A po rikthehet LDK/ Ja pse sondazhet e renditin me rritjen më të madhe... !

Politika

A po rikthehet LDK/ Ja pse sondazhet e renditin me rritjen më të madhe... !

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 tetor 2022 Në ora: 14:06
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Matjet e fundit të opinionit publik, tregojnë një rritje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në secilin sondazh të publikuar, përkrahja për këtë parti është dyfishuar, pasi një vit më parë ajo preku fundin e rënies me 12 %, prej themelimit të saj, 33 vjet më parë, pas zhgënjimit të jashtëzakonshëm me udhëheqjen e Isa Mustafës.

Këto rezultate, e kanë entuziazmuar lidershipin e LDK-së, gjersa e ritheksojnë synimin e tyre për t’u bërë partia më e madhe në vend.

Kjo rritje e LDK-së siç duket sjelli edhe kalimin e deputetes Doarsa Kica nga Lista Guxo në LDK.

Ky kalim i deputetes Kica, ka sjellur debate të mëdha pasi akuza që ka keqpërdorur votat e elektoratit të Listës Guxo ka pasur mjaft shumë.

Zonja Kica dha dorëheqje në fillim të verës nga Lista Guxo, e pakënaqur plotësisht me punët në këtë subjekt në tentativë, kurse edhe raportet me Grupin e saj, atë të VV-së, nuk ishin më të mirat e mundshme.

Kjo si duket i ka hapur mundësinë LDK-së që të flasë me të dhe të shikojë mundësitë për bashkëpunim.

Mirëpo, a janë këto shenja që LDK-ja ka filluar korrigjimet e humbjeve të saj?

Kuçi: Nga partitë opozitare vetëm LDK-ja ka punuar që të bëjë ndryshime në imazhin e saj

Image
Njohësi i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi

Ndërsa njohësi i çështjeve politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuq Kuçi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që nuk janë shumë befasuese ndryshimet e opinionit, sepse nuk do ketë më një moment të dytë që një parti prapë të fitoj mbi 50%, por një qeveri e ardhshme do të jetë qeveri e koalicioneve.

“Rezultatet e sondazheve të fundit ka shumë rëndësi se nga kush paguhen që të bëhen dhe çfarë rezultateve janë pajtuar të publikojnë. Sidoqoftë, duke pasur parasysh këto që janë publikuar nuk janë shumë befasuese, sepse nuk do ketë më një moment të dytë që një parti prapë të fitoj mbi 50%, por një qeveri e ardhshme do të jetë qeveri e koalicioneve. Në anën tjetër partitë në pushtet është e zakonshme që gjithmonë pësojnë regres votash sa do të shkëlqyera të jenë në punën e tyre, sepse mospërputhjet e pritjeve me punën krijojnë zhgënjim”, thotë ai.

Kuçi shprehet se nga partitë opozitare vetëm LDK-ja ka punuar që të bëjë ndryshime në imazhin e saj dhe ka një person në krye, i cili në momente të caktuara nuk e ka përkrahur klasën e vjetër të LDK-së.

“Nga partitë opozitare vetëm LDK-ja ka punuar që të bëjë ndryshime në imazhin e saj dhe ka një person në krye i cili në momente të caktuara nuk e ka përkrahur klasën e vjetër të LDK-së, por edhe ka qenë një ministër që ka pas filluar procese që askush nuk i bënte e nuk po i bënë që nga paslufta. Pra, si ministër është treguar edhe i guximshëm dhe jo vetëm i gatshëm të qeverisë. Po ashtu, çka i shton poena LDK-së, është se Abdixhiku përkundër pakënaqësive nuk ka bërë veprime sikur ata që dolën nga LDK-ja”, shpjegon njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

“Mirëpo, çka po e bënë edhe z. Abidixhiku të bie në grackën e njerëzve, të cilët e duan vetëm pushtetin dhe paranë, është afrimi i disa figurave që po konsiderohen si figura politike të reja, por që realisht janë të krijuara dhe të ngritura nga partitë si PDK-ja dhe të tjerat. Po zgjedh njerëz që nuk kanë një vizion politik, por një vizion karrierist”, shtoi Kuçi tutje.

Ndërsa në fund, ai theksoi që LDK-ja më së shumti është duke fituar terren nga qeverisja jo e duhur, PDK-ja e rënë dhe AAK-ja e ngurtë.

“Subjektet politike minore zakonisht shkojnë me krijuesit e qeverisë dhe çdo devijim i tyre nga qeveria shpreh vetëm pakënaqësitë që nuk mund të marrin para, projekte dhe benifite për vete dhe partinë (jo për grupin minor) si në të kaluarën. Andaj janë veprime të pasinqerta, veprimet të cilat i bënë znj. Balje. Partitë opozitare nga pozita e tyre mund të bëjnë kërkesa dhe kritika dhe të japin kontribut në grupet parlamentare, fushëveprimtaria e tyre ligjërisht përkufizohet kështu. Mirëpo, LDK-ja më së shumti është duke fituar terren nga qeverisja jo e duhur, PDK-ja e rënë dhe AAK-ja e ngurtë”, përfundoi Kuçi për “Bota sot”.

Latifi: LDK-ja nuk mund të qëndrojë larg qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe larg brengave të tyre

Image
Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër

Haki Latifi ish-kryetar i degës së LDK-së në Zvicër, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që LDK-ja nuk mund të qëndrojë larg qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe larg brengave të tyre.

“Siç po duket, qytetarët janë duke reflektuar dhe rinjohur potencialin dhe energjinë e re të LDK-së , si dhe janë duke i njohur qartë reformat e shumëpritura që veç po ndodhin në LDK. Për ti bërë këto ndryshime dhe përmirësim të mirëfilltë, LDK-ja nuk mund të qëndrojë larg qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe larg brengave të tyre. Përkundër progresit në këtë kohë të shkurtër dhe duke i përcjellur sondazhet e fundit, them se dyfishimi në mbështetje s’duhet të mjaftojë. LDK-ja ka mësuar nga gabimet, ka mbajtur shënimet e duhura”, u shpreh ish-kryetari i LDK-së, në Zvicër.

Gjithashtu ai cek që secila parti duhet të mësoj nga gabimet shkuara dhe ta ndërtojë të ardhmen politike e gjithashtu ta merr vendin që e meriton.

“Në takime me qytetarët, është dëgjuar elektorati me vëmendje të madhe. Nuk është duke synuar që ta ndryshojë elektoratin, por është duke ndryshuar veten. Duhet të mësojë nga gabimet e shkuara e të ndërtoj të ardhmen politike dhe ta merr vendin që e meriton. Sido që të jetë, hapësira e kryetarit të LDK-së, z. Abdixhiku dhe e kryesisë së LDK-së për t‘i kthyer votat e humbura nga viti 2021 është shumë më e madhe se sa e partive të tjera rivale”, tha Latifi.

Në bisedë e sipër ai thekson që realiteti politik ka ndryshuar, partitë janë reformuar, posaçërisht LDK-ja, dhe një gjë e tillë nuk ka kaluar pa u shënuar prej qytetarëve.

“Në këto rrethana, z. Abdixhiku dhe LDK-ja duhet të luajnë rolin e opozitës së mirëfilltë përballë kësaj qeverie dhe të jetë shumë më aktive për ti dhënë alternativën e duhur vendit. Nga ana tjetër, në partinë në pushtet (VV) pa asnjë fije të dyshimit ka filluar një erozion i fuqishëm nën këmbët e saj. Akumulimi i problemeve të mëdha në vendin tonë, i ka dhënë fund kësaj romance. Njerëzit kanë filluar të mendojnë me tru e jo me zemër. Realiteti politik ka ndryshuar, partitë janë reformuar, posaçërisht LDK-ja, dhe një gjë e tillë nuk ka kaluar pa u shënuar prej qytetarëve”, potencon ish-kryetari i LDK-së, në Zvicër.

Ndër të tjera, Latifi shton që jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt siç është e pasigurt edhe e ardhmja integruese evropiane e Kosovës.

“Republika e Kosovës udhëhiqet sot nga mosbesues të saj, ajo është peng i popullizmit dhe arrogancës së pushtetit. Jeta e qytetarëve tanë nuk ka qenë asnjëherë më e pasigurt siç është e pasigurt edhe e ardhmja integruese evropiane e Kosovës. Sidomos, mungesa e guximit vendimmarrës dhe mbi të gjitha mungesa e lidershipit në Kosovë për t’i prirë proceseve të mëdha transformuese. Kryeministri Kurti po zhvishet nga premtimet e rrejshme dhe demagogjike elektorale dhe se, Qeveria Kurti 2 nuk ka nevojë të rrëzohet. Kryeministri Albin Kurti çdo ditë është duke e rrëzuar veten”, nënvizoi Latifi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat