BE-ja mesazh të ashpër Vuçiqit – i jep afat që ta përmbyllë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën

Politika

BE-ja mesazh të ashpër Vuçiqit – i jep afat që ta përmbyllë marrëveshjen përfundimtare me Kosovën

Nga: N. Sh. Më: 30 shtator 2022 Në ora: 22:34
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Sipas burimeve diplomatike nga Brukseli, viti 2023, është afati i fundit i përcaktuar nga BE, kur përfundimisht duhet të përmbyllet dialogu dhe të nënshkruhet marrëveshja e obligueshme gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë informacion e jep ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri, i cili shton se, BE-ja ka kërkuar nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq që vetëm një ditë pas formimit të qeverisë së re, t’i vendosen sanksionet Rusisë, nga Serbia!

Sipas tij, Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, qysh me 14 qershor të këtij viti, ka futur në raportin për vendet e Ballkanit Perëndimor qëndrimin zyrtar se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndërmjet të dy vendeve, akt që është kundërshtuar vetëm nga raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, i cili njëjtë si Mirosllav Lajçaku, edhe ai vjen nga Sllovakia, një nga 5 shtetet e BE-së, mos njohës i pavarësisë së Kosovës.

“Dhe siç dihet tanimë publikisht edhe nga opinioni i gjerë, BE, përfundimisht i ka vendosur Serbisë vitin 2023 si afat përfundimtarë, për nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën, si dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, fakt ky që flet hapur, se më në fund Bashkimi Evropian ka filluar t`ia bëjë me dije, pa maska e ekuivokë dhe më qartë se kurdoherë më parë, Serbisë, Vuçiqit dhe qeverisë në ardhje, se ka ardhur koha që përfundimisht do të detyrohen, ta nënshkruajnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me Kosovën, me njohjen reciproke, në mes të dy vendeve”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai tutje thotë se, Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, i është drejtuar me një thirrje publike BE-së edhe për liberalizimin e vizave me Kosovën, gjë që si formulimi i parë që ka të bëjë me marrëveshjen për njohje të ndërsjellë, ndërmjet Kosovës e Serbisë, ashtu edhe kërkesa e PE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, po reflektojnë gjithnjë e në mënyrë më pozitive tek shumica e vendeve të BE-së dhe faktorit ndërkombëtar, evropian dhe botëror.

“Edhe sa u takon lidhjeve të Serbisë me Rusinë, BE, jo vetëm që asnjëherë, nuk i ka pritur mirë, por ka reaguar ashpër edhe kundër marrëveshjes së fundit serbo-ruse, duke shprehur pakënaqësinë e saj publikisht, e cila në njërën anë bënë sikur ka interesim dhe angazhohet teorikisht për inkuadrim në BE, kurse në anën tjetër, praktikisht vazhdon kooketimin me Rusinë, edhe tani kur mbarë bota demokratike, ka vendosur sanksione, nga më të ashprat, të njohura deri më tani, kundër Rusisë, për shkak të okupimit ushtarak të Ukrainës”, thotë Qarri.

Madje, sipas tij, veçanërisht paralajmërimi i BE-së për Serbinë në raport të dialogut me Kosovën, duhet të rezultojë me epilog dhe jo të mbetet vetëm, si vërejtje në letër.

“Përndryshe Serbia nëse nuk reflekton urgjentisht, sa i takon qëndrimit të SHBA-ve dhe Komisionit të Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, për përfundimin e dialogut me njohje reciproke me Kosovën, si dhe nuk fillon t’i përvetësoj gradualisht politikat e vendeve evropiane të miratuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë, duhet të ndërpriten të gjitha bisedime për integrim nga BE, me këtë shtet hegjemonist dhe mbështetësja e vetme e Rusisë në rajon, si dhe të largohet përfundimisht si vend kandidat për integrim në BE”, shprehet ai.

Ai shton se, Serbia është e obliguar, që njëjtë si të gjitha shtetet kandidate për inkuadrim në BE, qëndrimet dhe politikat e saj, ti përshtatë “tërësisht" me prioritetet ligjore dhe politike, që ka caktuar Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund, qëndrimit pro-rus, përfshi edhe ndalimin e importimit të gazit dhe naftës ruse, si dhe tu bashkohet vendeve evropiane për vendosjen e sanksioneve, kundër Rusisë, pasi që BE përmes planit për investime në Ballkan, e ka ndihmuar në mënyrë të veçantë Serbinë, duke investuar mbi 50 milion euro, për nisjen e punës në interkonektorin e gazit Serbi-Bullgari, në mënyrë që Serbia të mos jetë e varur nga gazi dhe nafta e Rusisë, duke monitoruar edhe situatën e çmimeve dhe garantuar furnizim të rregullt për tërë rajonin.

“E nëse Serbia, përkundër të gjithave edhe në kohën kur tanimë BE, planifikon vendosjen e sanksioneve më të reja kundër Rusisë, vazhdon të mos ndryshojë qëndrimet e saj, në raport me gjendjen e krijuar, si i vetmi vend në Evropë që nuk mbështet qëndrimin e BE-së dhe ende nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, si dhe nuk respekton kërkesën e SHBA-ve dhe të BE-së, për nënshkrimin e marrëveshjes me njohje reciproke me Kosovën, siç paralajmërohet nga Brukseli, do të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, për vazhdimin e bisedimeve me BE-në dhe do të merret vendim, për mos hapjen e kapitujve të ri dhe bllokimin e negociatave me Serbinë, për inkuadrim në BE”, thotë ai.

Prandaj sipas tij, “paketa e tetë me masat e sapo propozuara nga BE, për sanksionet edhe më të zgjeruara kundër Rusisë, të cilat përfshijnë edhe ndalimin e importit të produkteve ruse, që të privojnë Moskën nga 7 miliardë euro të ardhura-shtesë, medoemos do ta pengojnë importin e produkteve të tilla të Rusisë edhe nga Serbia e Vuçiqit, i cili përfundimisht do të jetë i detyruar, ta bëjë realitet, dhënien e paralajmëruar të dorëheqjes nga posti i presidentit të Serbisë, ose do ti bashkohet BE-së, për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe nënshkruaj marrëveshjen, në njërën nga variantet e "publikuara", por që gjithsesi, duhet të përmbajë në vete, njohjen reciproke dhe mundësojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB, NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare, ngase në këtë situatë, BE, SHBA dhe Bashkësia Ndërkombëtare, duan garantimin e paqes dhe të sigurisë në rajon, me çdo kusht dhe assesi shpërthimin edhe të një konflikti tjetër të ri, në Ballkan dhe Evropën Juglindore, pasi që BE dhe bota, ka probleme mjaft të mëdha, me luftën që aktualisht po zhvillohet në Ukrainë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat