Eksperti i sigurisë ndez alarmin për Veriun, paralajmëron Kosovën

Politika

Eksperti i sigurisë ndez alarmin për Veriun, paralajmëron Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 tetor 2022 Në ora: 22:13
Foto arkiv

Data 31 tetor po afron, dhe tensionet po shkojnë drejt rritjes mes Kosovës dhe Serbisë. Shkak është çështja e targave të veturave, marrëveshje e cila skadon me 31 tetor.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka bërë të qartë se vendimi për targat nuk do të shtyhet më.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, ka thënë Kurti, përderisa shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj Kosovës ia kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

Ndërkohë serbët kanë paralajmëruar bllokim të rrugëve në veri të vendit, si dhe janë djegur veturat që kanë konvertuar targat e tyre nga ato që lëshohen nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

“Propaganda e krerëve të shtetit serb, përfshirë presidentin e Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, dhe veprimet e strukturave ilegale ekstremiste e grupeve kriminale janë të koordinuara dhe në shërbim të njëra-tjetrës drejt qëllim të frikësimit të qytetarëve tanë në veri”, ka deklaruar zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, pjesëtarët e Policisë së Kosovës të komunitetit serb, janë duke iu shërbyer grupeve kriminale në veri të vendit.

Image
Drizan Shala

 

“Duhet të fillohet të shpjegohet se si mund të zbatohet vendimi për konfiskim e targave ilegale duhet në këtë forme përmes: policët e rendit (stacionet policore nivelin komunal, stacioni i policisë rajonale të asaj pjese) të mbështetur nga NJRSH, NJSO në perimetrin e sigurisë të pika kontrolli. Pra problemi do të qëndrojë sa do të jenë lojal këta "policë" të cilët në të kaluarën janë dëshmuar që ju kanë shërbyer grupeve kriminale, strukturave paralele të sigurisë. Problemi nuk do të jetë forma e zbatimit por do mbetet forma e qëndrueshmërisë së zbatimit nëse merret për bazë pengesat politike që do të determinojnë procesin”, thotë Shala.

Siç thotë Shala, djegia e veturave në veri, po behet me instruksione të Beogradit zyrtar.

“Veprimi i grupeve kriminale të cilat kanë kryer këtë (djegies se veturave) veprim në veri të vendit, kanë pranuar instruksione konkrete që çdo qytetar/veturë që ka targa 02 kryesisht të digjet në veri të vendit dhe që pronar është nga komuniteti serb”, shprehet Shala.

Kjo situatë, sipas ekspertit Shala mund ta dërgojë veriun e Kosovës drejt një anarkie të plotë, e cila mund të shkaktojë impakt edhe në tërë Ballkanin.

“Bllokimi do të prodhojë situatë e cila mund të shpije deri te një ballafaqim në mese ligjit dhe anarkisë dhe kjo po vërehet që nga anulimi i vizitës se zv/kryeministrit të Kosovës në njërën anë dhe Petra Petkoviqin nga ana tjetër. Çdo ndryshim në teren mund të shkaktoje presion me impakt në rajonin e Ballkanit”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Kujtojmë se sot zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, nuk iu lejuar vizita në Beograd për një forum ndërkombëtar për sigurinë.

“Ne kemi paraqitur kërkesën para organeve qysh javën e kaluar dhe ka qenë e aprovuar. Sot ka qenë gjithçka në rregull deri në një moment të caktuar na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë sigurinë ose siguria ka qenë e cenuar. Kjo për neve është një sinjal se Serbia nuk është e gatshme për normalizim. Është absurde që një konferencë për sigurinë Serbia të pranojë publikisht njerëz që kanë elemente kriminale që cenojnë sigurinë dhe të pranoj se është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pas anulimit të vizitës nga autoritetet serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat