Kërkohet burgim i përjetshëm për Goran Stanishiqin për vrasjen e 13 shqiptarëve/ Kritikohet ashpër ulja e dënimit

Politika

Kërkohet burgim i përjetshëm për Goran Stanishiqin për vrasjen e 13 shqiptarëve/ Kritikohet ashpër ulja e dënimit

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 nëntor 2022 Në ora: 09:54
Goran Stanishiq

Së fundi, Gjykata e Apelit e ka aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë, serbit Goran Stanishiqit, duke ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj tij, përkitazi me vendimin për dënim, ashtu që ia ka ulur dënimin të njëjtit nga 20 vite burg në 15 vite.

Më 5 tetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë, Goran Stanishiqin e kishte dënuar me 20 vite burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa, Apeli më 27 shtator 2022, kishte shqyrtuar ankesën e mbrojtjes, ku ishte kërkuar që Stanishiqi të lirohet nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim.

Në vendimin e Apelit, i cili rezulton të jetë publikuar më 27 tetor 2022, thuhet se Stanishiqi gjykohet me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 15 vitesh, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit G.S., av. Lubomir Pantoviq, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.11/2020, datë 05.10.2021, ndryshohet përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin G.S. për veprën penale për të cilën është shpall fajtor e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 20.07.2019 e tutje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ky vendim, nxiti shumë pakënaqësi, ku u cilësua si jo i drejtë dhe i papranueshëm.

Kelmendi: Dënimi për veprat raciste të kryera në Kosovë gjatë luftës është me burg të përjetshëm

Image
Muhamet Kelmendi

 

Në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se ështe a pkuptueshme për këtë ulje të dënimit për kriminelin Goran Stanishiq.

Ai ngriti dy hipoteza, të cilat mund të kenë dërguar deri te marrja e këtij vendimi.

“Në kuadër të vendimit të nxjerrë nga Gjykata e Apelit, nëpërmjet të cilit, krimineli Goran Stanishiq, nga 20 vite i ulet dënimi në 15 vite, nuk ka të dhëna konkrete mbi faktet pse u zbrit dënimi në 15 vite?

Pse u ulë ky dënim?

Duket se dy çështje janë prezente:

1. Mungese e analizës adekuate të veprës penale raciste dhe gjenocidale dhe

2. Ndikimi nga jashtë për dënim.

Nuk dua të jetë asnjëra”, deklaroi profesori.

Gjithashtu, Kelmendi tha se edhe në rast se Stanishiqi është vetëm ekzekutues dhe jo organizator, ai duhet të dënohet me burg të përjetshëm.

“Mendoj se fakti është te mungesa e diturisë penale për veprën e kryer.

Veprat penale të kryera nga krimineli Stanishiq janë mjaftë të rënda, nga më të rëndat në fushën kriminale.

Pse?

Fakte konkrete ka.

Por, nëse ky është vetëm ekzekutues, jo organizator dhe planifikues, mjafton që dënimi megjithatë të jetë me burg të përjetshëm.

Ulja e dënimit në 15 vite burgim për vrasjen e 13 civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë është akt i rëndë për viktimat”, theksoi ai.

Ndër të tjera, juristi vlerëson se ky krim karakterizohet me elemente të gjenocidit, ku parashihet dënim i rëndë.

Ai në fund, e cilësoi këtë vendim si qesharak dhe të papranueshëm.

“Kemi sipas KP të Kosovës vepër të karakterit racist me elemente të gjenocidit mbi një komb. Dhe, këtu dënimi është i rëndë, deri me dënim të përjetshëm me burg.

I takon tash Gjykatës Supreme ta shqyrtojë lëndën.

Është e rrugës që me mjete juridike të ankimimit të dërgohet lënda në këtë Gjykatë. Nuk duhet kurrsesi të pranohet një aktgjykim qesharak i një gjykate qesharake me gjyqtarë të pakurrizë”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Të gjithë kriminelët e luftës duhet të japin përgjegjësi

Image
Blerim Burjani

 

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim për “Bota sot” tha se kjo është çështje e prokurorisë dhe se po e njëjta duhet të jetë shumë më aktive për të dënuar personat që kryen krime makabre gjatë luftës.

“Kjo është çështje e prokurorisë dhe e gjykatës. Pra, gjykata ka gjykuar në bazë të fakteve materiale dhe formale, prokuroria e ka kryer punën e saj, prokuroria duhet të jetë shumë më aktive për të dënuar të gjithë personat që kanë kryer krime makabre ndaj njerëzimit”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, juristi potencoi se lufta në vendin tonë ishte e qëllimshme dhe kësisoj të gjithë kriminelët duhet të japin përgjegjësi.

“Lufta në Kosovë ishte me qëllime shfarosëse kundër shqiptarëve, ishte luftë e padrejtë dhe gjenocidale, të gjithë kriminelët e luftës duhet të japin përgjegjësi”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiqi, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat