300 ushtarët nga SHBA-ja/ Eksperti i sigurisë tregon se çfarë informacione ka marrë KFOR-i

Politika

300 ushtarët nga SHBA-ja/ Eksperti i sigurisë tregon se çfarë informacione ka marrë KFOR-i

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 5 tetor 2022 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sjellin edhe 300 ushtarë shtesë në Kosovë, me qëllimin për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës. 300 pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Indianas do të vijnë në Kosovë në një mision nëntëmujor.

“Burrat dhe gratë e kësaj brigade do të punojnë për të siguruar që pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës do të mbeten të forta, dhe se qëllimi ynë i përbashkët për shtete të pavarura, multietnike me shoqëri që bashkëjetojnë në paqe në Ballkanin Perëndimor, është realizuar. Dërgimi i trupave tanë demonstron vendosmërinë e Amerikës për të mbrojtur sovranitetin e kombeve të lira dhe demokratike siç është Kosova”, ka thënë gjeneralmajori, Dale Lyles.

E për ardhjen e trupave shtesë të SHBA-së dhe mesazhin që përçon kjo, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

“NATO, në çdo pjesë ku janë të përfshira vendet aleate, dhe pretendohet që në brezin kufitar të këtyre shteteve mund të ketë trazira/konflikt, që mund të cenohet siguria, atëherë kjo e fundit duhet të veprojë sipas marrëveshjeve përkatëse që kanë vendet anëtare të NATO-se me këtë aleancë”, thotë Shala.

Sipas tij, dërgimi i trupave të reja është dëshmi se në veri mund të ketë tensione të reja, fakt të cilin mund ta ketë konstatuar edhe KFOR-i.

“Fazë e dytë pastaj është shtimi i nivelit operacional në kuadër të misioneve ku marrin pjesë anëtarët e NATO-s, dhe në këtë fazë dihet që KFOR-i si komponent të saj ekzekutive që ka në RKS, ka analizuar dhe vlerësuar që ky numër është i domosdoshëm për të garantuar rend / siguri në gjithë territorin e saj, në prag të zhvillimeve të brendshme (31.10.2022 targat), si dhe tensionet globale me efekt rajonal”, shprehet Shala.

“KFOR-i ka marrë masa adekuate bazuar në informacionet në terren, që grupet kriminale janë të ri-organizuara dhe janë duke pritur ndryshimet /sinjalet nga Beogradi zyrtar për të vepruar dhe reaguar në terren”, shton eksperti Shala, i cili thekson se këto grupe po sabotojnë veprimet ligjore të shtetit të Kosovës.

“Shihet ditëve të fundit, që këto grupe janë duke sabotuar veprimet ligjore të institucioneve të RKS-së në veri të vendit, dhe mbi këto veprime/informacione ditëve në vijim pas takimit në Bruksel, që pritet të këtë Kurti-Vuçiq se si do të zhvillohet do të shtohet numri i pjesëtarëve”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat