Haradinaj. Disa nga këto kërkesa ia ka përsëritur Qeverisë edhe gjatë debatit të sotëm në Kuvend.

Mehazi: Kritikat e Haradinajt ndaj Kurtit, nuk janë serioze, më shumë janë spektakulare sesa politike

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, thotë se kritikat e Haradinajt ndaj Kurtit janë më shumë qesharake sesa politike. Nuk janë serioze.

“Kritikat e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, ndaj kryeministrit Albin Kurtit, nuk janë serioze, më shumë janë spektakulare sesa politike, sa për të thënë diçka kundër Kurtit e asgjë më shumë, kritikat e Haradinajt ndaj kryeministrit Kurtit nuk zënë vend, më shumë janë qesharake sesa politike, opinioni i gjerë më shumë freskohet me deklaratat e tij komike, për shkak se politikisht e dinë se kush është Haradinaj i cili aq lehtësisht në postin e kryeministrit ia fali Malit të Zi, Çakorrin dhe Zhlebin”, thotë profesori.

Sipas tij, greva është bërë shkas për të kritikuar qeverinë Kurti, por që ai hedh dyshime se ndoshta edhe ai është iniciator i vazhdimit të grevës, së bashku me PDK-në.

“Është normale si opozitë, Haradinaj, të dalë në anën e sindikalistëve të arsimit, pasi bëhet shkas për të shprehur kritika ndaj qeverisë së Kurtit. Kjo tregon, se, mos ndoshta iniciatorë e vazhdimit të grevës së mësimdhënësve është AAK-ja e tij së bashku me partitë tjera opozitare PDK e LDK. Zotëri Ramush Haradinaj para se të kritikonte kryeministrin, Albin Kurtin, me rastin e sindikalistëve do të ishte mirë që të kthehej te mësimdhënësit analfabetë të dalur gjatë qeverisjes së tij, të cilët marrin rroga pa farë përgatitje edukative e arsimore e intelektuale.

Për Haradinajn dhe partinë e tij më e dobishme është heshtja sesa reagimet ndaj Kurtit, pasi që njëzet vjet radhazi qytetarët e Kosovës i dinë veprimet politike skandaloze të tij. Deklaratat politike të Haradinajt kanë humbur peshën e besueshmërisë së qytetarëve të Kosovës”, përfundoi ai.

Qarri: Sulmi banal i Ramush Haradinajt kundër Albin Kurtit

Analisti Gani Qarri thotë se Ramush Haradinaj me klikën e tij, është ai që mban për drejtor shkollash nga dy dekada e më shumë partiakët e tij, në komunat ku qeverisë.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, në vet komunat ku udhëheq partia e tij, të punësuarit duhet të kenë miratimin e tij.

“Ramush Haradinaj me klikën e tij, është ai që mban për drejtor shkollash nga dy dekada e më tepër, drejtor partiak të shkollave, që jo vetëm se nuk kanë përgatitje të duhur, por janë vendosur edhe në pozicione të gabuara për të cilat u mungon edhe aftësia profesionale, gjë që nuk ka mundur të ndodhte as në kohën e regjimit komunist të Titos.

Të gjithë të punësuarit në arsim, në komunat ku udhëheq partia e Ramushit, duhet ta kenë miratimin e kësaj partie sunduese, për tu punësuar në shkolla dhe institucionet tjera publike, pa marrë parasysh kualifikimin dhe ngritjen intelektuale, madje në komisionin vlerësues për përzgjedhjen e kuadrove edhe me tituj magjistrature dhe të doktoratave, thuhet se personi kryesor është daja i gjithëdijshëm i Ramush Haradinajt, Lah Ibrahimaj, me shkollë të mesme, ndaj kjo dhe shumë veprime tjera arbitrare dëshmojnë më së miri se sa brengë të madhe ka për arsimin, Ramushi dhe komandantët tjerë "çlirimtar", të cilët e kanë ndarë Kosovën në rajone, dhe jo shteti, por ata vet, e bëjnë ligjin, aty ku sundojnë, pra ngjashëm, apo gati njëjtë si në veri”, thotë analisti.

Tutje, shton se sulmi banal i Ramush Haradinajt, kundër Albin Kurtit, pas një periudhe heshtjeje, është mbrojtja më e mirë, sidomos tani kur pritet të hyjë në zbatim edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme.

“Partia e Ramushit është ajo që ka shpallur hero edhe bashkëpunëtorët e "komandirëve" të policisë kriminale të Millosheviqit, të cilët e dorëzonin armatimin e UÇK-së, në situatat më kritike për vendin, në para-vjeshtën e vitit 1998, dhe festonin bashkë me ta në shtëpitë e veta, madje përveç grumbullimit të pasurive të kundërligjshme kush e di sa milionëshe, nga prokuroria e Ferizajt është gjetur se Ramushi me shokët nga PDK-ja dhe jo vetëm, kanë ndërtuar vila dhe blerë toka me ligjet e organeve paralele të Serbisë edhe në Parkun Kombëtar "Sharri" në Brezovicë, ku me ligjet e Republikës së Kosovës, është i ndaluar ndërtimi.

Për vrasjet politike

Pra, Ramsh Haradinaj aktualisht ka shumë halle, ndaj dhe sulmi banal i Ramush Haradinajt, kundër Albin Kurtit, pas një periudhe heshtjeje, është mbrojtja më e mirë, sidomos tani kur pritet të hyj në zbatim edhe Ligji për konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme, të reformohet drejtësia dhe të futet Vettingu në gjithë sistemin e kalbur të drejtësisë, të kapur nga komandantët dhe partitë e inkriminuara, proces pas të cilit, Ramushi me shokë, pritet të kenë probleme të mëdha me ligjin dhe drejtësinë e reformuar, për sqarimin e shumë veprimeve, që nga pasuritë e kundërligjshme deri tek dyshimet për vrasjet politike, për më tepër se dy dekada në këtë vend”, thekson ai.

Në fund, Qarri deklaron se ajo që ia ka futur frikën Haradinajt dhe komandantëve të tjerë është paralajmërimi i fillimit të procesit gjyqësor kundër Hashim Thaçit dhe të ashtuquajturës "ndërmarrje kriminale" në Hagë, të akuzuar për 100 vrasje të shqiptarëve.

“Prandaj, ajo që ua ka futur frikën deri në palcë, jo vetëm Ramushit, por edhe komandantëve të tjerë gangster, të cilët e mbanin veten për "supermen" në këtë vend, është paralajmërimi i fillimit të procesit gjyqësor kundër Hashim Thaçit dhe të ashtuquajturës "ndërmarrje kriminale" në Hagë, të akuzuar për 100 vrasje të shqiptarëve, prej nga pritet të nisë edhe zgjidhja e nyjës, së lëmshit kriminal të qindra vrasjeve të tjera të pasluftës në Kosovë, ku dyshohet të jetë i përfshirë edhe Ramush Haradinaj me shokë, ndaj këta duket se janë shqelmat e fundit, të këtyre njerëzve, të cilët kanë angazhuar edhe sindikatat për bllokimin total të shtyllës kryesore të edukimit në vend, si shkollat, duke lënë mbi 320 mijë nxënës jashtë bankave shkollore dhe dëmtuar pariparueshëm, tërë vitin shkollor 2022-2023, vepër politike e cila, pa kaluar shumë kohë, besoj se do të cilësohet si akt kriminal, dhe së shpejti autorët e saj, do të gjenden në bankat e të akuzuarve dhe marrin dënimin e merituar ligjor”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat