Tensione dramatike të krijuara nga Serbia/ Largimi i orkestruar i serbëve nga institucionet – skenar për dhunë?

Politika

Tensione dramatike të krijuara nga Serbia/ Largimi i orkestruar i serbëve nga institucionet – skenar për dhunë?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 nëntor 2022 Në ora: 10:49
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës në veri duke zhveshur uniformat e tyre pas dorëheqjes nga institucionet e Kosovës. 5 nëntor 2022.

Në 48 orët e fundi ka pasur zhvillime dramatike në veri, ku serbët nën ndikimin e Listës Serbe të udhëhequr nga Beogradi, vendosën për veprime radikale, duke braktisur institucionet e Kosovës, qendrore e lokale, politike, por edhe të sigurisë, gjyqësisë, administrata.

Këto veprime të orkestruara nga Serbia, pushteti i saj, Presidencë-Qeveri-Siguri, nuk është duke i parë me sy të mirë Perëndimi.

Perëndimi, përfshirë NATO-n, ia kanë bërë të qartë Serbisë dhe serbëve të Kosovës, se në rast të trazimit të veriut, Aleanca do të ndërhyjë.

“NATO_KFOR mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka deklaruar Zëvendësekretari i NATO-s, Mircea Geoana.

Vendimi i serbëve të Kosovës i marrë dje, për t’u larguar nga institucionet pasoi mospajtimin e tyre me fillimin e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave dhe shkarkimin e një drejtori të policisë, pasi theu vendimin e Qeverisë dhe urdhërat ekzekutiv të policisë.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ai ka parashtruar tri kushte për kthim në institucione, tërheqjen e vendimit për targat, formimin e Asociacionit, që ky asociacion të formohet në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ka gjetur shkelje në 23 nene.

Në mesin e këtyre tensioneve kujtojmë që Ministri i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka takuar ambasadorin e Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko.

“Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që ofron Federata Ruse në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Serbisë”, tha Vuçeviq, duke shtuar se qëllimi i Serbisë është të ruajë statusin e një shteti ushtarakisht neutral.

Këto pretendime serbe, se mund t’i arrijnë ende qëllimet e veta ekspansioniste ndaj Kosovës me mbështetjen e Rusisë, duket se më në fund do të marrin goditjen e duhur.

Duket që edhe thirrjet e serbëve, me gjithë vrullin retorik, në thirrjet për veprime janë treguar shumë të kujdesshëm, ku në vend të lëvizjeve ekstreme, si të disa grupeve, nëpër pozita kodrinore, që shkrehin edhe plumba, në thirrjet e përgjithshme, kanë shtruar vetëm kushtet e përmendura për kthim në institucionet e Republikës tonë.

Natyrisht që të gjitha këto tensione mes Kosovës dhe Serbisë, po arrijnë të sjellin debate të mëdha.

Mirëpo për të diskutuar për këto tema për “Bota sot”, kanë folur analistët politik, të cilët u shprehen se largimi i Listës Serbe nuk e dëmton vendin tonë.

Ahmeti: Lista Serbe është dorë e zgjatur e shtetit serb

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet analisti politik, Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Ai u shpreh se Lista Serbe është dora e zgjatur e shtetit serb dhe se mungesa e tyre nuk luan asnjë rol negativisht pasi që prania e tyre vetëm ka plotësuar një obligim kushtetues që ata të jenë pjesë e ekzekutivit.

“Lista Serbe është dorë e zgjatur e shtetit serb. De fakto veprimi i tyre është i dirigjuar nga lartë dhe çdo veprim i tyre është i kalkuluar politikisht për të provokuar situatën në veri të vendit. Realisht Lista Serbe nuk ka qenë faktor në këtë Qeveri, pasi Qeveria Kurti nuk ka qenë e varur nga votat e tyre, por vetëm ka plotësuar një obligim kushtetues që ata të jenë pjesë e ekzekutivit”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që e njëjta nuk ka vlejtur për qeveritë e kaluara pasi kanë qenë të varura nga Lista Serbe.

“Kurse në qeveritë e kaluara, Lista Serbe ka qenë determinuese për çdo vendim të Kuvendit të Kosovës, rrjedhimisht qeveritë e kaluara kanë qenë të kushtëzuara nga Lista Serbe. Faktikisht ky është një faktor që në vazhdimësi e ka penguar Listën Serbe për të vepruar me logjiken e njëjtë, rrjedhimisht nuk ka qenë favorizuse për të jetësuar politikat e tyre si në të kaluarën. Kurse tash mungesën e fuqisë ekzekutive në Kuvend dhe Qeveri mundohet ta plotësoj përmes provokimeve dhe inskenimeve të rasteve dhe njëkohësisht duke luajtur rolin e viktimës”, nënvizoi analisti Ahmeti për “Bota sot”.

Mehmeti: Lista Serbe dëshiron ta vë nën presion Kosovën për të shantazhuar pastaj me themelimin e Asociacionit dhe heqje dore nga zëvendësimi i targave

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që largimi i Listës Serbe është provokimi radhës për Kosovën për ta vënë nën presion për ta themeluar Asociacionin dhe të largohet vendimi për targat.

“Largimi i Listës Serbe nga institucionet e Kosovës është provokim dhe matje pulsi për të parë reagimin e Qeverisë së Kosovës. Duan ta vënë nën presion për të shantazhuar pastaj me themelimin e Asociacionit dhe heqje dorë nga zëvendësimi i targave. Në bashkëpunim me Vuçiqin dhe Rusinë dhe Kinën po bëjnë çdo gjë për të përfituar, edhe forcën e kanë futur në provokim ndonëse nuk besoj se mund të ketë invazion të Serbisë. Kosova nuk guxon të bie në provokime”, thotë analisti.

Në fund, ai shton që Vuçiqi me Listën Serbe janë e keqja e madhe e serbëve dhe Serbisë me Kosovën që me vendosmërinë e saj po i jep goditje të forta çdo ditë.

“Serbia është nën presion nga SHBA-ja, po tenton të gjej aleatë dhe me ndihmën edhe të grupeve kriminale po tenton të provokojë situatë për ta transmetuar presionin tek Kosova. Vuçiqi me Listën Serbe janë e keqja e madhe e serbëve dhe Serbisë, e Kosova me vendosmërinë e saj po i jep goditje të forta çdo ditë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat