Pal Lekaj e quan veprim të mençur dorëheqjen e Latifit, ka një kërkesë për Qeverinë

Politika

Pal Lekaj e quan veprim të mençur dorëheqjen e Latifit, ka një kërkesë për Qeverinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 tetor 2022 Në ora: 19:13
Rifat Latifi

Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje sot pasdite nga pozita e ministrit të Shëndetësisë. Në letrën që raportohet se Latifi i ka dërguar Kryeministrit Kurti, thuhet se ai po jep dorëheqje “pas shumë reflektimesh”.

E dorëheqjen e tij, si veprim të mençur e ka quajtur deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Latifi më në fund paska vendosur të bëjë diçka të mirë për vendin.

Image
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj

Sipas tij, së bashku me Latifin duhet të pasojnë edhe ministrat tjerë dhe kjo Qeveri.

“Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi ka bërë veprimin më të mençur deri më tani. Ai nuk ka bërë asgjë për të përmirësuar gjendjen e rëndë të shëndetësisë, prandaj tani paska vendosur të bëjë diçka të mirë për vendin me dorëheqjen e tij. Ai duhet t’i marrë me veti edhe ministrat e tjerë dhe këtë Qeveri, për shkak se nuk punojnë si duhet për vendin, nuk dinë menaxhim të krizës ekonomike, ua ndalojnë pagat mësimdhënësve kundërligjshëm dhe merren me video propagandë”, ka thënë Lekaj për “Bota sot”.

Kujtojmë se Latifi është kritikuar edhe për mungesën e tij në Komision parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike për raportim, madje atëhere deputetja e opozitës, Hykmete Bajrami, kishte kërkuar dorëheqjen e tij.

Ndërsa, Latifi në letrën e dorëheqjes së tij ka shkruar se  vendosi të largohet “me zhgënjim të thellë” dhe “pas shumë reflektimesh”.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i Ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës që nga sot më datën 6 tetor, 2022”, ka shkruar Latifi në letrën e dorëheqjes.

Latifi ia ka bashkëngjitur Kurtit të arriturat që thotë se i ka pasur përgjatë 10 muajve në detyrë dhe një përmbledhje të të gjeturave dhe sfidave të ballafaquara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat