Vizita te Thaçi dhe Veseli/ Vjen kundërpërgjigja për Isa Mustafën – ja kërkesa për Abdixhikun

Politika

Vizita te Thaçi dhe Veseli/ Vjen kundërpërgjigja për Isa Mustafën – ja kërkesa për Abdixhikun

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 5 nëntor 2022 Në ora: 20:07
Isa Mustafa, i cili dikur akuzonte SHIK-un e Kadri Veselit për vrasjet politike, pas kthimit nga Haga ka thurur elozhe për të akuzuarit e Gjykatës Speciale për vrasjet politike.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Por kjo nuk e ka penguar aspak ish kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën që t’i vizitojë Thaçin, Veselin e Krasniqin në Hagë, aty ku po mbahen në paraburgim.

Isa Mustafa, i cili dikur akuzonte SHIK-un e Kadri Veselit për vrasjet politike, pas kthimit nga Haga ka thurur elozhe për të akuzuarit e Gjykatës Speciale për vrasjet politike.

“Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes, por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia!”, ka shkruar ish kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Por vizita e Mustafës në Hagë, ka nxitur reagimin e kryetarit të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, i cili jep kritika të ashpra.

Image
Osman Ferizi

“Vizita e ish kryetarit zë LDK-së, z. Isa Mustafa në Hagë, ku i bëri vizitë kumbarëve të pazareve politike, të cilët akuzohen për vrasje politike të anëtarëve të LDK-së dhe ish eprorëve zë FARK-ut, është një veprim i papërgjegjshëm që mua si anëtar dhe kryetar i Degës së LDK-së për Gjermani, më bënë të ndihem i turpëruar”, deklaron Ferizi, sipas të cilit, kjo vizitë lëndon edhe familjarët e viktimave të vrasjeve politike..

“Kjo ngjarje vërtetë është një lëndim dhe plagë për familjet e të vrarëve të cilat ende nuk janë shëruar, po çka do i thotë familjës së Xhemajl Mustafes, Enver Malokut, Tahir Zemajt, Zeqirajt, familjes së ish. MMRK kol. Ahmet Krasniqit, kom. Drinit, Shefki Popovës, Haki Ymerit, Ismet Rracit, Shaban Manaj, Bekim Kastratit, Bardhyl Ajetit, Xhevat Isufit, Smajl Berbatovcit, Qamil Ilazit, Ismet Rracit, Behadin Allaqit, Ilir Konushevcit, kom. Karadakut, Sadri Ramqaj, Smajl Hajdaraj, Shaban Shala, po vuajtjeve të ish deputetit të plagosur e paralizuar Fetah Rudit, e shumë familjeve tjera”, thekson Ferizi.

Më tej, ai ka ftuar kryesinë dhe kryetarin e LDK-së që të distancohen nga Isa Mustafa dhe t’i merret titulli “kryetar nderi” i LDK-së.

“Unë e ftoj kryetarin e LDK-së dhe kryesinë që të distancohen nga ky veprim iritues i ish kryetarit kontrovers, që t’i merret titulli i shpallur “ kryetar nderi””.

Më tej, Ferizi deklaron se vizita e Isa Mustafës në Hagë, dëshmon dyshimet për pazaret politike që ka pasur me Thaçin, Veselin e të tjerët, të cilët akuzohen për vrasjet politike.

“Kjo vërteton dyshimet tona për pazaret e tyre ku LDK-së ( deputetët) e saj e votuan dhe e bënë President një figurë konfliktuoze, shantazhuese dhe aspak i përshtatshëm të marrë pozitën më të lart të shtetit, sepse ai kurrë nuk ka përfaqësuar unitetin e popullit. Një “akademik” duhet ta lejojë drejtësinë ta bëjë punën e saj, kjo na dërgon në tjera dyshime të lidhjeve dhe pazareve të tyre rreth fondeve që kurrë nuk u zbardhen para qytetarëve”, përfundon për “Bota sot”, Osman Ferizi, kryetar i degës së LDK-së në Gjermani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat