Pse po dështon ndëshkimi i grupit të madh kriminal ku është i përfshirë edhe Azem Syla? Flet ish-zëvendësministri i MPB-së

Politika

Pse po dështon ndëshkimi i grupit të madh kriminal ku është i përfshirë edhe Azem Syla? Flet ish-zëvendësministri i MPB-së

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 7 nëntor 2022 Në ora: 10:33
Azem Syla

Sistemi i drejtësisë në Kosova, prej pasluftës është thënë se është i kalbur, u shërben të fortëve dhe është udhëhequr nga politikanët të cilët e kanë kapur Kosovën.

Per sistemin e drejtësisë, luftën e tyre kundër krimit e korrupsionit, ka folë ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se, që nga paslufta e deri më tani, shtetin e Kosovës e kanë udhëhequr njerëz që në esencë nuk kanë qenë me përvoja e as me shkollime adekuate.

Sipas tij, si qëllim kryesore i tyre ka qenë që në ato vende të rëndësishme t’i emërojnë personat e dëgjueshëm të cilët do të punojnë për interesa të tyre.

Tërnava shton se, nëpër të gjitha institucionet shtetërore të rëndësishme të shtetit, janë caktuar njerëz të tyre, prandaj tani Kosova gjendet në këtë situatë të tillë çfarë është tani, dhe qeveria në pushtet, dhe tjerat qeveri në ardhje, duhet të punojnë shumë në atë drejtim për ti pastrua ato vende të stërmbushura me njerëz të tyre.

“Nga kjo pikëpamje duhet një kohë e tërë që ato institucionet të spastrohen nga ata njerëz që tani Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje të mjerueshme, dhe jo rastësisht tani Kosova gjendet si vendi më i izoluar në botë, prandaj tani po dëshmohet katërçipërisht, me të gjitha veprimet dhe vendimet që po i merr gjyqësori në ndjekjen e korrupsionit dhe krimit, e në raport me dyshimet për figurat e larta të politike, se sa thellë është i kapur sistemi i drejtësisë nga mafio- politike dhe bashkëjetesa me krimo-politikës që në vazhdimësi po fuqizohet dhe për dy dekada të pas luftës nuk po arrin të dënohet e të pastrohet”, thotë ai.

Sipas tij, edhe me aktakuza të ngritura, deri më tash nga gjyqësori i Kosovës asnjë nga figurat e larta politike për korrupsion nuk është ndëshkuar.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo po ndodh edhe pse para drejtësisë janë nxjerr kryetar komunash, ish kryetar e ish ministra, deputetë, e komandantë lufte, por të gjitha rastet që kanë shëtitur nëpër nivele të ndryshme të gjyqësorit, dhe në fund kanë ardhur në situatën kur janë liruar të pa fajshëm, duke u pastruar figurat e tyre dhe rikthyer në politikë përsëri të rehabilituar. Kështu ka ndodhur së fundi me epilogun e aktakuzës së ngritur kundër Pal Lekajt, aktakuzë e ngritur për dyshimet e abuzimit nga pozita e ish kryetarit të Komunës, por edhe për dyshimet e ngritura lidhur me abuzimet nga pozita e ish ministrit të infrastrukturës. Drejtësia është duke dështuar për ta ndëshkuar edhe grupin e madh kriminal për rastin Toka ku është i implikuar një nga ish figurat kryesore të UÇK-së dhe SHIK-ut, ish deputeti i PDK-së Azem Syla dhe grupi i tij”, thotë Tërnava.

Ai thekson se, historiku i dështimeve, proceseve gjyqësore të orkestruara e të manipuluara është i gjatë dhe me njolla të zeza që kurrë nuk mundë të shlyhen.

“Në top listën e proceseve gjyqësore të manipuluar e të dështuara është edhe afera e listave të veteranëve të luftës e cila po e sfidon seriozisht sistemin e drejtësisë, pavarësisht faktit që përgjegjësit për fryrjen e listave dhe 10 fishimin e numrit të veteranëve, me veteran të rrejshëm janë zyrtar dhe figura të larta të zinxhirit komandues, njerëz aktiv në jetën politike dhe institucionale, deri në pozita udhëheqëse të shtetit e lider partish. Po ashtu është folur shumë dhe iniciuar proces gjyqësor edhe për abuzimet me fondet e luftës, sidomos Fondin 3%, por gjithçka ka mbaruar sikur të mos kishte ekzistuar, kurse plaçkitësit e djersës dhe kontributit të qytetarëve, qoftë në fonde, qoftë në buxhetin e shtetit, në fund janë amnistuar”, shton ai.

Tërnava thekson se, ka shpresë që kjo situatë e kapjes së shtetit nga vetë drejtësia e inkriminuar, që po ja bënë avokatinë krimit të organizuar, të pastrohet më në fund me Ligjin Vetting.

“Po u veprua kështu sikur që parashihet, me këto veprime të luftimit të krimit në përgjithësi, edhe qytetarit do i kthehet shpresa për të jetuar në shtetin e tyre, se Kosova po pastrohet nge ato veprime kriminale të deritashme, dhe ligjshmëritë e jetësuara qytetarëve do iu sjellin shumë të mira, sepse shteti do të mendoj për investime dhe punësime të të rinjve të tyre, si shpresë e vetme që ta ndalë eksodin e të rinjve që po ndodhë ditë e përditë. Mbas spastrimit nga krimi të institucioneve të shtetit, edhe shteti do ti përngjaj shtetit të ligjshëm, dhe zyrtaret e shtetit do të fillojnë të edukohen në frymën ligjore të shtetit për të cilin kontribuojnë dhe nga i cili shtet paguhen për kontributin e tyre”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat