A është bota në rrezik nga armët bërthamore? Nuk është “blof”!/ Çfarë do të mund të bënte Serbia?

Politika

A është bota në rrezik nga armët bërthamore? Nuk është “blof”!/ Çfarë do të mund të bënte Serbia?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 tetor 2022 Në ora: 13:40
Lufta në Ukrainë

Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë po vazhdon edhe në ditët e sotme, edhe pas gati tetë muajve lufte të pandërprerë nga më të rreptat, kryesisht si pasojë e mungesës së mëshirës nga Rusia, e cila ka vrarë dhe ka kryer gjenocid në Ukrainë.

Ndërkohë, ushtria ukrainase është fuqizuar aq shumë, sa përveç se ka çliruar muajve të fundit një territor sa Kosova, ka filluar t’i çlirojë edhe zonat e okupuara, për të cilat Rusia e shpalli aneksimin.

I papërgatitur për këtë kundërpërgjigje, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po deklarohet që mund t’i përdorë edhe armët bërthamore nëse nuk e fiton atë që dëshiron.

Për momentin, diplomatët perëndimorë sugjerojnë se rreziku që Putini të vërë në përdorim arsenalin më të madh bërthamor të botës duket të jetë i ulët.

CIA thotë se nuk ka vënë re shenja të një përgatitje për sulm të afërt bërthamor nga Rusia.

Megjithatë, zotimet e tij se do të përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur Rusinë, ndërkohë që po sulmon Ukrainën, po merren shumë seriozisht.

Armët bërthamore taktike, që ndonjëherë quhen edhe armë bërthamore jo-strategjike apo me rendiment të ulët, janë krijuar për t’u përdorur në fushën e betejës – për shembull, për të shkatërruar forcat dërrmuese konvencionale, si formacionet e mëdha të këmbësorisë dhe të blinduara.

Mirëpo, a po rrezikohet edhe siguria e Kosovës në këtë rast?

Për “Bota sot”, kanë folur ekspert të sigurisë dhe ushtarak.

Shala: Përdorimi i armëve bërthamore në luftë të Ukrainës do të ndryshojë rrjedhjen e gjithë procesit jetësor në botë

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Kosova ka në letër institucion në kuadër të Kryeministrit që merret me rrezatimin dhe mjetet bërthamore, mirëpo se nuk dihet nëse do të mund të realizonin një veprim të tillë preventiv.

“Kosova ka në letër një institucion në kuadër të Kryeministrisë, që merret me rrezatimin dhe mjetet bërthamore, si dhe në kuadër të FSK-së e kemi njësinë e specializuar për Mbrojtje Kimike, Biologjike, Radiologjike dhe Bërthamore (MKBRB). Por, sa do të jenë në gjendje ta realizojnë një veprim të tillë preventiv, kjo mbetet vetëm në fazën dëshirore sepse mungojnë pajisjet përcjellëse si dhe trajtimi kuantitav shoqëror në rast të një aktiviteti bërthamor”, potencoi eksperti i sigurisë.

Në fund, Shala thotë që Kosova nuk mund t’i ikë një sulmi të tillë dhe se bota është duke u përgatitur për një skenar të tillë e që edhe Serbia mund ta shfrytëzojë këtë rast.

“Kosova as nuk mundet t’i ikë, por as nuk mund të parandalojë një sulm të tillë dhe çdo veprim i tillë në Ukrainë do të prodhojë efekt në Ballkanin Perëndimor. Bota është duke u përgatitur për një skenar të tillë. Ndërsa, në anën tjetër Serbia a mund të shfrytëzojë një kauzë globale në rast të përdorimit të armëve bërthamore në Ukrainë? Unë mendoj që PO do ta shfrytëzoj atë kauzë, të shfrytëzojë momentin e saj”, përfundoi Shala për “Bota sot”.

Hoxha: Nëse i humb katër rajonet e pushtuara, Putini do të çmendet

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

Ai u shpreh se plani i Putinit nuk ka shkuar ashtu siç ka pritur dhe kjo natyrisht që ka sjellë në deklaratat e tilla që munden të përdoren armët bërthamore.

Sipas tij, dënimi i fuqive botërore ka ndikuar negativisht në Rusi.

“Invazioni, sulmi i Rusisë në Ukrainë po zhvillohet dhe rregullisht ka lëvizje taktiko-operative të ushtrisë ruse dhe të Ukrainës atje që dita ditës e bëjnë nervoz Putinin sepse asgjë nuk është duke u zhvilluar në dobi të Rusisë dhe ushtrisë së saj.

Rusia nuk kishte bërë përgatitje të mjaftueshme për një luftë si kjo, gabimet janë të shumta nga ana ruse. Dënimi i fuqive botërore i këtij akti rus, mbështetja e tyre financiare, politike dhe ushtarake ndaj Ukrainës kanë revoltuar tej mase Putinin dhe masat tjera ekonomike që janë ndërmarrë kundër Rusisë kanë ndikuar negativisht në Rusi”, u shpreh ai.

Hoxha më tej thekson që ky dështim politik dhe ushtarët nuk po arrin ta përballoj Putini dhe për këtë arsye po kërkon ta destabilizoj edhe Ballkanin Perëndimor.

“Këtë dështim politik dhe ushtarak Putini nuk po mundet me e përballue i qetë prandaj me nervozë bën edhe kërcënime për të destabilizuar edhe rajone tjera për të krijuar më shumë dekoncentrim të politikës globale. Një prej regjioneve, të cilat mundet me u destabilizuar është edhe Ballkani Perëndimorë më saktë mes Serbisë të destabilizon Bosnjën e Hercegovinen, Malin e Zi dhe Kosovën”, shpjegon Hoxha.

Mirëpo, nga ana tjetër, ish-komandanti thekson që armët bërthamore nuk mund të përdoren pasi do të dëmtohej më së shumti Rusia dhe për këtë arsye nuk do të ketë as vatra të tjera lufte.

“Përdorimi i armëve bërthamore nga Rusia nuk mund të ndodhë pasi shumë mirë e din Putini se sa projektile bërthamore do t’i lansonte, shumëfishi i tyre do t’ju ktheheshin në Rusi.

Prandaj mendoj se nuk do të ketë vatra të reja të luftës, por rreth Rusisë dhe atë nëse tentohet që me çdo kusht të largohet Putini edhe nga ato katër regjione të okupuara në Ukrainë. Pasi atëherë Putini do të poshtërohej tej mase dhe nuk mundet me pranu atë disfatë dhe do të çmendet, e njeriu i çmendur mund të bëjë çdo gjë, prandaj Perëndimi duhet të ketë kujdes që t’i lë Putinit një rrugëdalje, një vend ku ai mundet të ndihet si fitimtarë në Ukrainë.

Për Kosovën nuk shoh rrezik por duhet të përgatitemi sikur nesër të ketë luftë dhe të punojmë sikur nuk do të ketë luftë kurrë”, nënvizoi ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat