Lista Serbe: Do forcojmë dhe ndërtojmë, institucionet në veri, paralajmëron eksperti: Mund të ketë luftë, e konflikte armiqësore

Politika

Lista Serbe: Do forcojmë dhe ndërtojmë, institucionet në veri, paralajmëron eksperti: Mund të ketë luftë, e konflikte armiqësore

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 nëntor 2022 Në ora: 09:42
Anëtarët e Listës Serbe Goran Rakiq, Igor Simiq dhe Dalibor Jevtiq, gjatë një konference për media në Beograd më 27 tetor 2022.

Sot do të jetë dita në të cilën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet në veri, përfshirë ato gjyqësore, të policisë dhe në institucione të tjera.

Ai ka shtuar se serbët duhet të "forcojnë dhe ndërtojnë" institucionet e veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë.

Sipas Rakiq, ky vendim do të propozohet në mbledhjen e jashtëzakonshme të Listës Serbe me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

Kjo mbledhje, sipas tij, se do të mbahet pas “vendimit të paligjshëm dhe anti-serb” të Kosovës, për suspendimin nga puna të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.

Gjuriq u suspendua nga puna më 3 nëntor, një ditë pasi deklaroi se policët në veri nuk do të shpërndajnë letra qortuese për qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, të cilat Kosova i konsideron ilegale.

“Të gjithë ne kemi hyrë në institucionet e Kosovës sepse kjo ka qenë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit, dhe duke pasur parasysh se Prishtina nuk i respekton marrëveshjet e nënshkruara, është e qartë se nuk kemi çfarë të kërkojmë në ato institucione sepse është e qartë se Prishtina shkel secilën prej tyre”, tha Rakiq përmes një deklarate për media.

Ekspertët e sigurisë e quajnë deklaratën e Rakiqit të pakontrolluar, gjersa shtojnë se nga kjo mund të eskalojë edhe në konflikte armiqësore.

Hajrullah Tërnava, ekspert i sigurisë, ka thënë për “Bota sot”, se pas deklaratës së Rakiq mund të eskalojë situata, por ndërkombëtarët kanë kompentenca të intervenojnë.

Image
Hajrullah Tërnava

 

Sipas Tërnavës, kjo është deklaratë konfliktuoze dhe mund të ketë efekte negative në tërë rajonin.

“ Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se të shtunën do të propozojë largimin e serbëve nga institucionet dhe “forcimin dhe ndërtimin” e institucioneve të veta në veri, në bashkëpunim me Serbinë. Kjo deklaratë e Goran Rakiqit në atë mënyrë të pakontrolluar, e që ai e dinë mirë se territori në të cilin jeton është Kosova, mund të eskalojë edhe në konflikte armiqësore mes popujve serbo-shqiptar, dhe situata nëse eskalon, ndërkombëtarët i kanë kompetencat të intervenojnë, sepse KFOR-i e garanton sovranitetin e Kosovës, dhe janë të gatshëm të intervenojnë, sepse sovranitetin e shtetit të Kosovës e garanton KFOR që është pjesë përbërëse e NATO-së. Prandaj kjo është deklaratë konfliktuoze e cila mund të arrijë efekte negative në tërë rajonin, nga i cili edhe mund të përshkallëzohet situata deri në luftë, sepse e tërë situatë është në ankth që nga lufta ruso- ukrainase”, ka thënë Tërnava.

Në komunikatën drejtuar mediave, kryetari i Listës Serbe kishte shtuar se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur të drejtë ta suspendojnë Gjuriqin nga puna, pasi tha se ai është zgjedhur nga serbët dhe katër kryetarët e komunave në veri, që banohen me shumicë serbe.

Sipas Tërnavës, është e pritshme të krijojë incidente dhe revoltë për supsendimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës së veriut, Nenad Gjuriq.

Ai ka shtuar se MBP ka kompentenca të ndërmarrë veprime ligjore ndaj të gjithë përfaqësuesve të Policisë së Kosovës.

“Lista Serbe tani e komanduar nga Vuçiq, edhe që është pjesë përbërëse e Kuvendit të Kosovës, atë e kontrollon Serbia dhe vetëm asaj i jep llogari dhe vepron në suaza çfarë i thotë Vuçiqi, prandaj është e pritshme që të krijojë incidente dhe revoltë për suspendimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq. Kjo kompentencë është jo ligjore e Rakiqit dhe është tejkalim i kompentencave të tij, sepse ai është kryetar i Listës Serbe, kurse kompentencat mbi policinë e Kosovës, janë nën komandën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Drejtoratit të Policisë së Kosovës, kompentenca këto që ua garanton ligji i punëve të brendshme të Kosovës në tërë territorin e saj. Prandaj, vetëm MPB e ka kompetencë të ndërmarrë veprime ligjore ndaj të gjithë përfaqësuesve të Policisë së Kosovës”, ka pohuar Tërnava.

Duhet konsultuar me mençuri edhe me faktorin ndërkombëtar, pas kësaj situate, sipas Tërnavës, pasi ata mund të evidentojnë të këqijat.

“Situata e tillë, e krijuar tani kërkon mençuri dhe konsultime edhe me faktorin ndërkombëtar që e ndërmjetëson dialogun për njohje reciproke, sikur që janë Amerika dhe BE. Domethënë për të gjitha ndodhitë ata duhen të njoftohen dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët, sepse ashtu mund të evitohen të gjitha të këqijat që mund të ndodhin”, ka përfunduar Tërnava.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – edhe në të kaluarën kishte kërcënuar me largim nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimeve të ndërmarra nga autoritetet në Kosovë.

Ndërkaq, pas një takimi me kryetarët e katër komunave në veri dhe Listës Serbe, Gjuriq tha më 2 nëntor se refuzon të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat