Lidhja e afërt e Vuçiqit dhe Ramës me Moskën!/ Profesori përmend Baton Haxhiun: Ky është skenari!

Politika

Lidhja e afërt e Vuçiqit dhe Ramës me Moskën!/ Profesori përmend Baton Haxhiun: Ky është skenari!

Nga: A.M Më: 4 tetor 2022 Në ora: 22:20
Aleksandar Vuçiq, Edi Rama dhe Baton Haxhiu

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen shprehet e shqetësuar për financimet ruse në Ballkan.

Gjatë një interviste senatorja amerikane Shaheen, njohëse e Ballkanit Perëndimor, shprehet se marrëveshja e fundit mes Beogradit e Moskës, shkon kundër interesave afatgjatë të vet popullit serb.

E për këtë temë, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai u shpreh se ky është një nga problemet më të mëdha, duke thënë se të gjithë ballkanasit, përveç shqiptarëve, bashkëpunojnë hapur me Rusinë.

“Financimet ruse në Ballkan e në Shqipëri janë një problem i madh. Por ndërsa disa vende dhe popuj të Ballkanit, si serbët, e shprehin hapur bashkëpunimin dhe nuk kanë komplekse nga financimet ruse, disa të tjerë, si shqiptarët, përpiqen të fshihen. Kjo ndodh për shkak të afeskionit pro ose kundër rus. Serbia dhe serbët janë në mbi 90 përqind pro-rus, madje me vlerësime pozitive për presidentin Putin edhe në kushtet e sootme kur ai bën agresion ndaj një vendi sovran, në Ukrainë. Shqiptarët janë kundër Rusisë, por ajnë edhe të etur për para! Vdesin që të kenë pushtet e para. Ndaj dhe nuk ia përtojnë t'i pranojnë financimet ruse.

Të gjithë ballkanasit, përveç shqiptarëve, bashkëpunojnë hapur me Rusinë. Nëse përpiqen të fshihen, thjesht duan që edhe t'I marrin paratë e Perendimit dhe nga ana tjetër të shijojnë financimet ruse. Por Rusia jo vetëm financon shërbimet ndaj saj. Ajo në Serbi ka investuar në ngritjen e qendrave logjistike e të spiunazhit, si ajo e Nishit. Kremlini është i pranishëm në çdo segment të politikës, akademisë, kishës e shoqërisë serbe. Po ashtu në Bullgari ka parti politike pro-ruse, madje parlamentare. E njëjta gjë ndodh me partinë pro-serbe të Malit të Zi, në Maqedoninë e Veriut, me Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës”, deklaroi profesori.

Image
Profesori universitar, Enver Bytyçi.

“Problemi më i madh janë financimet sekrete e të panjohura që Rusia, Kremlini dhe ambasada ruse kanë bërë e bëjnë për politikanë, medie, njerëz me influencë”

Sipas Bytyçit, Kosova është vendi në të cilin më së paku ka investime ruse.

Ai përmendi rastin e Partisë Demokratike në Shqipëri, sa ishte në krye Lulzim Basha i cili ka përdorur 500 mijë dollarë të dyshimta nga burime ruse.

“Nga të gjitha shtetet e Ballkanit vetëm Kosova është ende e papërlyer me investime e financime ruse. Edhe në Shqipëri kanë hyrë ato. Eshtë bërë publike një aferë e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, i cili ka përdorur 500 mijë dollarë të dyshimta nga burime ruse për lobim në SHBA. Madje pati realizuar edhe një foto me presidentin Trump përmes këtyre parave. Por kam bindjen se Luli nuk e ka ditur as vetë se nga i vinin ato para. Dikush tjetër është kujdesur që operacioni i financimit të mbërrijë te format ofshore ruse. Jo se Lulit nuk i pëlqejnë paratë, por po ta dinte ai kishte frikë t'i merrte”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se problemi më i madh janë financimet sekrete e të panjohura që Rusia, Kremlini dhe ambasada ruse kanë bërë e bëjnë për politikanë, medie, njerëz me influencë në Shqipëri.

“Megjithatë të gjithë janë ngritur kundër Lulit dhe mirë bëjnë. Ndërkaq kryeministri i vendit e përdor këtë retorikë edhe kundër Partisë së sotme Demokratike, pavarësisht se e mbajti Lulzim Bashën peng për ta shkatërruar këtë parti. E mbajti peng dhe tani e hodhën si Rama edhe ambasadorja Kim. E përdorën me presionin e dosjes dhe tani tallen.

Për mua ky financim i Lul Bashës është një problem. Por problemi më i madh janë financimet sekrete e të panjohura që Rusia, Kremlini dhe ambasada ruse kanë bërë e bëjnë për politikanë, medie, njerëz me influencë në Shqipëri. Nëse Basha është përfshirë në skandalin e 500 mijë dollarëve amerikanë, vetë Edi Rama dhe mediet e tij të afërta janë financuar me miliona parave që ka dhënë Rusia kryesosht përmes organizatave mafioze ruse. Po t'i shtojmë shumave të tilla edhe paratë e grupeve kriminale e mafioze që qeveria mbështet, atëherë duhet ta besoni se në xhepat e pushtetarëve në Shqipëri kanë mbërritur miliarda dollarë amerikanë”, vlerësoi Bytyçi.

“Kryeministri i Shqipërisë nuk punon asnjëherë falas!”

Ndër të tjera, ai përmendi edhe këshilltarin e Ramës, Baton Haxhiun dhe pagën tij të lartë.

Ai konsideroi se 16 mijë eurot që i merr Haxhiu janë para të pista, që nuk përjashtohet mundësia se mund të vijnë nga Moska.

“Kur keshilltari i kryeministrit Rama, pra Baton Haxhiu, paguhet me 16 mijë euro në muaj, pa llogaritur shpërblimet e majme tjera që bën, mendoni ju se këto para janë të pastra, janë para mundi e djersë?! Janë para të pista. Vijnë nga kudo, e nuk përjashtohet asnjë mundësi që të vijnë edhe nga Moska! Parimi i qeveritarëvë shqiptarë është se "Paraja nuk ka ngjyrë"! D.m.th ajo është e pranueshme nga kushdo që e jep atë.

Ky parim është zbatuar edhe në marrëdhëniet midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Nëse dikush beson se në këto marrëdhënie nuk ka zënë vend të veçantë lidhja me Rusinë, ose është naiv, ose bën naivin. Lidhjet me Beogradin nuk të çojnë në Uashington, as në Bruksel, përveçse në Moskë. Dhe këto lidhje me Moskën shpërblehen me para. Jo me qindra mijë, se ato nuk i hyjnë në hundë kryeministrit tonë. me miliona e dhjetramilionë. Madje për shërbimin që Rama i ka bërë dhe i bën Serbisë e përmes saj edhe Rusisë, qindra milionë i duken pak. Dhe kryeministri i Shqipërisë nuk punon asnjëherë falas. Këtë rregull e njeh më mirë se kushdo tjetër. Çdo firmë që ai hedh, nuk e hedh falas. Merr diçka në këmbim. Më së shumti merr para”, nënvizoi profesori.

Në fund, Bytyçi tha se skandali i Bashës është një gjë e vogël, në raport me milionat e shumë milionat nga paratë ruse që qarkullojunë në Ballkan e në Shqipëri.

“Marrëdhënie me paranë e pushtetit është më e ngushtë se sa marrëdhënia me paranë e Lul Bashës. Basha gaboi rëndë me atë donacion të pisët. Por, ai u zbulua se veproi nën monitorimin e Ramës, ndoshta edhe u besoi sekserëve të që ngarkoi kryeministri për këtë punë. Tani le ta vuajë e ta vjellë atë helm që pranoi. Por kjo është një thelë e vogël, në raport me milionat e shumë milionat nga paratë ruse që qarkullojnë në Ballkan e në Shqipëri te politikanët, mediet, analistët, portalet dhe shoqëria civile”, përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat